I Dërguari ﷺ – shembull për mbarë botët

Më të lexuarat

I Dërguari ﷺ – shembulli më i bukur

Allahu i Lartësuar thotë:
“Vërtet, në të Dërguarin e Allahut ju keni shembullin më të bukur, për këdo që shpreson Allahun dhe Ditën e Fundit dhe e përmend Allahun shumë.”
(el-Ahzab: 21)

Ibn Kethiri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
“Ky ajet fisnik është bazë madhore për marrjen e të Dërguarit ﷺ si model në fjalët e tij, veprat e tij dhe gjendjet e tij.”

Kur Allahu i Lartësuar e dërgoi si mëshirë për botën dhe udhëzim për njerëzit, ai u bë modeli më i lartë dhe shembulli më i bukur për ata që shpresojnë Allahun dhe Ditën e Fundit, dhe që nuk kërkojnë madhështi në tokë e as prishje.

Kuptimi i fjalës “shembull”

Shembull (قدوة) quhet ai që ndiqet dhe merret si model; thuhet: “Filani është shembull”, kur njerëzit ecin sipas hapave të tij dhe ndjekin metodën e tij.

Sa e madhe është sot nevoja e myslimanit për t’u përngjasuar me të Dërguarin e Allahut ﷺ, veçanërisht në këtë kohë kur janë shtuar pretendimet e rreme dhe kur armiqtë e Allahut grumbullojnë sprova të dyshimeve dhe të epsheve për të larguar njerëzit nga rruga e Allahut.

Prandaj synojmë që (në vijim) të flasim për të nga aspekti i tij si imam, gjykatës, sundimtar, reformator, mësues, edukator, bashkëshort, baba, drejtues dhe udhëheqës, punëtor… dhe nga shumë anë të tjera të personalitetit të tij, duke u mbështetur në atë që është vërtetuar në Sunetin e saktë.

Ai është shembulli ideal që myslimani duhet ta ndjekë dhe të ecë në gjurmët e tij; sepse gjithçka që ai bën ose thotë është vend shembulli dhe modelimi.

*Udhëzimin e tyre merr shembull”

Allahu e urdhëroi Profetin e Tij të ndiqte profetët para tij, duke thënë:
“Ata janë ata që Allahu i udhëzoi, prandaj sipas udhëzimit të tyre merr shembull.”
(el-En’am: 90)

Ibn Kethiri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
“Domethënë: ndiq dhe përngjaju. Dhe nëse ky është urdhër për të Dërguarin ﷺ, atëherë umeti i tij është pasues i tij në atë që ai ligjëron dhe urdhëron.”

Shejh-ul-Islam Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë:
“Në rrëfimet e profetëve ka mësime për besimtarët; sepse ata patjetër do të sprovohen me gjëra më të mëdha se këto, dhe nuk duhet të dëshpërohen kur sprovohen, por të dinë se me to janë sprovuar edhe ata që kanë qenë më të mirë se ata, dhe se përfundimi ishte i mirë. Kështu, dyshuesi bindet, mëkatari pendohet dhe forcohet besimi i besimtarëve; dhe kështu realizohet përngjasimi me profetët.”

Çështjet në të cilat jemi urdhëruar të marrim shembull nga profetët

1. Fuqia në bindjen dhe adhurimin ndaj Allahut

Kjo cilësi e madhe është nga tiparet më të dukshme në jetën e profetëve, paqja qoftë mbi ta, sepse ata janë njerëzit që kanë adhuruar më së shumti, janë falur më së shumti dhe janë përulur më së shumti para Allahut.

Allahu thotë:
“Dhe përmendi robërit Tanë: Ibrahimin, Is’hakun dhe Jakubin zotër të fuqisë dhe të shikimit.”
(Sad: 45)

Ata el-Khurasani ka thënë:
“‘Zotër të fuqisë dhe të shikimit’, domethënë: fuqi në adhurim dhe dije mbi urdhrin e Allahut.”

Katade ka thënë:
“U ishte dhënë forcë në adhurim dhe mprehtësi në fe.”

Dëshmitë për adhurimin e profetëve janë të shumta, ndër to:
• Lutja e Ibrahimit:
“O Zoti im, më bëj mua nga ata që e falin namazin, dhe po ashtu edhe nga pasardhësit e mi.” (Ibrahim: 40)
• Lavdërimi i Ismailit:
“Ai i urdhëronte familjarët e tij për namaz dhe zekat, dhe ishte i kënaqur te Zoti i tij.” (Merjem: 55)
• Lavdërimi i Ibrahimit, Is’hakut dhe Jakubit:
“I bëmë imamë që udhëzonin me urdhrin Tonë dhe u shpallëm atyre kryerjen e veprave të mira, faljen e namazit dhe dhënien e zekatit.” (el-Enbija: 73)

Ndërsa për Profetin tonë Muhamed ﷺ, dëshmitë për adhurimin e tij janë shumë të shumta, megjithëse atij i ishin falur mëkatet e kaluara dhe të ardhshme.

2. Përmendja e shpeshtë e Allahut dhe lutja e përulur

Ata e përmendnin Allahun në çdo kohë, përuleshin para Tij dhe e luteshin me këmbëngulje.

Allahu përmend lutjen e Ejubit, Junusit dhe Zekerijas, paqja qoftë mbi ta, dhe përgjigjen e Tij ndaj tyre (el-Enbija: 83–90).

Edhe Profeti ﷺ ishte shumë i përkushtuar në lutje, sidomos në çaste të vështira.
Në ditën e Bedrit ai iu lut Allahut me aq përulësi, saqë rroba i ra nga shpatullat, derisa Ebu Bekri e qetësoi duke i thënë se Allahu do ta përmbushte premtimin e Tij.

*3. Përulësia dhe lotët e tyre kur përmendej Allahu*

Allahu i Lartësuar thotë për profetët:
“Kur u lexoheshin ajetet e të Gjithëmëshirshmit, binin në sexhde dhe qanin.”
(Merjem: 58)

Profeti ﷺ ishte njeriu që i frikësohej më së shumti Allahut dhe thoshte:
“Pasha Allahun, unë jam njeriu që kam frikë më së shumti daj Allahut dhe më i dituri për Të e më i devitshmi ndaj Tij.”

*4. Marrja e shembullit në njohjen e Allahut*

Sa më shumë që robi e njeh Zotin e tij, aq më shumë e madhëron Atë, i përulet, i frikësohet dhe e do.

Ibn Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë se nuk ka shpëtim dhe lumturi, as në dynja e as në ahiret, pa ndjekjen e të Dërguarve.

*Pse duhet ta marrim Profetin ﷺ si shembull?*
1. Sepse jeta e tij është jeta e njerëzve më të përkryer

Allahu i Lartësuar e zgjodhi atë me dije dhe urtësi dhe e përzgjodhi mbi njerëzit; prandaj ishte e domosdoshme që ta njohim këtë jetë të bekuar, e cila u formua nën përkujdesjen e Allahut të Bekuar dhe të Lartësuar, që ajo të jetë pishtar për jetën tonë dhe shpëtim për umetin tonë.

2. Bindje ndaj urdhrit të Allahut të Lartësuar

Duke e ndjekur atë dhe duke u përngjasuar me udhëzimin e tij. Allahu i Lartësuar thotë:
“Vërtet, në të Dërguarin e Allahut ju keni një shembull të bukur për këdo që shpreson Allahun dhe Ditën e Fundit dhe e përmend Allahun shumë.”
(el-Ahzab: 21)

Dhe thotë:
“Le të ruhen ata që kundërshtojnë urdhrin e tij, se mos i godet ndonjë sprovë ose i godet një dënim i dhembshëm.”
(en-Nur: 63)

3. Për shkak të mbrojtjes (ismet-it) së Allahut për të

Sepse Allahu i Lartësuar e ruajti atë dhe e mbrojti nga gabimi; dhe edhe nëse do të ndodhte ndonjë gabim prej tij, nuk do të lihej pa korrigjim. Prandaj, ai që ka këto cilësi meriton të merret si shembull, të studiohet jeta e tij dhe të njihet udhëzimi i tij.

4. Sepse në jetën e tij ka mësim dhe këshillë

Sepse në studimin e jetës së tij gjenden mësimet dhe këshillat më të mëdha: qoftë në çështjet e besimit dhe njëshmërisë së Allahut, qoftë në moralin dhe sjelljen e tij, në udhëzimin dhe metodologjinë e tij, në durimin e tij në thirrje dhe në përballjen me të pavërtetën dhe pasuesit e saj.

5. Marrja e Profetit ﷺ si shembull është kusht për sukses dhe fitore

Nëse nuk përngjasohemi me të Dërguarin e Allahut ﷺ në fjalët e tij, veprat e tij dhe tiparet e tij, dhe nëse nuk ecim në gjurmët e tij, atëherë nuk do të kemi sukses kurrë dhe nuk do të fitojmë kurrë.

6. Profeti ﷺ është shembull në të gjitha gjendjet e tij

A nuk e bëri Allahu të Lartësuar Profetin burrë? A nuk e bëri bashkëshort? A nuk e bëri vëlla? A nuk e bëri mik? A nuk e bëri sundimtar? A nuk e bëri udhëheqës?
A nuk e bëri Allahu i Lartësuar personalitetin e Profetit shembull për ne në të gjitha gjendjet e tij?

Njohja e biografisë së Profetit ﷺ – domosdoshmëri

Nuk është e mundur marrja e tij si shembull pa njohur jetën, sjelljen, qëndrimet dhe marrëdhëniet e tij me njerëz të ndryshëm.

(Marrë nga: “Si i trajtoi ata Profeti ﷺ” – Shejh Muhamed Salih el-Munexhid, me përshtatje)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit