Pejgamberi i Allahut ﷺ ka thënë:
“O Aishe, mos e kthe mbrapsht të varfrin, qoftë duke i dhënë edhe gjysmën e një hurme.
O Aishe, duaji të varfrit dhe afroji pranë vetes, sepse Allahu do të të afrojë pranë Tij në Ditën e Kiametit.”
Sahihut-Tirmidhi, nr. 2352.
Mesazhi dhe porosia e hadithit
Ky hadith na mëson të mos e refuzojmë nevojtarin, edhe kur mundësitë tona janë të pakta. Edhe një dhuratë e vogël, një pjesë ushqimi apo një ndihmë e thjeshtë mund të ketë vlerë të madhe tek Allahu.
Po ashtu, ai na porosit t’i duam të varfrit, t’i respektojmë, t’u afrohemi dhe të mos i nënçmojmë për shkak të gjendjes së tyre. Mëshira ndaj tyre është shkak që Allahu të na afrojë me mëshirën dhe nderimin e Tij në Ditën e Kiametit.
Ndarja e njerëzve në klasa ekonomike dhe shoqërore, përçmimi i të varfërve apo largimi prej tyre vetëm për shkak të gjendjes së tyre materiale, janë dukuri që kjo porosi pejgamberike i lufton. Islami nuk e mat vlerën e njeriut me pasurinë, pozitën apo prejardhjen e tij, por me devotshmërinë, moralin dhe veprat e mira.
Bekir Halimi
