Kosovë, shtetasit turq më 9 prill do të votojnë për “ndryshimet kushtetuese”

Më të lexuarat

Më 9 prill, shtetasit turq do të mund të votojnë për ndryshimet kushtetuese në Turqi, në dy qytete të Kosovës, në Ambasadën e Turqisë në Prishtinë dhe në Konsullatën e Përgjithshme të Turqisë në Prizren

PRIZREN (AA)- Më 9 prill, ditën e diel, 1275 shtetas turq të regjistruar do të mund të votojnë për referendumin rreth ndryshimeve kushtetuese në Turqi, në Ambasadën e Republikës së Turqisë në Prishtinë, si dhe në Konsullatën e Përgjithshme në Prizren.

Në një deklaratë për Anadolu Agency (AA), përgjegjësi i qendrës koordinuese të zgjedhjeve në Kosovë të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Orhan Vardar, foli rreth referendumit në Turqi dhe punën e bërë për t’u takuar me votuesit në Kosovë.

Vardar, duke bërë të ditur se në Kosovë janë 1275 votues shtetas turq, tha se përgjatë kohës që ndodhen në Kosovë kanë punuar për të arritur tek të gjithë votuesit një nga një dhe që kanë dhënë informacione lidhur me Turqinë.

“Për këtë arsye përgjatë 3 ditëve ne kemi shkuar në vendet si Prishtina, Mitrovica, Vushtrria, Dobërçani dhe Mamusha, ku kemi takuar votuesit dhe i kemi njoftuar lidhur me referendumin në Turqi dhe për atë se pse duhet të thonë ‘PO’”, tha Vardar.

Duke theksuar se ka arsye të shumta për të votuar pro ndryshimeve kushtetuese, Vardar tha se një Turqi e fuqishme do të thotë një Kosovë e fuqishme.

“Për ta përjetësuar vëllazërinë mes Turqisë dhe Kosovës, ne duke ardhur këtu patëm vendosur për sloganin ‘Turqia është më e madhe se Turqia”. Me këtë ne themi se Turqia pa Kosovën dhe Kosova pa Turqinë mbetet e mangët dhe i thërrasim të gjithë votuesit tanë që në kutitë e votimeve të thonë ‘Po’”, tha Vardar.

Kurse, kryetari i Komunës së Mamushës, Arif Bütüç duke folur për AA, u bëri thirrje si shtetasve turq në Kosovë ashtu edhe kosovarëve migrantë në Turqi për të votuar pro, duke theksuar se “Një Turqi e fortë do të thotë një Ballkan dhe një Kosovë e fortë”.

Bütüç po ashtu tha se “Presidenti i Turqisë është një president që i përqafon të gjithëve, dhe unë posaçërisht i ftoj të gjithë vëllezërit tanë migrantë që të shkojnë të votojnë pro, sepse kjo votë në një mënyrë do të jepet edhe për Kosovën”.

Të dielën, më 9 prill, duke filluar nga ora 9:00 deri në orën 21:00, shtetasit turq do të mund të votojnë për ndryshimet kushtetuese në Turqi, në dy qytete të Kosovës, në Ambasadën e Turqisë në Prishtinë dhe në Konsullatën e Përgjithshme të Turqisë në Prizren.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit