12.6 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Franca mbështet anëtarësimin e Turqisë në BE

Më të lexuarat

Vizita e Presidentit francez, Fransua Oland në Turqi konsiderohet si mjaft e rëndësishme nga të dyja vendet.

Oland gjatë vizitës së tij ka deklaruar se Franca mbështet perspektivën evropiane të Turqisë dhe anëtarësimin e saj në BE, duke premtuar mbështetje për hapjen e kapitujve të rinj në negociatat Ankara-Bruksel.

“Me hapjen e kapitujve të rinj, Turqia do t’i afrohet më shumë Bashkimit Evropian. Disa nga kapitujt e bisedimeve janë të lidhura me tema të tilla si ndarja e pushteteve, të drejtat themelore të njeriut, sundimi i ligjit dhe gjyqësori. Turqia i ka të gjitha aftësitë për të plotësuar të tëra kërkesat e këtyre kapitujve dhe për të ecur më tej në rrugën drejt BE-së”, tha Oland në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij turk, Abdullah Gyl.

Gjatë vizitës në Turqi, kreu i Pallatit Elize ishte i shoqëruar nga shtatë ministra me qëllim përforcimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike me Ankaranë. Mes dy vendeve u nënshkruan gjithashtu marrëveshje në 11 fusha të ndryshme dhe u caktua objektivi për ngritjen e vëllimit tregtar në 20 miliardë dollarë.

Fransua Oland theksoi se Parisi zyrtar mbështet vazhdimin e procesit të negociatave me BE-në, duke shtuar se Franca do të jetë një shtet kyç në përcaktimin e statusit të anëtarësimit të Turqisë, në një referendum që do të zhvillohet në fund të këtij procesi.

Ndërsa Presidenti turk, Abdullah Gyl, i kërkoi bashkëbiseduesit të tij që të mos bllokojë anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian.

“Nuk kemi ngut në përcaktimin e datës së anëtarësimit; ajo që ne presim është respektimi i marrëveshjeve”, theksoi kreu i shtetit turk dhe shtoi se vizita e homologut francez në Turqi është një mundësi dhe të dyja vendet duhet të përfitojnë prej saj.

Presidenti Gyl u ndal edhe mbi ligjin francez në lidhje me refuzimin e ngjarjeve të vitit 1915, një pikat kryesore të takimit ndërmjet delegacioneve të të dyja vendeve. “Nuk do të ishte e drejtë nëse do t’i përcillnim dhimbjet e atyre viteve brez pas brezi; ajo që duhet bërë është ta lëmë historinë në duart e historianëve. Ne jemi të gatshëm t’i hapim të gjitha arkivat tona dhe në fakt i hapëm ato”, u shpreh ai.

Kurse Oland theksoi se duhet punuar për analizimin e deklaratave të mëparshme. “Do të bëjmë më të mirën, do të kërkojmë të drejtën dhe të gjithëve do t’u krijojmë mundësinë që ta kuptojnë siç duhet këtë çështje”, shtoi lideri francez.

Sa i përket luftës civile dhe dhunës në Siri, të dy liderët ndanë të njëjtat mendime.

“Dëshirojmë që bisedimet në Gjenevë të përmbyllen me një zgjidhje politike dhe qeveri tranzicioni, që ka në dorë kontrollin e plotë të situatës. Nëse këto nuk realizohen, atëherë tragjedia do të vazhdojë dhe nga vakumi do të krijohen zhvillime negative”, tha kreu i shtetit turk.

Më pas, Fransua Oland pati takime të veçanta me Kryeministrin Rexhep Tajip Erdoan dhe kryetarin e Partisë Popullore Republikane (CHP), Kemal Këllëçdarollu.

Ndërsa në orët e mbrëmjes, presidenti mysafir mori pjesë në darkën e shtruar për nder të tij nga homologu turk, në Pallatin Presidencial Çankaja.

Vizita e Olandit në Turqi do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme me disa kontakte në Stamboll./trt/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit