Fjalë ngushëllimi nga hoxhë Shefqet Krasniqi për ndarjen nga jeta të Nexhat Dacit

Më të lexuarat

Të nderuar vëllezër dhe motra,
Me dhimbje dhe pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të mikut tim, akademikut, intelektualit dhe profesorit të nderuar, Nexhat Daci. Largimi i tij nga kjo botë është humbje e madhe jo vetëm për familjen e tij të nderuar, por edhe për gjithë shoqërinë tonë.

Me të ndjerin Nexhat Daci, kishim miqësi të veçantë. Kam pasur nderin ta vizitoj disa herë në shtëpinë e tij dhe të zhvillojmë biseda të frytshme rreth Islamit ku namazi gjithmonë zinte vend të rëndësishëm. Po ashtu, kam pasur rastin që atij dhe bashkëshortes së tij t’u dhuroj nga librat e mi.

Në vitin 2008, kur ai ishte kryetar i LDD-së, pas arritjes së madhe të djalit tim Jasirit, i cili u bë hafiz i Kur’anit Famëlartë, na priti me respekt të veçantë bashkë me stafin e tij. Me atë rast, ai shprehu vlerësimin e tij të thellë për Kur’anin dhe për ata që e mësojnë përmendësh, duke i dhuruar në fund edhe një dhuratë djalit tim.

Akademik Nexhat Daci mbetet ndër të paktët intelektualë që doli haptazi dhe publikisht në mbrojtje të hoxhallarëve, përfshirë edhe mua, gjatë burgosjes sonë në vitin 2014. Duke na njohur nga afër, ai shprehu bindjen e tij të palëkundur në pafajësinë tonë dhe në vlerat që përfaqësonim. Ai ishte dashamir i fesë Islame, e deklaronte hapur këtë.

Për Nexhat Dacin kemi të gjithë fjalë të mira për të thënë, pa e harruar kontributin e tij të çmuar në themelimin e shtetit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

Lusim Allahun e Madhëruar që ta mëshirojë, ta falë dhe ta bashkojë shpirtin e tij me shpirtin e djalit të tij dhe me të gjithë atyre që kan vdekur më pare duke qenë besimtarë.

Familjes së nderuar Daci i shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta dhe lutemi që Allahu t’u japë sabër dhe forcë në këto çaste të vështira.

/Hoxhë Dr Shefqet Krasniqi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit