13.7 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Futeni lëndën fetare, shpëtojeni arsimin!

Më të lexuarat

Suksesi, fati dhe ardhmëria e një populli varet nga edukata dhe arsimimi i tij.

Andaj edhe shtetet e zhvilluara dhe ato në zhvillim kanë investuar dhe vazhdojnë të investojnë me të madhe dhe si duhet, në fushën e arsimit dhe edukimit, për çka edhe kanë arritur atje ku janë sot.

Mirëpo, karshi gjithë këtyre zhvillimeve konstruktive nëpër botë, çfarë po ndodh në Kosovë?!
Arsimi në Kosovë ka degraduar.

Reformat dhe menaxhimi kanë dështuar.

Gjithë këto e bëjnë njeriun dhe shoqërinë, jo vetëm që të zhgënjehet, por edhe e çojnë drejt kolapsit total edukativo-arsimor.

Çdo ditë e më shumë po vërtetohet ajo çka kamë thënë para disa viteve se ajo që është konceptuar t’iu servohet nxënësve si edukatë dhe etikë është e gabuar. Se në shkollat tona mund të ketë gjithçka, por jo edhe mësim e edukim të mirëfilltë.

Ndonjëherë duhet të ndodhin gjëra skandaloze, që më pastaj pushtetarët ta marrin vesh seriozitetin e rrezikut të një veprimi të gabuar.

Çështja është se, pas publikimit të një materiali në mediet e shkruara, në ato online përkitazi me edukatën e nxënësve nëpër shkolla, u alarmua, aq sa edhe Parlamenti vendosi të diskutojë për të.

Siç e dini, Parlamenti edhe më parë ka diskutuar për arsimin, atëherë kur vet ka vulosur këtë fat të zhvillimit kësisoji të procesit arsimor.

Parlamenti i ka thënë JO lëndës fetare dhe ka shkelur mbi parimet demokratike duke ndaluar vënien e shamisë për nxënëset, pasojat e të cilave për një kohë kaq të shkurtër po i vuan vet.

Parlamenti nuk po do nxënës e studentë të edukuar dhe qytetarë të ndershëm, mirëpo ai po do nxënës e student të rebeluar, arrogantë, vagabondë e injorantë.

Janë mësimet dhe filozofia e tyre ato që bartin përgjegjësinë për këtë gjendje kaotike në arsim. Atyre ende vazhdon t’iu thyhet se e kanë prejardhjen prej majmunit.

E, si të kërkosh që ata të jenë të dëgjueshëm?!

Po të nderuar, kështu e ka kjo punë. “Çka të bësh, ia bën vetes”, thotë populli.
Ndërsa parlamentarët tanë janë njerëzit që më së shumti punojnë kundër vetes së tyre, sepse punojnë kundër popullit të tyre, kundër fëmijëve të tyre, kundër ardhmërisë së vendit.

Nuk ka edukim me “teorinë” e Darvinit dhe “Kapitalin” e Marksit.

Edukim e përparim ka kur fëmijët të lidhen me Krijuesin, kur atyre u tregohet qartë dhe drejt se nga e kanë prejardhjen, dhe se ata nuk janë nipa e stërnipa të majmunëve, por janë bijtë e Ademit dhe të Havës, janë krijuar nga balta e dheu, e natyra dhe cilësia e dheut është e butë, e qetë, stabile dhe shumë profitabile e frytdhënëse.

Duhet të binden parlamentarët tanë dhe qeveritarët e të gjithë dashamirët e shtetit e të shoqërisë, në veçanti të rinisë sonë, se e vetmja rrugë për ta përmirësuar gjendjen nëpër shkolla tona, sidomos në ato fillore e të mesme, është futja e lëndës fetare.

Është mundësia për t’i lidhur njerëzit me Zotin, për t’i mësuar ata se shkolla nuk është thjesht vendtubim ku të rinjtë takohen mes vete dhe kalojnë një kohë, apo relaksohen pakëz.

Por ajo është një çerdhe në të cilën nxënë dije, ngritën dhe vetëdijesohen, dhe jo vetëm kaq, por aty pajisen edhe me edukatë e kulturë. Aty formojnë personalitetin e tyre.

Aty përgatiten për të qenë të vyeshëm e të dobishëm për veten e tyre, për familjen dhe për shoqërinë.
Me shkollë ata jo vetëm që fitojnëdije dhe sigurojnë një të ardhme më të mirë materiale në këtë botë, por dija është edhe ndër adhurimet, apo ibadetet më të mira e më të dashura tek Zoti.

Me mësim e edukim të mirëfilltë njeriu ngritët në një shkallë shumë të lartë edhe në botën tjetër, më lehtë fiton xhenetin. E për ta arritur tërë këtë shkallë të lartë, ata duhet ta duan dijen, ta duan shkollën me zemër, ta respektojnë mësuesin më shumë sesa prindin.

Të gjitha këto, dhe shumë të tjera, kush ua mbjell nxënësve në tru, dhe kush i bind më mirë sesa edukimi fetar? Po të kishte dobi nga teoria e majmunit e ateizmit të Marksit, do ta kishte marrë Evropa dhe Amerika dhe do ta kishin futur nëpër shkolla, mirëpo e kanë futur edukatën fetare duke ua obliguar nxënësve edhe shkuarjen nëpër kisha.

Sepse që të gjithë njerëzit e dijes dhe të edukimit janë pajtuar se feja ka një ndikim të jashtëzakonshëm në intelektin e qytetarit, në veçanti të të riut.

Këtë të vërtetë e mohojnë vetëm ateistët dhe bijtë e komunistëve nga trojet shqiptare, dhe pak të tjerë nga vendet tjera.

Nuk ka vend ku është futur edukata fetare e që nuk i ka dhënë frytet e saj pozitive, qoftë edhe si lëndë zgjedhore.

Ta marrim si shembull Luginën e Preshevës, pasi që atje i kemi vëllezërit tanë shqiptarë që mësojnë lëndë fetare. Atje, ani pse kjo lëndë është zgjedhore, do me thënë e lirë dhe jo obligative, megjithatë, siç më thonë shokët dhe kolegët e mi mësimdhënës në ato vende, nxënësit nuk mungojnë.

Përkundrazi prezantojnë të gjithë dhe janë shumë të përkushtuar.Mbajnë qetësi dhe rrinë si njerëz, e nuk kërcejnë si majmunë!

Të nderuar, më lejoni t’ju them edhe atë se shkollat tona, përveç kësaj dukurie, janë bërë edhe çerdhe e drogës, prostuticionit, krimit, therjve me thika e deri te vrasjet me armë zjarri.

Mendoj se edhe ju pajtoheni me mua lidhur me këtë kur them se është bërë vështirë të dërgohen fëmijët nëpër shkolla, ngase atje ka banda, ka kriminelë, ka arrogantë, dhe prindi si prind ka të drejtë të shqetësohet, madje shumë.

Bile edhe nëse ankohet për diçka, i thuhet atij se këta janë të mitur dhe nuk i kap ligji. Me çka u japin edhe më shumë liri dhe hapësirë atyre nxënësve që të rebelohen.

Vërtet një gjendje kaosi, një gjendje e vështirë për ta definuar!

Në fund i bëj apel Ministrisë së Arsimit që, sa më parë që është e mundur, ta fusë lëndën fetare nëpër shkolla, qoftë edhe si lëndë zgjedhore.

Bile fillimisht qoftë edhe si test nëpër disa shkolla, apo në disa komuna, për ta provuar e testuar, nëse funksionon, atëherë t’iu bashkohen edhe komunat tjera, po nëse jo, le ta lënë huq krejt, ani
pse unë nuk dyshoj fare në sukses.

Allahu e drejtoftë këtë shoqëri dhe na e ruajttë këtë rini. Amin, dhe deri në javën e ardhme, selam alejkum.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit