12.6 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Kujdesi i tregtarit për ahiretin dhe imanin e vet – sipas Imam Gazaliut – PJESA E DYTË

Më të lexuarat

Myslimani të mos kufizohet me kaq, por ta përmend Allahun Teala edhe sa është në dyqan ose çarshi, duke thënë La ilahe ilallah ose Subhanallah.

Të përmendet Allahu në pazar, në mesin e gafilëve(pa vëmendje), është edhe më e vlefshme.

Resulallahu s.a.v.s., thotë:

“Ai që përmend Allahun kur është në mesin e gafilëve, është sikur ai që lufton në fushëbetejë kur të tjerët ikin, ose sikur i gjalli në mes xhenazeve”, e në version tjetër:

…sikur pema e gjelbër në mesin e pemëve të thara.”

Resulallahu s.a.v.s., gjithashtu thotë:

“Kush thotë në pazar:

– La ilahe ilallahu vahdehu la sherike leh. Lehulmulku ve lehul-hamdu, juhji ve jumitu, ve huve hajjun la jemetu, bi jedihil-hajr, ve huve ala kulli shej’in kadir,Allahu Teala i shkruan njëmijë sevape.”( Imam Ahmed bin Hambel) Ibn Omer, Salim b. Abdullah, Muhammed b. Vasi dhe të tjerë shkonin në pazar dhe bënin këtë dhikër vetëm që të përfitojnë vlerën e tij.

Hasan Basriu thotë:

“Kush e përmend Allahun në pazar, në Ditën e Gjykimit vjen për llogari para Allahut Teala me dritë si hënë e plotë dhe me një dëshmi si dielli, e ai që thotë Estagfirullah (kërkoj falje nga Allahu) kur është në pazar, Allahu i falë aq gjynahe sa ka njerëz aty.” Omeri r.a. duke hyrë në pazar, thoshte:

“Ja Allah, tek Ti kërkoj strehim nga kufri, fjalët boshe, dhe nga e keqja që është në çarshi. Allah, tek Ti kërkoj strehim nga beja e rreme dhe nga blerja që bën zarar.”

Ebu Xhafer el- Fergani tregon:

Ishim në mexhlisin e Xhunejdit. Njëri filloi të flasë për ata që kalojnë kohën në xhami duke imituar sufitë e që nuk kujdesen për obligimet e veta, dhe filloi t’i shajë ata që nuk kalojnë kohën në xhami, e shetisin nepër çarshi. Në këtë Xhunejdi tha:

– Sa shumë ka prej atyre në çarshi që, do të kishin të drejtë të hynë në xhami, t’i kapin për veshi disa që aty e t’i nxjerrin jashtë, dhe të ulen në vendin e tyre! E njoh njeriun që punon në çarshi, dhe falë treqind rekate namaz e thotë treqind herë ‘Subhanallah’.

E kuptova që fliste për vete, sepse dijetarët për vete flasin vetëm kur janë të detyruar.” Kjo është tregtia e atyre që me të sigurojnë të nevojshmen, jo bollëkun e dynjasë.

Si mund ta injorojë fitimin e ahiretit ai që dynjanë e kërkon vetëm që përmes saj të arrijë lumturinë e ahiretit? Ai sillet me devotshmëri në pazar, si në xhami a në shtëpi, e shpëtimi është në takvallëk.

Resulallahu s.a.v.s., thotë:

“Frikësohu nga Allahu Teala, kudo të jesh!”(Tirmidhiu nga Ebu Dherr, dhe e konsideron sahih.pra, obligimi për takva nuk hiqet nga ai që i kushtohet fesë, sido që t’i ndërrojë situata në jetë.)

Ai jeton me takvallëk, sepse aty gjenë tregtinë që i sjell fitim të përjetshëm.

Dikush ka thënë:

“Kush e do më shumë ahiretin, ai vërtetë jeton, e kush e do më shumë dynjanë, ai është i humbur.Ahmaku kalon ditën bosh, e i mençuri mendon për të metat e veta.”

  1. Mos ta dëshirojë së tepërmi çarshinë dhe tregtinë – në të mos të hyjë i pari e të dalë i fundit, e për të mos t’i kalojë oqeanet!

Këto të dyja nuk janë të lavdërueshme.Thonë se ai që për tregti kalon detëra, është lëshuar së tepërmi në kërkim të riskut, sepse edhe në hadith thuhet:

Në det udhëtohet veç për haxh e umre, a për luftë.”( Ebu Davud, nga Abdullah b. Amr. Thonë se ka sened të këputur.)

Abdullah b. Amr As r.a., ka thënë:

“Mos u bëj i pari që hyn në pazar, e i fundit që del prej aty! Në të banon shejtani, dhe aty shtrihet.” 

Nga Muadh b. Xhebel dhe Abdullah b. Omeri r.a., tregohet kjo:

“Iblisi i thotë djalit të vet, Zelenburit: – Shko me çetat tua te pazarxhitë, e shfaqjuni si të bukur gënjeshtrën, betimin, mashtrimin e intrigat dhe qëndro me atë që i pari hyn në të, e i fundit del nga aty’.”

Me hadith thuhet:

“Vendet më të sherrit janë pazaret dhe çarshitë, e më i keqi është ai që i pari futet në të, e i fundit del prej aty.”(Shënon Ebu Nuajm, në “Hurmetu’l-Mesacid’. Transmetim të ngjashëm ka edhe nga Ibn Abbas r.a..)

Mbrojtja më e mirë për myslimanin është të mos kalojë kufirin e mjaftueshmërisë së fitimit, e kur mbërrinë aty, t’i kthehet ahiretit.

Ashtu kanë vepruar myslimanët e mirë nga gjeneratat e para. E në mesin e tyre ka pasë edhe të tillë që, sapo kanë fituar dërhemin e parë janë larguar nga aty, të kënaqur.

Hammad b. Seleme shiste shamikoke për femra me një shportë që mbante përpara. Sapo i fitonte dy habbe (1/48 pjesë e dërhemit), e merrte shportën dhe shkonte.

Ibrahim b. Beshar tregon:

“I thashë Ibrahim b. Ed’hemit:

– A të punoj sot edhe me argjilë?, e ai m’u përgjigj:

– O i biri i Besharit, ti po kërkon e ty po të kërkojnë; ty po të kërkon ajo që nuk mund t’i ikësh, e ti po e kërkon atë që e ke me bollëk. A nuk e ke parë të pangopurin e privuar, dhe të dobëtin, e që ka mjaft?

I thashë:

– Te bakalli kam vetëm një dërhem, e ai ma ktheu:

– E, çfarë dëshiron më?

Disa prej tyre largoheshin nga pazari pas namazit të drekës, disa pas ikindisë, e kish edhe të atillë që punonin vetëm një ditë a dy në javë, e me kaq mjaftoheshin.

  1. Myslimani të mos kufizohet vetëm në largim nga harami, por të ketë kujdes edhe nga gjërat e dyshimta.

Në këtë nuk duhet të kërkojë mendimin e të tjerëve, por të dëgjojë zemrën e vet. Nëse në zemër ndjen parehati për diçka, le ta evitojë!

Nëse i sjellet mall me përmbajtje ose prejardhje të dyshimtë, le të pyes për të, sepse mund të përfundojë duke përdorur diçka të dyshimtë.

I sollën qumësht Resulallahut s.a.v.s., e ai pyeti: – Çfarë qumështi është ky?

– Qumësht deleje, i thanë, e ai pyeti:

– Ku e keni marrë delen?

– Nga filan vendi, iu përgjigjën.

Resulallahu s.a.v.s., e piu qumështin,e më pas tha:

– Neve pejgamberëve na është urdhëruar të ushqehemi vetëm me hallall, e të veprojmë vetëm mirë.(Taberani, nga Ummu Abdullah r.a.)

Resulallahu s.a.v.s., gjithashtu ka thënë: “Allahu Teala u ka urdhëruar besimtarëve atë që u ka urdhëruar edhe pejgamberëve (Muslimi, nga Ebu Hurejre r.a.), prandaj thotë:

‘O besimtarë! Hani nga ushqimet e lejuara që ju kemi dhënë…’ (2-Bekare: 172)

Resulallahu s.a.v.s., pyeste për prejardhjen e diçkaje, pastaj për prejardhjen e prejardhjes (pra për qumështin, pastaj delen) por nuk shkonte tutje, sepse pas kësaj është vështirë të hulumtohet.

Por Resulallahu s.a.v.s., nuk pyeste për gjithçka që i sillnin. Në librin për hallallin e haramin do ta shpjegojmë obligimin për një kontroll të tillë.

Tregtari obligohet të shohë me kë po bën shitblerje. Nuk do të bashkëpunojë me ata që është i njohur për padrejtësi, mashtrim, hajni apo kamatë.

Nuk bashkëpunon asnjëherë me tiranët dhe ushtrinë e tyre, e as me shokët dhe ndihmësit e tyre, sepse kjo është ndihmesë tiranisë.

Një person e kishte marrë për punë ngritjen e një muri të një kështjelle, dhe tregon:

“Në shpirt m’u lajmërua shqetësim, ani pse kjo llogaritet si punë e hairit, bile edhe si obligim i islamit. Por, emiri i kështjellës ishte zullumqar. E pyeta për këtë Sufjanin r.a., e ai më tha: – Mos iu ndihmo, as pak e as shumë. I thashë: – Por ky është mur për myslimanët, dhe është punë në rrugën e Allahut, e ai më tha:

-Po, ama ti më së paku do të bësh dua që emiri të qëndroj aty sa më gjatë, që të paguaj ty, e kështu do t’i dëshirosh jetë të gjatë atij që është kryengritës ndaj Allahut.”

E në hadith thuhet:

“Kush e lutë Allahun që zullumqarit t’i zgjatet jeta, ai ka dëshiruar që të shprehet kryengritja ndaj Allahut, në tokën e Tij.”( Ibn Ebi’d-Dunja në ‘Kitabu’s-Samt’, si thënie të Hasanit r.a..)

Në një tjetër hadith thuhet:

“Allahu zemërohet kur lavdërohet gjynahqari.”(Ibn Ebi’d Dunja në ‘‘Kitabu’s-Samt’, Ibn Adijj në ‘El-Kamil’, Ebu Ja’la dhe Bejhekiu në ‘Shuabu’l-Iman’ nga Enesi r.a.)

E edhe në një tjetër hadith:

“Kush shpërblenë gjynahqarin ndihmon rrënimin e islamit.”( I njohur me verzion tjetër nga Ibn Adijj prej Ajshes r.anha, Taberani në ‘Evsat’ dhe Ebu Nuajm në veprën ‘Hilje’, nga Abdullah b. Jusri.)

Shkoi Sufjan Sevri te Mehdiu, e ky po mbante një copë letre të bardhë në dorë, dhe i tha Sufjanit: – Ma jep shishen e bojës, dua të shkruaj diçka.

Ky i tha:

– Një herë më trego se çka do të shkruash, nëse është e vërtetë, ta jap.

Një udhëheqës kërkoi vulën nga një i ditur të cilin e kishte arestuar, për të vulosur një letër. Ky i tha:

– Një herë ti më jep letrën të shoh çfarë ka në të!

Kështu ata kujdeseshin që të mos ndihmojnë zullumqarin. Ndihma më e madhe atyre është nëse bëhet tregti me ta, prandaj besimtarët duhet të ikin nga të gjitha mënyrat e tregtisë me ta.

Shkurtimisht, tregtari duhet të ndajë njerëzit në dy kategori: ata me të cilët do të bashkëpunojë, dhe ata me të cilët nuk do ta bëjë këtë.

Ata me të cilët bashkëpunon, në këtë kohë, le të jenë më të pakët në numër se ata me të cilët nuk bashkëpunon.

Dikush pat thënë:

“Ishte një kohë kur njeriu shkonte në pazar e pyeste:

– Kënd ma preferoni për bashkëpunim?, e i thonin:

– Kë të duash!

Më pas erdh koha kur i thonin:

– Mos bashkëpuno me askë, përpos me filanin e filanin.

Frikësohem se do të vije koha kur nuk do të ketë as kaq.”

Duket se koha që i është frikësuar ky i urtë tashmë ka ardhur.

İnnâ lillâhî ve innâ ileyhi râciûn (Të gjithë jemi të Allahut, e të gjithë te Ai kthehemi!).

  1. Myslimani të ketë kujdes se si do të bashkëpunojë me secilin partner.

Në këtë rast, ai është që i përcjellë dhe pranon llogaritë, prandaj edhe le të përgaditet që për secilën vepër dhe fjalë të tij të jap llogari.

Thuhet se tregtari, në Ditën e Gjykimit, do të qëndrojë pranë secilit që i ka shitur diçka, dhe do të japë llogari për secilin prej tyre, veç e veç, sado që të jetë i madh numri i tyre.

Dikush ka treguar:

Pashë në ëndërr një tregtar, dhe e pyeta: – Çfarë bëri Allahu me ty?’, e ai m’u përgjigj: – Para meje u hapën pesëdhjetë mijë fletë, dhe pyeta: ‘A të gjitha këto janë gjynahe?’. Më thanë: ’Këto janë bashkëpunimet tua me të tjerët. Është shënuar secili njeri me të cilin ke bashkëpunuar në dynja’. Secili kishte fletën e vet, dhe aty të shënuar çfarë ka ndodhur mes meje e tij, prej fillimit deri në fund të bashkëpunimit tonë’.”

Ky është obligim i atij që fiton gjatë bashkëpunimit me tjerët, e lidhur me drejtësi, bamirësi dhe kujdes për fenë.

Nëse kufizohet në drejtësi, do të jetë njëri nga të mirët.Nëse kësaj ia shton edhe bamirësinë, do të jetë një nga ata që janë afër Allahut.

E nëse, bashkë me të gjitha këto, kujdeset edhe për obligimet të fesë, ashtu siç u përshkrua në kapitullin e pestë, do të jetë një nga siddikët, e Allahu e di më së miri se çka është e drejtë.

Hamd Allahut që me mirësinë e Tij, këtu përfundon ‘Kitabu Âdâb’il-Kesb ve’l-Meâsh’ (Libri mbi rregullat e sjelljes gjatë fitimit dhe sigurimit të jetesës).

Burimi: Rregullat e sjelljes gjatë fitimit dhe sigurimit të jetesës, Imam Gazaliu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit