12.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

HASAN TAHSINI, BOTOHEN VEPRAT E PANJOHURA TË STAMBOLLIT

Më të lexuarat

TIRANË – Vepra e Hoxha Hasan Tahsinit (1811-1881), këtij personaliteti të shquar shqiptar dhe njëkohësisht drejtues i shquar i Universitetit të Stambollit, në Shqipëri është ende e mangët. Ndërkohë, bëmat e tij akademike dhe atdhetare janë të panumërta, siç janë edhe titujt e veprave shkencore që la të shkruara nëpër bibliotekat e Stambollit.

Patrioti me origjinë nga Ninati i Çamërisë (Sarandë), një rilindës i shquar, filozof, matematikan, gjuhëtar në fillimet e shekullit të 19-të drejtonte universitetin ndërkombëtar osman dhe universitetin e parë shqiptar në Stamboll. Hoxha Tahsini qe gjithashtu mësues i Abdylit, Naimit e Samiut, Jani Vretos, Ismail Qemalit etj.

Përsa i përket veprave që la pas, ka qenë trashëgimtarja e familjes Manushaqe Halili, e cila ka bërë dhjetëra udhëtime në Stamboll me iniciativën e saj, në kërkim të varrit, të shtëpisë ku jetoi dhe të librave që shkroi e botoi. Stërmbesa e familjes Tahsini ka fotokopjuar në bibliotekat e Stambollit veprat origjinale dhe duke takuar gjuhëtarë e studiues, ajo vendos që vepra e tij të botohet nga “Onufri”.

Një grup studiuesish, përkthyesish dhe redaktorësh kanë punuar që vepra trivëllimëshe e Hoxha Hasan Tahsinit të vij nga turqishtja në gjuhën shqipe.

Çfarë përmbajtje ka vepra e Hoxha Tahsinit

Vëllimi i parë i veprës së Hoxha Tahsinit shoqërohet me një vlerësim të Sami Frashërit, si dhe nga një vlerësim i studiuesit bashkëkohor Moikom Zeqo. Ndërkohë trashëgimtarja e familjes Tahsini, Manushaqe Halili ka shkruar parathënien me titullin “Hoxha Tahsini: Frymëzimi, krenaria dhe përkushtimi im”. Kapitujt kryesorë në vëllimin e parë me mbi 200 faqe janë: “Historia e qenies ose e krijimit”; “Sekretet e ujit dhe ajrit” dhe “Psikologjia”.

Vëllimi i dytë ka afërisht 350 faqe, dhe përmban lëndë të përkthyera nga dy numra të revistës “Mexhmua-I Ulum” (Revista shkencore), ku paraqesin interes “Rregullorja për botimet e zakonshme” dhe bisedat për problemet me shumë interes të kohës së tij, ku shumica janë aktuale edhe sot. Në këtë vëllim të bie ne sy tema “Përparimi i arsimit, historia, klasifikimi dhe frytet e shkencave”. Vëllimi i tretë me afro 300 faqe ka të botuar lëndën e disa numrave të revistës shkencore dhe vijon me “Historia e shkurtër e astronomisë”.

Me botimin e kësaj vepre trivëllimshe në shqip, autori Hoxha Hasan Tahsini, edhe pas më shumë se një shekulli i dhuron audiencës shqiptare teori të vështira, argumente dhe ide përparimtare të mendimit teorik dhe shkencor. Bashkë me veprën botohen edhe vlerësimet e Sami Frashërit, që ka shkruar se: “Hoxha Tahsini ishte nga ata njerëz të mëdhenj, që rrallë nxjerrin shekujt dhe epokat”. Poeti i shquar turk, Abdul Hak Hamidi, ish-nxënës i tij, ka shkruar për Hoxha Tahsinin: “Ishte vëzhgues dhe shkencëtar shumë i ditur, ishte thesar i njohurive shkencore, ndoshta, një botë e tërë dijesh; ishte filozof, letrar, vjershëtar, i zoti t’i përgjigjej çdo pyetjeje…”./shqiptarja

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit