Deklarata e ish-nënkryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, për fenë islame është shembulli më i qartë se si njerëz që kanë mbajtur pozita të larta mund të përdorin gjuhë përçarëse, paragjykuese dhe fyese ndaj një komuniteti të tërë.
Kur një njeri që ka qenë në majat e sistemit të drejtësisë e përshkruan Islamin si “të dalë nga shtrati”, kjo është gjuhë që ushqen ndasi dhe përbuzje ndaj besimit të shumicës në këtë vend.
Është e pakuptueshme heshtja e institucioneve. Ku është Bashkësia Islame e Kosovës? Ku janë organet që reagojnë për çdo fjalë në rrjetet sociale?
Kur për një fjalë si “rrenc” apo të ngjashme dikush përfundon në gjykatë, si mund të kalojë pa asnjë pasojë një deklaratë që nënvlerëson fenë e njerëzve, duke e paraqitur si “rrezik” që duhet “ndalur”?
Ironia e madhe është se tani i njëjti njeri paska nisur një seri shkrimesh në Facebook kinse “kundër ekstremizmit fetar”.
Në vend që të reflektojë për fjalët e veta fyese dhe më së paku të kërkojë falje, tani ai përpiqet të vishet me petkun e “intelektualit të shqetësuar për shoqërinë”. Por si mund të luftosh ekstremizmin me gjuhë që vetë është ekstremiste në përçmim?
Këto fushata morale nuk lindin nga kujdesi për shoqërinë, por nga egoja për të provokuar vëmendje dhe për të ndërtuar profil mbi ofendimin e tjetrit.
Nëse dikush që ka kaluar gjithë jetën në institucione nuk ka arritur të kuptojë dallimin mes fesë dhe ekstremizmit, atëherë problemi nuk është te feja, por te injoranca e tij.
Sepse Islami nuk është rrezik.
Rrezik është kur njerëzit me pushtet e ndikim flasin pa përgjegjësi, duke mbjellë përçarje në emër të “arsyes”.
Drita B. Loshi, gazetare
