11.4 C
Pristina
Wednesday, May 15, 2024

I talentuar

Më të lexuarat

Nga: Dr Selman Aude

I talentuar

Një nga artistët më të mëdhenj të Italisë, mori një ditë një letër nga një simpatizant i tij. Mbi zarf, ai kishte shkruar:”Drejtuar artistit më të madh të Italisë!”
Artisti refuzoi ta hapë letrën, madje refuzoi edhe ta marrë, duke thënë:”Nuk më përket mua kjo letër. Nëse do të më dërgohej mua, duhej të kishte shkruar:”Drejtuar artistit më të madh të botës!”
Një natë, piktori me vlera botërore, Pikaso, u kthye në shtëpinë e tij, ku mbeti i befasuar, pasi hajdutët i kishin vjedhur mobiliet. Kur dikush e pyeti nëse kishin vjedhur ndonjë gjë të rëndësishme, Pikaso u bezdis nga kjo pyetje dhe tha:”Jo.”
Pyetësi shtoi:”Po mirë, përse ndihesh keq atëherë?”
Pikaso u përgjigj:”Sepse këta hajdutët, nuk paskan vjedhur asgjë nga tablotë e mia të vyera!”
Ai ndjeu se i ishte shkelur dinjiteti dhe krenaria, se mëkati më i madh nuk ishte vjedhja, por padija rreth vlerës së tablove të tij të famshme.
Madhështia e vërtetë, është ajo që bashkon mes talentit dhe modestisë.
Talenti më i madh, janë moralet dhe virtytet, e virtytet më të larta janë ato me veten tënde.
Në një mënyrë apo në një tjetër, çdo njeri është i talentuar, çdo njeri është një kopje origjinale dhe jo një punim grafiti apo vizatimor.
Edhe binjakët nuk janë njëlloj, secili prej tyre ka diçka që i mungon tjetrit.
E rëndësishme është që njeriu të jetë vetja dhe jo një person tjetër, të jetë origjinal dhe jo imitim.
Talenti kërkon një karakter të pjekur dhe vlerësues, i cili e vlerëson mirësinë e Dhuruesit suprem dhe është i ndërgjegjshëm për fundin.
Profeti Jusuf a.s, shquhej për hijeshinë, rininë dhe largpamësinë. Ai i kapërceu vështirësitë derisa u bë ministër i thesarit të Egjiptit dhe e përhapi besimin e tij tek shumë egjiptianë. Megjithatë, në fund të jetës lutej:”O Zoti im! Ti më ke dhënë pushtet dhe më ke mësuar shpjegimin e ëndrrave! O Krijues i qiejve dhe i Tokës, Ti je Mbrojtësi im edhe në këtë botë, edhe në botën tjetër! Bëj që të vdes si mysliman dhe më shoqëro me punëmirët (në botën tjetër)!” (Jusuf, 101)
Kjo është një mbyllje e hijshme dhe konsiderohet si një talent madhështor, pra, ta mbyllësh jetën me mirësi, si i lavdishëm, si tek Zoti, ashtu dhe tek robërit e Tij të mirë.
Omer ibnu Abdul Aziz vendosi drejtësinë në territoret myslimane dhe i dha vrull të paparë kalifatit islam. Megjithatë, ambicia e tij e fundit ishte bota tjetër:”Unë kam një shpirt ambicioz. Fillimisht, desha të bëhem guvernator i Medines dhe u  bëra. Mandej, desha të martohem me të bijën e kalifit dhe u martova. Më vonë desha të bëhem kalif dhe ia arrita. Tashmë, shpirti im ka mall për xhenetin dhe shpresoj ta fitoj.”
Muhamedi Ali, u shqua për fuqinë fizike, e cila i dha titullin e kampionit të botës në boks për një periudhë të gjatë kohe. Në fund, ai u sëmur me parkinson, sëmundje e cila shkatërron qelizat dhe lidhjet nervore, duke ia ngadalësuar dhe çrregulluar lëvizjen, duart i dridhen, kujtesa i humbet etj…
Muhamed Ali nuk ishte vetëm boksier, por dhe njeri i urtë e i mençur. Si brenda ringut ashtu dhe jashtë tij, ai pohonte:”Nuk është turp të shembesh përtokë me nokaut, turp është të qëndrosh i shembur përtokë dhe të mos ngrihesh.”
Mosha është ajo që beson se është. Ti je i shtyrë në moshë, aq sa mendon vetë se je.
E kam urryer çdo çast që kam kaluar në stërvitje, por gjeja forca për ti thënë vetes:”Mos u tërhiq! Duroji dhimbjet e çastit! Jetoje pjesën e mbetur të jetës si kampion!
Po, ma përgatisni prej tani qelinë e burgut! Buka e qelisë është më e shijshme për mua sesa vdekja në Vietnam!
Shërbimi që u bën të tjerëve, është qiraja që duhet të paguash në këmbim të banimit tënd mbi planetin tokë.
Një burrë pa fantazi, është si një shpend pa krahë.
Dështimi është foltorja e suksesit. Është shpirti dhe jo vitet ato që përcaktojnë moshën tënde. Vuajtjet janë vija e startit të nisjes plot vrull. Liria mund të jetë edhe brenda një qelie, edhe tek shërbimi që u ofron njerëzve, edhe tek një imagjinatë plot gjallëri.
Këto ishin disa nga frymëzimet e Muhamed Ali.
Në historinë islame, gjejmë: Ibnul Hejthem, ishte ekspert në optikë; Ibnu Zehr, gjeni në mjekësi; Zahravi, kolosi i kirurgjisë; Mexhriti profesori i matematikës; Ibnu Halduni, themeluesi i sociologjisë; Ibnu Batuta historiani udhëtar; Ibnu Nefis, zbuluesi i qarkullimit të gjakut; Abas ibnu Firnas, njeriu i parë që fluturoi në historinë e njerëzimit; Havarizmi, themeluesi i algjebrës; Xhabir ibnu Hajjan, themeluesi i kimisë… dhe lista vazhdon.
Nuk është domosdoshmërish e kërkueshme që të gjithë të ishin modele në devotshmëri dhe punë të mira. Ata ishin kreativë, gjenialë dhe të talentuar, të cilët me përkushtimin e tyre, i ofruan umetit dhe mbarë njerëzimit, shërbime të vyera.
Jomyslimanët që u shquan në sfera të ndryshme brenda ambientit dhe mjedisit islam, ishin një fryt i motivit dhe nxitjes së këtij mjedisi joshës dhe mbështetës.
 
Përktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit