10.3 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Fillon zyrtarisht rishikimi i teksteve shkollore, Nagavci: Ka lëshime shkencore e profesionale

Më të lexuarat

Instituti EdGuard bashkë me Ministrinë e Arsimit kanë prezantuar zyrtarisht fillimin e procesit të rishikimit të teksteve shkollore.

Ministrja Arbërie Nagavci ka deklaruar se ende në këto tekste ka lëshime teknike, shkencore e profesionale.

Sipas saj, rezultatet e testeve ndërkombëtare kanë qenë kambana e fundit për përmirësim. Në prezantimin e këtij procesi, u tha se në fazën e parë do të përfshihen klasat 1 deri në 9 në lëndët Gjuhë Shqipe dhe Matematikë.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka deklaruar se një nga prioritetet gjatë mandatit të saj ka qenë përmirësimi i cilësisë së teksteve mësimore për nxënësit dhe mësimdhënësit.

“Është e qartë se në vendin tonë për vite me radhë, cilësia e tyre është përcjell me sfida të shumta, përfshirë edhe aspektin përmbajtësor edhe atë teknik por edhe aspekte të tjera pedagogjike, metodologjike dhe kështu me radhë.

Gjatë viteve ka pasur përpjekje serioze, por edhe nga autorët e teksteve gjithë ata që kanë qenë të përfshirë që të përmirësojnë cilësinë e teksteve… Akoma ka vend për përmirësim dhe sa do që mund të evidentohen përmirësimeve të cilësisë së teksteve mësimore, megjithatë akoma kemi raportime qoftë nga prindërit, qoftë nga mësimdhënësit edhe për lëshime të ndryshme, qofshin ato të natyrës teknike apo për fat të keq shkencore dhe profesionale”, ka deklaruar ministrja Nagavci.

Ajo ka shtuar se rezultatet e testeve ndërkombëtare kanë qenë kambana e fundit për përmirësim.

“Rezultatet e fundit të testeve ndërkombëtare e të testeve të tjera të cilat kemi marrë pjesë, kanë qenë kambana e fundit e alarmit. Sepse jo që ka qenë diçka që ndoshta nuk e kemi menduar, apo vërejtur prej pozitave në të cilat jemi, por ka shërbyer si një ndërgjegjësim dhe diskutim i gjithë opinionit. Në këtë vit ne do të kemi rezultatet edhe të dy testeve ndërkombëtare”, ka shtuar Nagavci.

Drejtori i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja tha se qëllimi i këtij rishikimi është rritja e vetëdijesimit për rëndësinë e teksteve shkollore cilësore.

“Më e rëndësishmja është rritja e vetëdijesimit për rëndësinë e teksteve shkollore. Për herë të parë po ofrojmë një evidencë të mjaftueshme empirike për domosdoshmërinë e përmirësimit të cilësisë së teksteve shkollore. Përmes këtij rishikimi që synojmë të krijojmë edhe një qasje pozitive dhe pro-aktive të hisedarëve të përfshirë në këtë proces…

Objektivat afatshkurta pa dyshim janë mbledhja e të dhënave specifike për cilësinë e teksteve shkollore aktuale, identifikimi i fushave që kërkojnë përmirësim dhe ofrimi i rekomandimeve për ndërhyrje të bazuar në tekstet shkollore ekzistuese”, u shpreh ai.

Qehaja tha se në fazën e parë, procesi i rishikimit do të bëhet për tekstet shkollore në Gjuhë shqipe dhe Matematikë në klasën 1 deri në 9.

“Rishikimi është i ndarë në disa faza. Faza e parë është ajo që me të cilën fillojmë nga ky muaj, e që ka të bëjë me rishikimin e teksteve në Gjuhë Shqipe dhe Matematikë për klasat 1 dhe 9. Pse kjo përzgjedhje, pa dyshim se në këtë fusha kemi ngecjet më të mëdha të raportuara në testet ndërkombëtare. Kjo synojmë që do të jetë përgjigja jonë, përmes rishikimit të teksteve shkollore të tentojmë të krijojmë një performancë më të mirë në rezultatet e testeve ndërkombëtare”, ka vijuar Qehaja.

Ky proces i rishikimit të teksteve shkollore do të udhëhiqet nga Ministria e Arsimit, ku të përfshirë do të jenë ekspertë të fushës.

Për tërë arsimin para-universitar janë përafërsisht 200 kurrikula lëndore, së paku 600 tituj librash, së paku 100 recensentë, ku do të duhet të identifikohen dhe trajnohen në vit. /KP/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit