13.1 C
Pristina
Thursday, May 2, 2024

‘Kanabisi më vrau djalin’: Historia e trishtë e një nëne

Më të lexuarat

Një mësuese e dalë në pension ka vendosur të bëjë një tur nëpër shkollat britanike, me qëllim ndërgjegjësimin e të rinjve për rrezikun e kanabisit.

Edhe pse janë të shumtë ata që thonë se kjo është një drogë e padëmshme, Janie Hamilton thotë se humbi djalin e saj 36-vjeçar nga kjo drogë.

James ndërroi jetë për shkak të kancerit testikular, pasi refuzoi kimioterapinë.

Vdekja e tij u regjistrua si e shkaktuar pjesërisht nga skizofrenia. Familja beson se kjo i ka ardhur për shkak të varësisë ndaj kanabisit.

Personaliteti i James ndryshoi në mënyrë dramatike pasi nisi të merrte kanabis në moshën 14-vjeçare.

Më vonë ai pranoi përpara familjes se e dinte se kanabisi shkaktonte sëmundje mendore, por nuk ndahej dot prej tij.

Zonja Hamilton, e shoqëruar nga policia, tashmë ka nisur takime ndërgjegjësimi për këtë drogë.

Ish-mësuesja e muzikës thotë se kërkon që të shpjegojë tek të rinjtë se kanabisi është vdekjeprurës.

“Është si një ruletë ruse. Të rinjtë nuk e kuptojnë se çfarë po rrezikojnë duke eksperimentuar”.

65-vjeçarja thotë se djali i saj ishte brilant, ëndërronte të bëhej gazetar dhe shkonte në një shkollë private.

Kur ishte 14 vjeç, nisi të dilte me djemtë jashtë shkollës. Një prej tyre mendohet se nisi t’u ofronte hashash.

“Ne nuk e kuptuam që po merrte drogë. Mendoj se psikoza i nisi atëherë. Ishte fytyrëngrirë dhe i çuditshëm”.

Ai merrte drogë në fundjavë, më pas edhe në mesjavë. Kjo bëri që të binte në mësime dhe të mos arrinte të futej në Universitetin Durham.

Në banesën e prindërve ai nisi të bëhej paranojak dhe i tërhequr. Prindërit thonë se ai nisi të dëgjonte zëra. Dhoma e tij ishte plotësisht bosh, përveç një kolltuku.

Një mbrëmje u kthye duke bërtitur: “Jam i lirë, jam i lirë”.

Një mjek e kontrolloi dhe ai u diagnostikua me skizofreni. Për 16 vite ai e kaloi kohën brenda dhe jashtë spitalit.

Në vitin 2014 u diagnostikua me kancer testikular, por refuzoi të kurohej. Ai u kërkoi mjekëve që të mos i tregonin familjes.

Kur këta e morën vesh, ishte tepër vonë.

“Në ditët e fundit të jetës u sëmur edhe me pneumoni. Kur e pyesja se çfarë mund të bëj për ty, thjesht më thoshte: Më përqafo”, tregon e ëma.

“Kur luftoj për të shpëtuar të rinjtë e tjerë, më duket se diçka e mirë mund të dalë nga vuajtja e tim biri”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit