Imam Albani – Allahu e mëshiroftë – ka thënë:
Unë të këshilloj ty dhe të gjithë të rinjtë e tjerë që, sipas asaj që duket për ne – e Allahu e di më mirë – ecni në një drejtim të gabuar: mos e humbni kohën tuaj duke kritikuar njëri-tjetrin, duke thënë “filani tha kështu” e “filani tha ashtu”; sepse, së pari, kjo nuk ka të bëjë aspak me diturinë, dhe së dyti, një mënyrë e tillë ndez zemrat, mbjell urrejtje dhe armiqësi mes njerëzve.
Ju duhet të merreni me dijen, sepse është dija ajo që do të sqarojë nëse ky fjalim në lavdërim të dikujt, i cili ka shumë gabime, është i drejtë apo jo. Për shembull: a kemi të drejtë ta quajmë atë njeri “i pasues i bidatit”? Dhe për rrjedhojë, a është ai “bidatçi”? Ç’na duhet të futemi në këto thellime? Unë këshilloj të mos hyni në këto thellime, sepse, në të vërtetë, sot ne vuajmë nga përçarja që ka lindur ndër ata që i përkasin thirrjes së Librit dhe Sunetit – ose siç themi ne, thirrjes selefite.
Kjo përçarje – e Allahu e di më mirë – shkakun më të madh e ka tek egoja dhe dëshirat e këqija të vetes, jo tek dallimet në disa mendime apo çështje intelektuale. Kjo është këshilla ime.
⸻
Ndërhyrje nga një dëgjues:
O shejh ynë! Pamja është shumë e zymtë për sa ndodh sot mes të rinjve në shumë vende të botës. Ne nuk dyshojmë se ka të devijuar, të gabuar dhe pasues bidatesh, por në shumë raste përballja ka marrë formë personale, dhe është kthyer në përplasje për fjalë e thashetheme. Të rinjtë nuk e kuptojnë se çfarë pasoja ka kjo: humbje kohe, nxitje urrejtjeje mes tyre. Ata – edhe pse jemi të bindur se e kanë të drejtën – shumë prej tyre kur i pyes: “Sa pjesë të Kuranit di përmendësh?” më përgjigjet: “Më pak se tre xhuzë.” Pastaj e pyes: “Sa kohë ke që diskuton për këtë çështje?” – “Tre vjet,” thotë! Tre vjet duke u marrë me diskutime të tilla: “Ky është bidatçi, ky nuk është, ky është qafir, ky jo, ky është zindik, ky jo, ky devijoi, ky jo…” Dhe ndoshta dikush vërtet ka devijuar, por ata e kalojnë masën, ndërsa kur dikush u thotë se kjo është humbje kohe, menjëherë mendojnë se ai është me “ata të tjerët”! Është gjë e çuditshme, sepse ai thjesht dëshiron t’i këshillojë.
Një i ri shtatëmbëdhjetëvjeçar, që di shumë pak, tani hyn të diskutojë çështje shumë të thella, për të cilat edhe vetë Ibn Tejmijeja dhe nxënësit e tij do të ishin të kujdesshëm dhe të matur, ndërsa këta të rinj nxitohen t’i trajtojnë. Ne duam një udhëzim për raste të tilla.
⸻
Shejhu:
Shpesh më pyesin: “Ç’mendim ke për filanin?” – e unë kuptoj menjëherë se ai është ose me të, ose kundër tij. Ndoshta ai për të cilin pyesin është prej vëllezërve tanë, ndoshta edhe prej vëllezërve tanë të vjetër, për të cilin thuhet se është devijuar.
Unë i këshilloj pyetësit: “O vëlla! Ç’të duhet ty për Zaidin, Bekrin apo Amrin? Ji i drejtë, ashtu siç të është urdhëruar, mëso dije, sepse dija do të të bëjë të dallosh të drejtin nga i gabuarit, të mirin nga i keqi.”
Dhe mos e urre vëllanë tënd mysliman vetëm pse – nuk po them që gaboi – por vetëm pse u shmang në një çështje apo dy, apo tre, ndërkohë që në shumë të tjera është i drejtë. Ne e shohim edhe tek imamët e hadithit, që pranonin hadithin e dikujt për të cilin në biografinë e tij thuhej se ishte murxhi, apo kharixhi, apo nasibi, etj.
Këto të gjitha janë mangësi dhe devijime, por ata kishin një peshore me të cilën gjykonin: nuk e linin një apo dy të këqija të mbizotëronin mbi të gjitha të mirat. Ndër ato të mira më të mëdha është dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij.
Burimi: Silsiletu el-Hedi ue en-Nur – kaseta nr. 784.
