Haaretz: Lufta po lë pasoja të rënda psikologjike në Izrael

Më të lexuarat

Ekspertët paralajmërojnë për një krizë kombëtare të shëndetit mendor

Ankthi, pagjumësia, dhuna në familje, varësitë dhe vetëvrasjet janë në rritje në Izrael, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se lufta ka shkaktuar një krizë të paprecedentë të shëndetit mendor. Sipas tyre, pasojat psikologjike të konfliktit do të vazhdojnë të shfaqen për vite me radhë.

Një numër në rritje ushtarësh, rezervistësh dhe civilësh po përballen me trauma të rënda psikologjike si pasojë e luftës. Historitë e personave që humbasin aftësinë për të punuar, izolohen nga shoqëria apo tentojnë vetëvrasjen po bëhen gjithnjë e më të zakonshme.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, para fillimit të luftës shërbimet e rehabilitimit kujdeseshin për rreth 62 mijë të plagosur, nga të cilët 11 mijë kishin probleme të shëndetit mendor. Sot këto shifra kanë arritur respektivisht në 82 mijë dhe 31 mijë.

Megjithatë, ekspertët besojnë se këto janë vetëm shifrat e para të një problemi shumë më

të madh. Studiuesja e traumës Zahava Solomon paralajmëron se reagimet e vonuara psikologjike mund të shfaqen vite pas përfundimit të luftimeve dhe se shumë ish-ushtarë përbëjnë “bomba me sahat” nga pikëpamja emocionale.

Kriza nuk prek vetëm ushtrinë. Sulmet, evakuimet dhe pasiguria e vazhdueshme kanë ndikuar rëndë edhe te popullsia civile. Numri i personave të njohur zyrtarisht si të dëmtuar psikologjikisht nga aktet e dhunës është rritur nga rreth 6 mijë para luftës në mbi 69 mijë sot.

Profesor Yossi Levi-Belz thotë se shoqëria izraelite po përjeton atë që quhet “traumë kolektive”, një fenomen që prek jo vetëm individët, por të gjithë komunitetin. Sipas tij, shoqëria është e lodhur, e zhgënjyer dhe e mbushur me pasiguri për të ardhmen.

Studimet tregojnë se simptomat e stresit post-traumatik janë rritur ndjeshëm. Para luftës, rreth 16 për qind e popullsisë shfaqte simptoma të tilla. Një muaj pas sulmeve të 7 tetorit, kjo shifër u rrit në 30 për qind, ndërsa aktualisht mbetet afërsisht 20 për qind, shumë më lart se mesatarja globale.

Pasojat po shfaqen edhe në jetën e përditshme. Numri i viktimave në aksidentet rrugore është rritur ndjeshëm gjatë viteve të luftës. Ekspertët lidhin këtë fenomen me stresin, agresivitetin dhe vështirësitë psikologjike të popullsisë.

Të rinjtë janë një nga grupet më të prekura. Diagnostikimet e reja të ankthit te adoleshentët janë rritur me 31 për qind, ndërsa rastet e çrregullimeve të të ngrënit me 23 për qind. Gjithashtu është shënuar një rritje e fortë e dhunës në familje.

Organizatat që mbështesin gratë raportojnë 65 pë qind më shumë telefonata për ndihmë krahasuar me periudhën para luftës. Problemet e gjumit janë bërë një tjetër tregues i krizës.

Një studim i Universitetit Hebraik zbuloi se përqindja e personave që vuajnë nga pagjumësia klinike është rritur nga 5 për qind para luftës në 28 për qind në fund të vitit 2025. Spitalet psikiatrike raportojnë gjithashtu një rritje prej 30-40 për qind të personave që kërkojnë trajtim për herë të parë.

Sipas specialistëve, kjo tregon nivelin e dëshpërimit dhe nevojën urgjente për mbështetje psikologjike. Një tjetër pasojë shqetësuese është rritja e përdorimit të alkoolit, drogës dhe qetësuesve. Një studim zbuloi se një në katër izraelitë përdor substanca të tilla në nivele të rrezikshme, ndërsa te personat me simptoma të forta post-traumatike shifra është mbi 50 pë qind.

Ekspertët shprehen veçanërisht të alarmuar nga rritja e vetëvrasjeve mes veteranëve të luftës. Ata paralajmërojnë se ky fenomen mund të përkeqësohet pas përfundimit të konfliktit, kur shumë persona do të përballen me traumën e akumuluar.

Ekspertët paralajmërojnë se pa një strategji kombëtare dhe pa fundin e konfliktit, pasojat psikologjike mund të kenë ndikim afatgjatë në ekonominë, tregun e punës dhe jetën sociale të Izraelit. Sipas tyre, vendi po përballet me një krizë të shëndetit mendor që mund të lërë gjurmë për dekada. \tesheshi.com\

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit