Shtabi ushtarak iranian “Khatam al-Anbiya” paralajmëron se çdo anije që tenton të kalojë përmes rrugës ujore strategjike do të jetë objektiv
Shtabi ushtarak iranian “Khatam al-Anbiya” njoftoi mbylljen e plotë të Ngushticës së Hormuzit për të gjitha anijet, mes tensioneve dhe armiqësive në rritje në rajon, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të transmetuar nga televizioni shtetëror iranian, shtabi tha se rruga ujore strategjike ishte mbyllur për të gjithë trafikun, përfshirë cisternat e naftës dhe anijet tregtare, për shkak të asaj që e përshkroi si mungesë sigurie në rajon.
Ai paralajmëroi se “çdo lëvizje” përmes ngushticës do të jetë objektiv. Deklarata tha se vendimi erdhi pas asaj që e përshkroi si “agresion të vazhdueshëm amerikan” dhe sulmeve të fundit amerikane ndaj zonave në provincën jugore iraniane Hormozgan.
“Khatam al-Anbiya” hodhi poshtë gjithashtu pretendimet amerikane lidhur me vazhdimin e kalimit të anijeve përmes ngushticës. Veçmas, Autoriteti i Menaxhimit të Rrugëve Ujore të Gjirit Persik (PGSA) tha në një postim në X se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur deri në një njoftim të dytë.
“Për shkak të tensioneve të krijuara nga forcat agresore amerikane në rajon dhe deklaratës së lëshuar mbrëmë nga forcat e armatosura të Iranit, Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur deri në një njoftim të dytë”, tha autoriteti.
Ai shtoi se aplikantët që tashmë kanë marrë leje tranziti duhet të tregojnë durim dhe të presin udhëzime të mëtejshme nga autoriteti. Zhvillimet erdhën pasi mediat iraniane raportuan shpërthime, aktivitet të mbrojtjes ajrore dhe sulme ajrore në pjesë të Iranit jugor, përfshirë Bandar Abbas, Minab, Jask, Qeshm dhe Sirik.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) më herët njoftoi se forcat amerikane kishin ndërmarrë sulme shtesë “vetëmbrojtëse” kundër objektivave të shumta në Iran.
