Hoxha e ka detyrë të ketë dituri akademike mbi hadithin – Nga Shejh Albani

Më të lexuarat

Autor: Muhammad Nasirudin el-Albani

Burimi: Revista “et-Tameddun el-Islami” (19/ 529-530)

Vërejmë se një numër i konsiderueshëm i bashkëpunëtorëve të revistave islame citojnë hadithe duke ia atribuar ato Pejgamberit ﷺ, pa specifikuar burimet e tyre nga korpusi i Sunetit të pastër. Për më tepër, ata i pohojnë këto thënie me siguri absolute, ndërkohë që ato mund të jenë të dobëta (da’if) ose të trilluara (meudu’). Madje, disa prej tyre shpenzojnë faqe të tëra në ekzegjezën e këtyre thënieve, ndërsa të tjerë argumentojnë kundrejt kundërshtarëve me thënie që te dijetarët hulumtues (muhakkikun) janë të vërtetuara si të kota dhe të huaja për Islamin, siç ka ndodhur rëndom në numrat e fundit të kësaj reviste.

Këtyre zotërinjve të nderuar, si dhe hatibëve, vaizëve e ligjëruesve të tjerë, u drejtoj këtë këshillë si përkujtesë:

Nuk i lejohet muslimanit t’i atribuojë asnjë hadith Pejgamberit ﷺ pa u vërtetuar paraprakisht për saktësinë e tij sipas metodologjisë së muhaditëve. Argument për këtë është thënia e tij ﷺ:

“اتَّقُوا الْحَدِيثَ عَنِّي إِلَّا مَا عَلِمْتُمْ، فَمَنْ كَذَبَ عَلَيَّ مُتَعَمِّدًا فَلْيَتَبَوَّأْ مَقْعَدَهُ مِنَ النَّارِ”

“Ruajuni transmetimit të haditheve prej meje, përveç asaj që keni dije (për saktësinë e saj). Kush shpif ndaj meje me paramendim, le ta përgatitë vendin e tij në Zjarr.”

(Transmeton Ibn Ebi Shejbe me zinxhir të saktë, siç figuron në “Fejdul-Kadir”).

Vërtetimi i një hadithi realizohet përmes dy rrugëve:

E para: Studenti i shkencës së hadithit të hulumtojë zinxhirin e transmetimit (isnad) dhe transmetuesit (rixhal), duke nxjerrë gjykimin që imponojnë rregullat dhe parimet e shkencës së hadithit, pa pasuar verbërisht (taklid) një imam të caktuar në saktësim apo dobësim të hadithit. Ky është një proces tejet i vështirë dhe i rrallë  në këtë epokë, metodë të cilin fatkeqësisht e realizojnë vetëm pak individë.

E dyta: Të mbështetet në librat ku autorët janë kushtëzuar vetëm me hadithe të sakta, siç janë dy “Sahihët” dhe të ngjashmit me ta, ose në thëniet e dijetarëve hulumtues të hadithit, si: Imami Ahmedi, Ibën Meini, Ebu Hatim Raziu (nga të hershmit); dhe Neveviu, Dhehebiu, Zejla’iu, Ibën Haxher el-Askalani (nga të mëvonshmit).

Kjo metodë është e qasshme për çdo kërkues të së vërtetës, por kërkon përpjekje në verifikimin dhe mbledhjen e të dhënave mbi hadithin. Kjo është një detyrë e pashmangshme; nuk duhet t’i shmanget kësaj përgjegjësie ai që ka xhelozi për fenë dhe dëshiron të mbrojë Sheriatin nga infiltrimet e elementeve të huaja. Për këtë arsye, fakihu Ibën Haxher Hejthemi në librin e tij “El-Fetava el-Medinije” (fq. 32) thotë:

“Është pyetur ai (Allahu qoftë i kënaqur me të) në lidhje me një hatib që ngjitet në minber çdo të premte dhe citon hadithe të shumta pa sqaruar burimin (meharixh) dhe transmetuesit e tyre; çfarë obligimi rëndon mbi të?

Ai u përgjigj: Citimi i haditheve në hytbe pa sqaruar transmetuesit apo autorët që i kanë përmendur, lejohet vetëm me kusht që hatibi të jetë specialist i shkencës së hadithit (ahlu-l-ma’rifah), ose t’i citojë ato nga një libër i një autori që është kompetent në këtë fushë. Ndërsa transmetimi nga tekste hytbesh ku autorët nuk janë specialistë, është i ndaluar! Kush e vepron këtë, meriton ndëshkim të rëndë diskrecional (ta’zir). Kjo është gjendja e shumicës së hatibëve: sapo hasin një hytbe me hadithe, i memorizojnë ato dhe ligjërojnë pa e ditur nëse ato hadithe kanë bazë ose jo. Prandaj, autoritetet e çdo vendi duhet t’i ndalojnë hatibët nga ky veprim…”

Më pas shton: “Mbi këtë hatib rëndon detyra të paraqesë referencën e tij; nëse referenca është e saktë, nuk ka vend për kundërshtim, përndryshe kundërshtimi është i ligjshëm. Madje, i lejohet autoritetit kompetent ta shkarkojë atë nga funksioni i hatibit, si masë ndaluese ndaj guximit për të ushtruar këtë gradë të lartë pa pasur kualifikimin e duhur.”

Përktheu: Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit