7.4 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Lugina e Preshevës, në okupim klasik

Më të lexuarat

Pas protestës që të shtunën u mbajt në qendër të Preshevës, në vendin ku më parë ishte i vendosur lapidari i dëshmorëve të UÇPMB-së, shqiptarët e Preshevës, përpos që t’i gëzojnë të drejtat e tyre njësoj siç i gëzojnë serbët në Kosovë, ata kërkojnë edhe praninë e forcave ndërkombëtare.

Jonuz Musliu, lideri i Lëvizjes së Progresit Demokratik, njëherësh edhe ish-përfaqësues politik i UÇPMB-së, ka deklaruar se protesta e së shtunës ka qenë vetëm një mesazh për faktorin ndërkombëtar, Beogradin e Brukselin, për gjendjen e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

“Faktori ndërkombëtar urgjentisht duhet të jetë prezent në Luginë të Preshevës”, ka deklaruar Musliu, raporton Zëri.

Sipas tij, problemet e shqiptarëve në Luginë nuk janë zgjidhur edhe pas 12 viteve, ndaj “është momenti i fundit që shqiptarët duhet të veprojnë të unifikuar në zgjidhjen e këtij problemi”.

Në anën tjetër, politikanët dhe analistët në Kosovë, gjendjen e shqiptarëve në Luginë të Preshevës e shohin si të lënë pas dore nga institucionet kosovare e shqiptare.

Avni Zogiani, analist politik, ka thënë se politikanëve në Prishtinë nuk u interesojnë fare të drejtat e shqiptarëve kudo qofshin ata. Sipas tij, ata merren vetëm me administrim të tenderëve dhe aspekteve të tjera korruptive. Zogiani ka thënë që nuk pret që Kosova të bëjë ndonjë gjë për shqiptarët e Luginës së Preshevës e aq më pak Shqipëria.

“Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë mbetur nën mëshirën e fatit”, tha ai.

Ndërkaq, Rexhep Selimi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë që institucionet e Kosovës nuk kanë bërë e as nuk do të bëjnë gjë për shqiptarët e Luginës.

“Madje përveç se nuk kanë bërë asgjë, shpeshherë i kanë penguar, i kanë dëmtuar duke pranuar që në bisedime me Serbinë të mos e fusin fare temën e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit”, ka deklaruar Selimi, duke shtuar se kjo gjendje e shqiptarëve në Luginë të Preshevës është gjendje e okupimit klasik të Serbisë. “Është një territor shqiptar i paçliruar”. /Tg/kohaislame

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit