Rrëfimi drithërues i nënës së vogëlushes palestineze, Somaya Nassar, mësuese në Gaza
Kur filloi gjenocidi në Gaza, vajza ime Noor ishte ende tre muajshe në barkun tim. Ajo lindi në prill të vitit 2024 në kushtet më të vështira të një rrethimi mbytës. E quajta Noor (Nur në shqip), që do të thotë dritë, me shpresën se do të më udhëhiqte nëpër errësirën që rrethonte Gazën.
Në mes të shtatorit, familja ime u zhvendos në një shtëpi në Deir Al-Balah, duke besuar se ishim në një “zonë të sigurt”. Mëngjesin e 23 shtatorit 2025, e përgatita Noorin të takonte gjyshërit e saj. Papritmas, një shpërthim i fuqishëm tronditi gjithçka. E thirra emrin e saj me dëshpërim derisa dëgjova tim shoq: “Ndihmë! Noor-i, shpejt!”.
E gjetëm të shtrirë përtokë; kishte rënë nga kati i tretë kur ndërtesa u bombardua. Trupi i saj i vogël nuk lëvizte dhe nuk kishte shenja gjaku. Xhaxhai i saj ndjeu një rrahje të lehtë zemre. Me ndihmën e një fqinji, e dërguam me urgjencë në spitalin Al-Aksa.
Mjeku na shikoi me një heshtje që paralajmëronte humbjen. Noor qëndroi 12 ditë në kujdesin intensiv, e rrethuar nga tuba dhe makineri. Kafka e saj ishte çarë dhe kishte gjakderdhje të brendshme.
Edhe pse mbijetoi, kostoja ishte shkatërruese: dëmtimi në tru bëri që Noor të humbiste shikimin dhe aftësinë për të lëvizur. Sytë e saj e humbën dritën dhe trupi tregonte historinë e një fëmijërie të vjedhur.
Kur u shpall armëpushimi më 10 tetor, nuk mund të gëzohesha. Shtëpia jonë ishte shkatërruar që në vitin 2024. Pa mundësi trajtimi në spital, u kthyem në një tendë në kampin e zhvendosjes. Tani qëndroj e pafuqishme para vuajtjeve të saj.
Ajo qan vazhdimisht dhe thërret “Mami!” çdo pak sekonda për t’u siguruar që jam aty. Ekziston një fije shprese: mjekët besojnë se ajo mund të shërohet me trajtim neurologjik jashtë vendit. Kemi muaj që presim me dokumente gati, por kalimi në Rafah mbetet i bllokuar.
Jeta e Noorit është tërësisht në mëshirën e ushtrisë izraelite, ndërsa ne presim një shans për t’i rikthyer dritën…tesheshi.com/
