7.7 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Koeficienti 105 euro, pagat e shkurtit në Kosovë dalin sipas Ligjit të ri

Më të lexuarat

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2023, ku përfshihet edhe koeficienti prej 105 euro.

Me këtë mundësohet që në mars pagat e muajit shkurt të dalin bazuar në koeficientin e ri.

Janë miratuar në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin e Buxhetit për vitin 2023. Me to parashihet që koeficienti për pagat të jetë 105 euro. Pas këtij miratimi, pagat në sektorin publik të muajit shkurt do të dalin bazuar në Ligjin e Pagave.

Në mbrëmjen e së enjtes, 63 deputetë të Kuvendit të Kosovës i thanë “po” koeficientit 105 euro. Ligji u miratua në procedurë të përshpejtuar. Pasdite u miratua në parim e në mbrëmje në lexim të dytë.

Gjatë debatit, opozita propozoi ngritje të vlerës së koeficientit deri në 132 euro, por nuk mori mbështetjen e shumicës.

Më 1 shkurt, Qeveria miratoi koeficientin në vlerë prej 105 eurosh. Ligji i Pagave rregullon çështjen e pagave për mbi 82 mijë punëtorë të sektorit publik. Megjithatë, ka pasur pakënaqësi te disa sektorë. 18 ankesa janë deponuar tek Avokati i Popullit që të ankohet në Gjykatën Kushtetuese.

Për të llogaritur pagën duhet shumëzuar vlerën e koeficientit me koeficientin. Pra pasi që vlera e koeficientit është 105 euro, zyrtari që ka pagë në koeficient 5 do të marrë pagë 525 euro bazë, pa llogaritur shtesat.

Në Ligjin për Paga janë 136 nivele të koeficienteve, me raport prej 2 në 18.

Koeficienti më i lartë, 18, i takon vetëm presidentit të Kosovës, derisa më i ulëti është 2 dhe ai iu takon pozitave për rekrut/kadet të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kadet policor, doganor dhe korrektues.

Ditë më parë nga Avokati i Popullit bën të ditur për Telegrafin se janë pranuar 18 ankesa kundër Ligjit për pagat në sektorin publik.

“Deri më tani, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka pranuar 18 (tetëmbëdhjetë) ankesa kundër Ligjit për Paga në sektorin publik”, thuhet në përgjigjen e Avokatit të Popullit.

Ky institucion shton se ankesat kanë ardhur nga sektorë të ndryshëm.

“Ankesat kanë ardhur nga sektorë të ndryshëm, si nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, auditorë të brendshëm, zyrtarët komunal të arsimit të Komunës së Prizrenit, Shoqata Sindikale e Shërbimit Sprovues të Kosovës, nga organizata Instituti Kosovar i Drejtësisë (IKD), infermierët, mjekët që punojnë në Ministrinë e Shëndetësisë, laborantë të lartë mjekësor, Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës, Sindikata e Policisë së Kosovës, Komisioni Qendror Zgjedhor, Qendra për pajisje të dokumenteve, Shoqata e Instrumentarëve të Kosovës”.

Ndërsa, nga Gjykata Kushtetuese të mërkurën thanë se nuk kanë pranuar asnjë kërkesë nga Avokati i Popullit.

Më 22 dhjetor 2022, Ligji për Paga ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës, i cili parasheh ndryshim të pagave për punëtorët e sektorit publik, ndërsa më 4 janar ishte dekretuar nga Presidenca.

Opozita ka kërkuar që koeficienti i pagave të mos jetë më i vogël se 120 euro.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit