22.8 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Hafëz Ismail ef. Alievski (1935-2011)

Më të lexuarat

Instituti i Hifzit, i hapur nga Myftinia e Shkupit në Çarshinë e Vjetër, mban emrin e tij.

Hafëz Ismail efendi Alievski është lindur më 10 mars të vitit 1935 në fshatin Gllëgë (Dëllga) të Kumanovës. Babai i tij quhej Osman, ndërsa e ëma Zekije. Hafëz Ismail Efendiu ishte njëri nga katër fëmijët e kësaj familjeje. Fëmijët tjerë ishin: haxhi Isa, haxhi Xhaviti, haxhi Halili, si dhe motra h. Beraet. Prej vëllezërve h. Isa dhe h. Xhaviti kanë ndërruar jetë. Axhallarët e Hfz. Ismailit ishin: h. Aliu, h. Jahja dhe h. Zendeli.

Fillimi i hifzit

Hfz Ismaili ishte një ndër nxënësit e mulla Ejup Efendiut, i cili i mësonte nxënësit në mejtepin e xhamisë së fsh. Gllëgë (Dëllga). Mulla Ejup Efendiu do të zbulojë fshehtësinë e inteligjencës së Ismail Efendiut për dituri dhe për hife dhe i thotë xhaxhait të tij, H.Zendelit, që të fillojë mësimin e Kuranit përmendsh (hifzin). Kjo do të jetë edhe pikë kthese e Ismail efendiut në jetën e tij, ku ai do të ketë një sukses të paparë, duke kaluar ditët me fjalën e Allahut në Kuran.

Në këtë mënyrë, për çdo ditë që kalonte ai do të bëhet më i dashur tek njerëzit tjerë, duke kontribuar në çlirimin e zemrave të besimtarëve me fjalët e Allahut (xh. sh.).

Në vitin 1945-1946 e filloi hifzin dhe arriti që Kuranin ta mësojë brenda 9 muajve, si dhe 8 muaj të tjerë ka bërë përshkrimin (forcimin) e hifzit dhe në vitin 1948 e jep provimin e hifzit para kryetarit të komisionit, Hfz. Abdurrahim efendiu (nga Shkupi), i cili zgjati 7 ditë.

Ai jo që vetëm përhapte fjalën e Allahut, por edhe jetonte brenda suazave të ajeteve kuranore.

Hfz Ismaili në fshat, gjatë muajit të Ramazanit, lexonte mukabele.

Një ditë imami i Kumanovës, Zekerija efendiu, do ta dëgjojë duke lexuar mukabele, do t’i pëlqejë shumë leximi i tij, kështu që menjëherë e merr në Kumanovë për të lexuar mukabele.

Atje do të ketë sukses të madh në përgatitjen dhe nxjerrjen e hafëzëve të rinj, saqë emri i tij do të njihet si njeri me sukses dhe me merita të larta.

Shërbimi fetar

Hafëz Ismail Efendiu në vitin 1952, në muajin e Ramazanit, do të shkojë në Beograd. Myftiu vëren se Ismail efendiu është një hafëz i suksesshëm dhe i sugjeron që të shkojë në Sarajevë.

Këtu do ta kalojë një pjesë të jetës së tij duke shërbyer.

Do të diplomojë në Medresenë Gazi Husref Beu (Sarajevë). Është martuar në vitin 1960, në moshën 25-vjeçare, me Zonjën Letafet. Nga kjo martesë iu lindën 4 fëmijë: Abdulhakimi (Abika), Namëku, Nurdani dhe Nurxhani.

Pas 6 muaj martesë është shpërngulur në Shkup. Përafërsisht, 42 vjet radhazi në muajin e Ramazanit ka shërbyer në Sarajevë.

Në vitet 1991-1995, për shkak të luftës në Bosnjë, nuk pati mundësi më që gjatë muajit të Ramazanit të shërbente atje. Për çdo vit që shkonte merrte hafëzë me vete, të cilët ishin: Hfz. Sadudini, Hfz. Abdurrahimi, Hfz. Samiu (nga Kosova), Hfz. Ahmedi (nga Dibra), Hfz. Musa (fsh. Konjare e Mesme-Shkup, emri i vjetër i të cilit ka qenë Orta Gyreller), Hfz. Baatini, Hfz. Burhani, Hfz. Jashari etj.

Ismail efendiu muajin e Ramazanit e kalonte përplot me begati kuranore, duke u bërë më i afërt dhe më i dashur për njerëzit. Ata kishin një respekt dhe konsideratë të veçantë ndaj tij.

Në Xhaminë e Bash-Çarshisë dhe në Mesxhidin e Tabakëve ka falur namazin e teravisë me hatme. Në Xhaminë e Husref Beut, në Xhaminë e Bash-Çarshisë dhe në Xhaminë e Çekrekëve 5 herë në ditë ka lexuar mukabele. Para namazit të sabahut dhe të iqindisë ka lexuar në Xhaminë e Husref Beut; para dhe pas namazit të drekës në Xhaminë e Bash-Çarshisë; pas namazit të iqindisë në Xhaminë e Çekrekëve.

Ka banuar në konviktin e medresesë, ndërsa ushqimin ia ka ofruar xhemati. Hfz Ismaili nëntë muaj ka jetuar dhe ka shërbyer edhe në Gjermani.

Në vitet 1954-1994 ka qenë kryetar i Komisionit të Hifzit në kuadër të Myftinisë së Shkupit dhe ka treguar një sukses të shkëlqyer.

Vdekja

Hfz. Ismail Efendiu vdiq më 16 qershor 2011, në moshën 76-vjeçare, në Shkup. Trupi i tij u varros në varrezat e Butelit në Shkup. Personaliteti i tij si hafëz me i dalluar, jo që ishte një krenari vetëm për familjen dhe për fshatin e lindjes, por edhe më gjerë, për Ballkanin etj.

Mu për këtë, në vitin 2018 BFI-Myftinia e Shkupit bëri hapjen e Institutit të Hifzit me emrin “Instituti Hafëz Ismail Alievski”.

Të shpresojmë që ky institut i hafëzëve, që e mban emrin e tij, të jetë një vatër ku do të dalin hafëzë të rinj e të suksesshëm.

Në ceremoninë e hapjes së këtij instituti morën pjesë shumë emra eminentë të jetës fetare e shoqërore, ku fjalimin e mbajti Sulejman ef. Rexhepi, i cili ndër të tjera tha: “Hfz. Ismaili nuk ka qenë një hafëz i suksesshëm vetëm për Shkupin, por ka qenë legjendë për tërë Ballkanin e më gjerë, në përgjithësi.”

Hfz Ismaili ka njohur këto gjuhë: turqishten, shqipen, arabishten, gjermanishten dhe boshnjakishten.

Hamdi Osmanli Ismaili

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit