Një sistem radari i prodhuar në Türkiye i cili detekton nëpër mur, po ndihmon ekipet e shpëtimit të shpëtojnë jetë duke gjetur njerëz të bllokuar nën rrënoja pas tërmeteve të javës së kaluar në Venezuelë.
Një sistem radari i prodhuar në Türkiye i cili detekton nëpër mur, po ndihmon ekipet e shpëtimit të shpëtojnë jetë duke gjetur njerëz të bllokuar nën rrënoja pas tërmeteve të javës së kaluar në Venezuelë, duke shënuar misionin e parë operacional ndërkombëtar të teknologjisë.
Radari STM Behind-the-Wall, i njohur si DAR u zhvillua në vend nga kompania turke e mbrojtjes STM.
Sistemi po përdoret nga ekipet e Kërkimit dhe Shpëtimit në Fatkeqësi Natyrore nën Komandën e Brigadës së Ndihmës Humanitare të Forcave të Armatosura Turke, i cili mbërriti në Venezuelë pas tërmeteve të dyfishta, tha STM në një deklaratë.
DAR-i më parë luajti rol aktiv në operacionet e kërkim-shpëtimit pas tërmeteve të 6 shkurtit 2023 me qendër në Kahramanmaras, Türkiye, ku si pasojë humbën jetën dhjetëra mijëra njerëz si në Türkiyen ashtu edhe në Sirinë fqinje. Gjatë këtyre operacioneve, teknologjia ndihmoi në gjetjen e më shumë se 50 personave të bllokuar nën rrënoja, duke mundësuar shpëtimin e tyre të gjallë.
Sistemi është aktualisht në përdorim aktiv në Forcat e Armatosura Turke, Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë dhe Policinë Kombëtare Turke. DAR-i përdor sinjale me brez ultra të gjerë për të marrë të dhëna dy-dimensionale të vendndodhjes në objektiva stacionare dhe lëvizëse në zona të mbyllura ku qasja vizuale nuk është e mundur.
Sistemi mund të përdoret në skenarë ushtarakë si shpëtimi i pengjeve, antiterrorizmi dhe operacionet e sigurisë së brendshme ndërsa shërben edhe për qëllime civile, përfshirë punën e kërkim-shpëtimit pas tërmeteve, ortekëve dhe zjarreve si dhe përpjekjet kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe kontrabandës së migrantëve.
Radari mund të zbulojë vendndodhjen e saktë të një personi të gjallë nën rrënoja duke identifikuar lëvizjet mikro dhe makro, përfshirë lëvizjet e gjoksit, duarve dhe krahëve të shkaktuara nga frymëmarrja.
Me peshë vetëm rreth 6,5 kilogramë, DAR transmeton sinjale të frekuencave radio për të përcaktuar nëse ka një person të gjallë pas një muri ose pengese. Ai gjithashtu mund të identifikojë se sa thellë ndodhet personi dhe pozicionin e tij të saktë.
I projektuar për përdorim dore nga një person i vetëm, sistemi mund të vendoset në një zonë të synuar me një trekëmbësh ose pajisje të ngjashme dhe të operohet nga distanca përmes një kompjuteri tablet. Bateria e tij lejon funksionim të pandërprerë për më shumë se katër orë.
