18.5 C
Pristina
E martë, 15 Qershor, 2021

Forbes: Njerëzit më të pasur të botës për vitin 2013

Më të lexuarat

Miliarderët që zotërojnë kapitalet më të mëdha në botë, paratë e të cilëve do t’i jepnin fund njëherë e mirë varfërisë në botë. Lista e re e më të pasurve nga Forbes.

1. Karlos Slim Helu dhe familja e tij. Pasuria e miliarderit më të madh në botë arrin shifrën 73 miliardë dollarë. Shumica e të ardhurave të meksikanit 74-vjeçar vijnë prej telekomit, një pjesë tjetër prej minierave, kompanive të pronave, kompanive financiare dhe atyre industriale, plus një pjesë aksionesh të Nju Jork Times. Në vitin 2012, ai i shtoi pasurisë së tij edhe pronësinë e disa skuadrave të futbollit në Meksikë dhe Spanjë. Së bashku me Bill Gejts, Slim lajmëroi se do të financonin një kërkim për mënyrën e pakësimit të varfërisë për fermerët në botën në zhvillim.

2. Bill Gejts, kapitali i tij shkon në 72 miliardë dollarë dhe vjen shumica prej kompanisë së famshme Microsoft, lideri i sistemeve operative kompjuterike. Amerikani 58-vjeçar është njeriu i dytë më i pasur në botë, pas Karlos Slim Helu, megjithatë është në konkurrencë të vazhdueshme me të. Bill Gejts njihet edhe për fondacionin e tij të bamirësisë. Gejts është njeriu më i pasur në Amerikë dhe njihet gjerësisht si miliarderi që la Harvardin për të ndjekur ëndrrën e tij të revolucionarizimit të kompjuterëve.

3. Amancio Ortega, pronari 77-vjeçar i markës së njohur të veshjeve Zara, është njeriu i tretë më i pasur në botë, me një pasuri që vlen 57 miliardë dollarë. Mes zotërimeve të spanjollit Ortega janë 43 qiellgërvishtës në Madrid, Londër, Çikago, San Francisko dhe Nju Jork. I biri i një punëtori hekurudhash, Amancio Ortega e nisi biznesin me një dyqan bluzash. Flitet se në vitin 2012, spanjolli ka paguar më shumë se gjysmë milion dollarë që paparacët të mos publikojnë fotot e muajit të mjaltit të vajzës së tij dhe bashkëshortit të saj. Edhe gruaja e 77-vjeçarit është gjithashtu një miliardere.

4. Uoren Bafet, pasuria e të cilit është 53.5 miliardë dollarë, zotëron Bershire Hathaway, një kompani konglomerate shumëkombëshe me seli në Omaha. Kompania merret me shitblerje bizhuterish, sigurim jete, pensione dhe sipërmarrje. Bafet 83-vjeçar konsiderohet si njeriu i dytë më i pasur i Amerikës, ndërsa në listën e përgjithshme është i katërti. Edhe ky biznesmen është i njohur për shifrat e larta të bamirësisë.

5. Leri Elison, është aksioneri më i madh i korporatës Oracle që është e specializuar në teknologjinë kompjuterike. Pasuria e Elison vlen 43 miliardë dollarë dhe renditet i pesti në listën e miliarderëve më të mëdhenj të vitit 2013. Amerikani 69-vjeçar është shfaqur tepër ambicioz në tejkalimin e arritjeve të kompanive gjigante si Apple dhe Google. Leri Elison pëlqen të koleksionojë shtëpi në plazhin e Malibusë dhe gjithashtu zotëron 98 për qind të ishullit Lanai në Havai. Ai ka dhuruar 445 milionë dollarë për fondacionin e tij mjekësor në mbështetje të kërkimeve mbi plakjen dhe sëmundjeve që lidhen me të.

6. Çarls Koç, një nga vëllezërit më të pasur të Amerikës me kompaninë e dytë më të madhe private, që bën xhiro 115 miliardë dollarë. Pasuria e Çarls Koç është 34 miliardë dollarë, teksa ai zotëron firma që janë të përfshira në rafineri, tregti kimikatesh dhe tregti financiare, mes të tjerash. Ai së bashku me vëllain e tij, që pason listën e Forbes, janë të njohur si dhurues shumë të mëdhenj në fushatat politike të konservatorëve dhe liberalëve. Po ashtu, vëllezërit Koç njihen si sponsorë të qendrave artistike dhe atyre të kërkimeve mjekësore.

7. David Koç, vëllai i Çarls Koç, është njeriu i shtatë më i pasur në botë, me pasuri 34 miliardë dollarë. Ai është zëvendëspresident i kompanisë që e ka në bashkëpronësi me të vëllain.

8. Li Ka-shing, pasuria e të cilit shkon në 32 miliardë dollarë, është miliarderi i tetë më i madh në botë. Ai ishte një mbështetës i hershëm i rrjetit social Facebook dhe Spotify. Ka-shing ka investuar edhe në BitPay, siguruesi i shërbimit të pagesës Bitcoin. Personi më i pasur në Azi ka kompani të fuqishme si Cheung Kong, Hutchison Whampoa dhe Husky Energy, po ashtu zotëron porte, prona të paluajtshme dhe telekome. Ai ka gjithashtu aksione në furnizuesin e dytë më të madh me energji elektrike në Hong Kong.

9. Lilian Betenkort, aksionerja më e madhe e kompanisë së famshme L’Oreal, ka një kapital prej 30 miliardë dollarësh. Francezja 91-vjeçare është gruaja më e pasur në botë. Duke qenë se vuan nga sëmundja dementia, drejtimin e kompanisë e ka marrë i nipi 25-vjeçar.

10. Bernard Arnault, pasuria e të cilit vlen 29 miliardë dollarë, është personi i dhjetë më i pasur në botë. Arnault mbikëqyr kompani luksoze që përfshijnë marka si Dom Perignon, Bulgari, Louis Vuitton dhe Thomas Pink. 64-vjeçari është njeriu i dytë më i pasur në Francë dhe synon që pasurinë t’ia udhëheqë vajza e tij, e cila është bërë zëvendëspresidente e Louis Vuitton./Forbes/GSH

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit