Ushtria izraelite njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore po punojnë për të interceptuar një “kërcënim” që vjen nga Irani, duke u bërë thirrje qytetarëve të respektojnë udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm. Kjo ndodhi ndërsa sirenat e alarmit u dëgjuan në zona të gjera të veriut të Izraelit pas lëshimit të raketave.
Mediat izraelite raportuan se në pjesën qendrore të vendit u dëgjuan shpërthime, ndërsa Kanali 12 njoftoi se u lëshuan katër raketa, të cilat u interceptuan. Ushtria izraelite tha gjithashtu se kishte zbuluar një valë tjetër raketash në drejtim të Izraelit.
Komanda e Frontit të Brendshëm konfirmoi aktivizimin e sirenave në Golan, Tiberiadë (Tabariyya), Safed, Afula, Nazaret, Karmiel dhe në jug të Haifës.
Mbyllja e shkollave dhe kërcënimet për kundërpërgjigje
Sipas Kanalit 12, ministri izraelit i Arsimit vendosi mbylljen e shkollave në të gjithë Izraelin për ditën e nesërme, për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë.
Kanali citoi një zyrtar izraelit të ketë thënë se Irani po përpiqet të imponojë një “ekuacion të ri”, duke theksuar se Izraeli nuk mund ta lejojë këtë.
Po ashtu, Korporata Izraelite e Transmetimit raportoi, duke cituar burime të saj, se Tel Avivi po përgatitet t’i përgjigjet sulmeve të fundit me raketa nga Irani, gjë që mund të çojë në një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve.
Ndërkohë, faqja Axios citoi një zyrtar izraelit që konfirmoi se Izraeli do t’i përgjigjet sulmit të fundit iranian. Një zyrtar amerikan tha se presidenti amerikan Donald Trump është informuar për zhvillimet dhe tensionet në rritje midis Iranit dhe Izraelit.
Paralajmërimet iraniane
Nga ana tjetër, komandanti i Shtabit “Khatam al-Anbiya” në Iran paralajmëroi se Irani do të nisë “sulme shkatërruese” kundër Izraelit dhe mbështetësve të tij nëse operacionet ushtarake zgjerohen në Liban ose nëse ka reagime ndaj veprimeve të fundit iraniane.
Ai u bëri thirrje izraelitëve të ndalin sulmet ndaj jugut të Libanit dhe periferisë jugore të Bejrutit, duke theksuar se Teherani kishte paralajmëruar më herët se do të godiste territoret e pushtuara nëse sulmet vazhdonin ose zgjeroheshin.
Gjithashtu, komandanti i Forcës Ajrore-Hapësinore të Gardës Revolucionare Iraniane deklaroi: “Premtimi është përmbushur.”
Ky përshkallëzim vjen pas kërcënimeve të mëparshme iraniane për t’iu kundërpërgjigjur sulmit që goditi periferinë jugore të Bejrutit, ku sipas të dhënave paraprake pati viktima. Kjo ndodh në një kohë kur tensionet vazhdojnë, pavarësisht armëpushimit të brishtë që është në fuqi që nga prilli i kaluar.
Po ashtu, zëdhënësi i Komisionit për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme në Parlamentin iranian, Ibrahim Rezaei, deklaroi të dielën se Izraeli do të përballet me një përgjigje për sulmin ndaj periferisë jugore të kryeqytetit libanez, Bejrut.
Burimi: Al Jazeera.
