9.5 C
Pristina
Monday, May 6, 2024

Imami i Aarburgut, Nehat ef. Ismaili, ndërpret bashkëpunimin me EOIC-në

Më të lexuarat

Imami shqiptar nga Aarburgu, njëherësh edhe kryetar i Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër (UISHZ), z. Nehat ef. Ismaili, vendosi të largohet nga Organizata Evropiane për Qendrat Islame (EOIC) me seli në Gjenevë.
Në prononcimin zyrtar të tij ai deklaron:

“Nisur nga qëllimi i mirë për bashkëpunim me të gjitha organizatat islame dhe të tjera, të themeluara në mënyrë juridike, me status dhe me objektiva të qarta për të dhënë kontribut pozitiv në shoqëri, vitin e kaluar unë u anëtarësova në Organizatën Evropiane për Qendrat Islame(EOIC) me seli në Gjenevë, me kërkimin e disahershëm të kryetarit të saj z. Ziane Mehadjri, për të përcjellë përvojën time në menaxhimin e qendrave islame, koordinimin e mëtejshëm dhe bashkëpunimin konstruktiv dhe transparent në dobi të muslimanëve në Zvicër dhe më gjerë.

Kohëve të fundit në disa gazeta zvicerane janë bërë disa shkrime në të cilat kjo organizatë (EOIC) implikohet si financuese e xhamive, në të cilën përfshihet edhe Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër (UISHZ), që gjoja përmes EOIC-së bëhet financimi i xhamive shqiptare në Zvicër, të anëtarësuara në UISHZ.
Për këtë arsye, unë kam kërkuar më tepër sqarime nga vetë kryetari i kësaj organizate (EOIC), z. Ziane Mehadjri, se sa realisht qëndrojnë këto akuza dhe cilët janë imamët apo qendrat islame shqiptare që financohen nga ose përmes kësaj organizate. Ai më ka premtuar se kundër këtyre akuzave do të prononcohet vetë publikisht dhe ndoshta edhe juridikisht.

Nisur nga kjo që u tha më lart si dhe nga fakti se kaloi gati një vit që nga themelimi i kësaj organizate e që nuk ka pasur ndonjë aktivitet domethënës, që për ne e vë në pikëpyetje edhe funksionimin efektiv të saj si organizatë serioze, unë imami i xhamisë shqiptare në Aarburg, Nehat Ismaili, vendosa që përfundimisht të ndërpres kontaktet dhe bashkëpunimin e mëtejshëm me EOIC-në.” (Aarburg, 13.11.2016)

Njëkohësisht, UISHZ deklaron publikisht që asnjë xhami a qendër islame shqiptare, të cilat veprojnë në kuadër të UISHZ-së, as për blerjen e objekteve fetare, as për ndërtimin dhe as për mirëmbajtjen e tyre, nuk financohen nga burime të jashtme. Të gjitha këto bëhen me kontributin dhe vetëfinancimin e popullatës shqiptare që jeton dhe vepron në Zvicër si dhe me mbështetjen financiare të bankave zvicerane, të cilave këto xhami u kanë borxhe në shuma të larta, të cilat do të duhet t’ua kthejnë atyre në këste për afate të caktuara paraprakisht nga vetë bankat.

UISHZ, 14.11.2016

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit