20 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Koment – A do të jetë Rusia karta fituese për Gjeneralin Haftar në Libi?

Më të lexuarat

Një analizë në lidhje me krizën libiane dhe përpjekjet e Gjeneralit Khalifa Belqasim Haftar për të siguruar mbështetje ushtarake nga Rusia…

 

Në analizat tona të mëparshme rreth krizës në Libi kemi folur për Marrëveshjen Politike Libiane (LPA), e cila u arrit si rezultat i bisedimeve të grupit të Dialogut Politik Libian; për Qeverinë e Paktit Kombëtar(GNA), e cila u formua përmes marrëveshjes së sipërcituar dhe nisi punimet në Tripoli duke filluar që nga muaji prill 2016; si dhe për problemet e shumta dhe mjaft serioze, me të cilat Qeveria e Paktit Kombëtar po përballet ende për të vendosur autoritetin e saj pavarësisht se forcat e milicisë, që e kanë njohur atë zyrtarisht, kanë nisur operacionet për dëbimin e DAESH-it fillimisht nga qyteti Sirte dhe pastaj nga të gjitha territoret e Libisë. Në krye të problemeve në fjalë, të cilat formojnë një listë tepër të gjatë, renditet Dhoma e Përfaqësuesve me seli në Tobruk, një organ ky që këmbëngul të mos shpërbëhet edhe pse misionit të tij i ka skaduar tashmë afati zyrtar. E ashtuquajtura qeveri e Dhomës së Përfaqësuesve në Tobruk, si dhe komandanti i forcës ushtarake të saj, Gjenerali Khalifa Belqasim Haftar, rezultojnë pengesa më e madhe përpara Qeverisë së Paktit Kombëtar dhe Marrëveshjes Politike Libiane. Madje Gjenerali Haftar, që po konsolidon çdo ditë e më shumë pushtetin e tij në pjesët lindore të vendit, duket se ka për qëllim të themelojë një qeverisje ushtarake në atë zonë të Libisë.

Faktor tjetër i rëndësishëm, që pengon përpjekjet për unitet në këtë vend, është mospërputhja me njëra-tjetrën e politikave për Libinë të aktorëve jashtëlibianë, të cilët punojnë për të mbledhur grupet politike libiane rreth tavolinës së bisedimeve për arritjen e zgjidhjes. Vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Italia, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite dhe madje Turqia, të cilat tentojnë të influencojnë zhvillimet e sotme në Libi, nuk kanë një politikë të përbashkët apo të integruar për Libinë. Kjo situatë, pavarësisht se secili prej tyre njohin të njëjtën qeveri dhe e pranojnë atë si autoritet zyrtar, për pasojë bën që ato të mbështesin aktorë libianë të ndryshëm dhe, rrjedhimisht, të pengojnë orvatjet për të siguruar bashkimin kombëtar.

Nga ana tjetër, edhe pse po konsolidon çdo ditë e më shumë pushtetin e tij në pjesët lindore të vendit, Gjenerali Khalifa Belqasin Haftar nuk është i kënaqur nga gjendja aktuale. Mbështetja flagrante e Egjiptit dhe e Emirateve të Bashkuara Arabe, si dhe asistenca e maskuar e Francës dhe e Arabisë Saudite, nuk mjaftojnë që Gjenerali Haftar të arrijë sa më parë një zgjidhje siç ai vetë ka dëshirë.

Ushtaraku i lartë beson se një ndërhyrje aktive e Rusisë në krizën libiane, ashtu si dhe në rastin e Sirisë, do të luante një rol të atillë që do të ndryshonte rrjedhën e lojës. Pikërisht për të fituar një mbështetje të hapur ruse, Haftari realizoi pak ditë më parë vizitën e tij të dytë në Rusi brenda këtij viti.

Arsyeja, që e shtyu atë për realizuar këtë vizitë të dytë, ishte fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane. Mes faktorëve motivues, të cilët e orientojnë gjeneralin libian të ndërmarrë një manovër të tillë, renditen deklaratat e Trumpit rreth politikës së re për Lindjen e Mesme, këndvështrimi i tij në lidhje me kategorizimin e të gjithë myslimanëve si terroristë, si dhe fjalimet në shenjë pohimi të Sisit dhe Putinit. Haftari mendon se gjatë presidencës Trump mund të krijohet terreni i përshtatshëm për një bashkëpunim të ri SHBA-Egjipt-Rusi në Lindjen e Mesme. Dhe rrjedhimisht ka arritur në përfundimin se preferenca libiane e një aleance të tillë do të jetë qeveria e Tobrukut. Prandaj gjenerali shkoi në Moskë për t’u kërkuar rusëve mbështetje ushtarake duke përfshirë këtu armatime dhe trajnime.

Në rast se Moska vendos që të mbajë anën e njërës prej palëve konfliktuale në Libi, atëherë s’ka asnjë pikë dyshimi se kjo do të ketë me të vërtetë një efekt kolosal, që ndryshon rrjedhën e lojës. Mirëpo a do të bëjë vallë Moska një zgjedhje të tillë?

Ndryshe nga qëndrimi i saj në lidhje me Sirinë, deri më sot Rusia i është shmangur përfshirjes në problemin libian dhe nuk e ka përdorur veton e saj kundër asnjë rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Libinë. Rusia ka mbështetur gjithashtu bisedimet e dy viteve të fundit të Dialogut Politik Libian dhe marrëveshjen e arritur si rezultat i tyre. Madje ka njohur edhe Qeverinë e Paktit Kombëtar. Megjithatë dihet botërisht që në të vërtetë Moska ushqen simpati për Gjeneralin Haftar dhe qeverinë e Tobrukut. Pozicioni i Rusisë në lidhje me krizën libiane duket sikur ngjan më tepër me atë të Francës, Egjiptit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Gjatë takimit të tij me ministrin rus të Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, komandanti i trupave libiane të Dhomës së Përfaqësuesve u mundua të përdorë kartën e terrorizmit, si një armik i përbashkët, për të siguruar nga Moska mbështetjen ushtarake shumë të dëshiruar prej tij. Por zëdhënësi zyrtar i Kremlinit nuk ka deklaruar ende deri më sot se Rusia do të japë një asistencë ushtarake të tillë. Përkundrazi, zëdhënësi ka theksuar se Rusia është në kontakt me grupe politike të ndryshme në Libi dhe se takimet me Gjeneralin Haftar janë një pjesë e këtij procesi. Madje dhe lajmi i agjencisë zyrtare ruse të lajmeve mbi takimin Lavrov-Hafter nuk kishte as gjurmën më të vogël për dhënien e mbështetjes së kërkuar. Shefi i diplomacisë ruse i kishte komunikuar qartazi ushtarakut të lartë libian se Moska është mbështetëse e fuqishme e përpjekjeve për arritjen e paktit kombëtar në Libi sipas rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Donald Trumpi, nga ana e tij kishte kritikuar shpeshherë gjatë fushatës elektorale administratën Obama dhe Hillary Clintonin për shkak të politikës së Uashingtonit në lidhje me Libinë. Po ashtu miliarderi republikan, që flet vazhdimisht me lëvdata për Vladimir Putinin, kishte nënvizuar se kur të merrte drejtimin e Shtëpisë së Bardhë nuk kishte ndërmend të luftonte me Rusinë, por të bashkëpunonte me të për Lindjen e Mesme. Ja pra, kjo është arsyeja që simpatizantët e Haftarit e vlerësuan fitoren e Trumpit si një zhvillim pozitiv për interesat e tyre dhe madje e festuan atë sikur të ishin republikanë amerikanë. Sipas tyre, Trumpi do të gjente gjuhën e përbashkët me Abdel Fattah el-Sisin për krizën libiane, do të bashkëpunonte me Rusisë në rajon, s’do të kundërshtonte një rol aktiv të Moskës në konfliktin aktual të Libisë dhe natyrisht që ky rol do të ishte në formën e mbështetjes politiko-ushtarake për qeverinë me seli në Tobruk dhe njësitë ushtarake të komanduara nga Gjenerali Haftar.

Me sa arrijmë të kuptojmë nga deklaratat zyrtare të Kremlinit, për momentin Rusia mbështet përpjekjet ndërkombëtare nën drejtimin e OKB-së për të siguruar pajtimin kombëtar në Libi. Mirëpo, siç kanë treguar edhe zhvillimet në Siri, për Moskën nuk është problem të mos jetë në konsensus me komunitetin ndërkombëtar. Krizat në Ukrainë dhe Siri kanë vërtetuar se, po të jetë e nevojshme, Rusia nuk ka ndrojtje për t’u paraqitur të tjerëve zgjidhjen e saj si një alternativë, mbi të cilën duhet të diskutohet seriozisht.

Ç’është e vërteta, situata e sotme në Afrikën Veriore dhe dobësia apo paaftësia e vendeve perëndimore për të prodhuar politika në përputhje me njeri-tjetrin është duke ndërtuar për Rusinë një terren të përshtatshëm edhe në Libi. Por Moska nuk dëshiron të shtrihet përtej mundësive dhe fuqisë së saj. Shkurtimisht, Rusia nuk ka një ambicie kaq të sëmurë, saqë të humbasë edhe atë që ka në dorë. Ajo është e vetëdijshme për fuqinë e saj dhe i zgjat këmbët sa ka jorganin.

 

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit