Kryeministri i Katarit: Sulmi izraelit është “terrorizëm shtetëror”, nuk do të lejojmë cenim të sovranitetit

Më të lexuarat

Kryeministri dhe njëherazi Ministri i Jashtëm i Katarit, sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, e cilësoi sulmin izraelit të së martës në Doha si një akt “tradhtie” dhe “terrorizëm shtetëror”. Në një konferencë për shtyp mbrëmjen e djeshme, ai theksoi se Katari nuk do të tolerojë shkelje të sovranitetit dhe do të përgjigjet me vendosmëri ndaj çdo kërcënimi të sigurisë.

“Katari ruan të drejtën për t’iu përgjigjur këtij sulmi të hapur,” u shpreh kryeministri, duke shtuar se autoritetet e sigurisë reaguan menjëherë, identifikuan viktimat dhe po menaxhojnë pasojat e sulmit.

Sheikh Mohammed theksoi se “ajo që ndodhi sot nuk është thjesht shkelje e ligjeve ndërkombëtare, por edhe dhunim i çdo norme morale”, duke paralajmëruar se mesazhi i Izraelit është një sinjal i rrezikshëm për gjithë rajonin. Ai bëri të ditur gjithashtu krijimin e një ekipi ligjor që do të ndjekë të gjitha hapat e nevojshëm ndërkombëtarë për të mbrojtur Katarin.

Akuza të drejtpërdrejta ndaj Izraelit

Kreu i qeverisë së Katarit mbajti përgjegjës personalisht kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për përshkallëzimin e dhunës. “Netanyahu po e çon rajonin drejt një pike pa kthim. Duhet një përgjigje e bashkuar ndaj barbarisë së tij. Nuk mund të lejohet që veprimet e Izraelit të kalojnë pa masa konkrete”, deklaroi ai.

Sipas tij, sulmi minoi përpjekjet diplomatike të ndërmjetësuara nga Katari me kërkesë të Shteteve të Bashkuara. “Doha nuk kurseu asnjë përpjekje për suksesin e negociatave, por pas këtij sulmi, asgjë nuk ka më vlerë. Historia do ta shënojë këtë incident dhe ligji ndërkombëtar duhet ta trajtojë me seriozitet,” tha sheikh Mohammed.

Reagimi i Shteteve të Bashkuara

Ai konfirmoi se presidenti amerikan Donald Trump bisedoi me Emirin e Katarit menjëherë pas sulmit, duke dënuar agresionin izraelit dhe duke theksuar se “sulmi nuk është kryer në koordinim me Shtetet e Bashkuara”.

Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al Ansari, hodhi poshtë lajmet se Doha ishte njoftuar paraprakisht për sulmin.

Viktimat e sulmit

Sipas të dhënave zyrtare, Izraeli dështoi të eliminonte delegacionin e Hamasit që ndodhej në Doha për negociata. Megjithatë, në sulm humbën jetën gjashtë persona: djali i udhëheqësit të lëvizjes, Khalil al-Hayya, drejtori i zyrës së tij, tre shoqërues dhe një pjesëtar i forcave të sigurisë së brendshme të Katarit.

/Burimi: Al Jazeera/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit