8.8 C
Pristina
Sunday, May 5, 2024

Fëmijë produktivë

Më të lexuarat

Nga: ardhmeriaonline

Fëmijë produktivë

I ftuar: Sultan Kajid El-Kasimij. President i bordit drejtues të universitetit “Itihad” në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ka mbrojtur doktoraturën për politikë, planifikim dhe pedagogji në Britani.
Prof. Xhasim El-Mutava: “Paqja e Zotit qoftë mbi ju! Të nderuar teleshikues, u urojmë mirëseardhjen në programin tonë “Familjet e lumtura”. Tema e emisionit të sotëm është “Fëmijë produktivë”.
Një ndër lutjet e profetit Muhamed a.s ishte: “O Zot! Më mbro nga pamundësia dhe dembelizmi”!
Dembelizmi është antonim i produktivitetit dhe punës. I ftuari ynë sot është doktori Sultan Kajid El-Kasimij. Fillimisht, i kërkojmë të na japë një mendim rreth kësaj teme, të cilën do diskutojmë sot”.
Dr. Sultan: “Tema e këtij emisioni, përmban në vetvete një pyetje të rëndësishme, të cilës duhet t’i përgjigjemi:”Çfarë kuptojmë me produktivitet? A është teknologjia produkt? A është bujqësia dhe zhvillimi i saj produkt”?
Produktiviteti është diçka, që përfshin shumë aspekte. E rëndësishme është, që secili prej nesh të ketë një objektiv në jetë, për të cilin jeton. Secili prej nesh duhet t’a ndjejë, se nuk është zero. Një ndjenjë e kundërt (mospasja e një objektivi në jetë) ndikon negativisht në personalitetin e fëmijës. Kjo e bën të ketë rezultate të ulëta në mësime dhe gabon rëndë në komunikimin me njerëzit.
Fëmijët në botën arabe marrin një edukim, që bie ndesh me produktivitetin. Ai gjithmonë është në rolin e marrësit, ushqimin e gjen të gatshëm, po ashtu arsimimin dhe shumë gjëra të tjera. Ai nuk ndjen, se duhet t’i ndihmojë prindërit dhe nuk ka asnjë objektiv në jetë. Edukimi i fëmijës tek ne, është kundër të menduarit dhe hulumtimit”.
Prof. Xhasim El-Mutava: “Sot, fëmijët tanë përjetojnë atë, që shpeshherë e quajmë llastim shoqëror, për gjëra që i përkasin shëndetit të tij, arsimit etj… Sipas jush, mos vallë ne në botën arabe po kontribuojmë në shkatërrimin e aftësive prodhuese të fëmijëve tanë”?
Dr. Sultan: “Është fakt, që si në shtëpi, shoqëri ashtu dhe në shkollë, ne nuk kontribuojmë për formimin e një personaliteti produktiv tek fëmijët tanë. Tek ne, studentët nuk bëjnë gjë tjetër, veçse dëgjojnë profesorët e tyre. E gjithë lënda është 100 % vetëm marrje informacioni të gatshëm. Kërkesa për hulumtime dhe studime është pothuaj zero. Më keq se kjo është, se gabimet – edhe ato që bëhen padashje – ndëshkohen rëndë duke e thyer shpirtin kreativ dhe produktiv të tyre. Fëmijët tanë, ndihen të thyer shpirtërisht dhe shumë të kufizuar. Ata kanë një personalitet të lëkundur, janë të frikësuar dhe zemërthyer. E si mund të planifikojë për të ardhmen e tij një person i tillë? Si mund të ketë gjenialitet dikush, të cilit deri dje i imponoheshin me dhunë prindërit e tij? Si mund të jetë i guximshëm dikush, që është rritur nën tensionin e frikës, të bërtiturave dhe imponimit”?
Edukimi i fëmijëve në Europë, është i ndryshëm
Prof. Xhasim El-Mutava: “Duke qenë se ju vetë keni studiuar për pesë vite në Britani, a keni vënë re ndonjë dallim mes edukimit të fëmijëve tek ne dhe edukimit të fëmijëve në perëndim? A i stimulojnë perëndimorët fëmijët e tyre që të jenë produktivë”?
Dr. Sultan: “Shndërrimi i studentit nga marrës informacioni në prodhues dhe hulumtues është diçka, që njihet vetëm në kohët moderne. Edhe në perëndim dhe më saktësisht në Europë, kjo ide filloi të zbatohet vetëm në fillim të viteve nëntëdhjetë. Më parë, nuk i kushtohej kaq rëndësi sa sot. Kjo, pasi zbuluan se dallimi mes atyre që mëson studenti dhe jetës që jeton, është shumë i madh. Shoqëria nuk ishte më ajo shoqëri tradicionale, sidomos pas revolucionit të informacionit dhe zhvillimit të madh teknologjik. Ata zbuluan, se shkolla nuk i plotësonte nevojat e popullsisë dhe të shoqërisë, prandaj filluan të mendojnë për zgjidhjen, duke vendosur raporte harmonike mes punës dhe shkollës. Gjithësesi, kjo mbetet diçka e re edhe në perëndim. Edhe pse mes shoqërisë tonë dhe asaj perëndimore ka dallim të madh në këtë mes, nuk duhet të harrojmë se edhe tek ne ekzistojnë disa iniciativa pozitive në këtë aspekt. Por në përgjithësi, ne vazhdojmë me metodat e viteve tridhjetë, të cilat edhe ato i kemi përvetësuar nga perëndimorët e atyre viteve. Perëndimi i ndryshoi metodat e viteve tridhjetë dhe ka përparuar, ndërsa ne vazhdojmë të jemi të prapambetur”.
Europianët i shkëmbejnë studimet mes tyre
Prof. Xhasim El-Mutava: “Atëherë, duket qartë që ka një dallim të madh mes mënyrës si e merr informacionin një student në perëndim dhe një tjetër në lindje”.
Dr. Sultan: “Eksperimentet e tyre në këtë fushë janë të shumta dhe këto eksperimente i shkëmbejnë mes njëri-tjetrit. Ata kanë studime të shumta, edhe mbi mënyrat më efikase të kalimit të studentit nga ambjenti i shkollës në atë praktik”. 
Roli i familjes ne produktivitetin e fëmijës
Prof. Xhasim El-Mutava: “Ku është roli i familjes në këtë çështje? Vallë a ka rol babai dhe nëna? Apo ia kanë dorëzuar fëmijën krejtësisht shkollës”?
Dr. Sultan:”Nga studimet e kryera, është zbuluar se studentët duhet të mësohen me produktivitet dhe punë. Kjo nuk vlen vetëm për të rriturit, por edhe për nxënësit e shkollave tetëvjeçare. Këtu familja ka një rol të rëndësishëm, pasi fëmija e kalon gjysmën e kohës në shtëpi. A e di se shumë fëmijë nuk dinë profesionin e babait të tyre dhe se ku punojnë? Kjo, pasi si babai ashtu dhe nëna nuk u flasin për punën e tyre. Kjo krijon boshllëk mes prindërve dhe fëmijëve. Në fakt, fëmijët do të mësonin shumë gjëra nga puna e prindërve dhe nga rrethanat të cilat kalon familja”. 
Mes përkëdheljes dhe vendosmërisë
Një teleshikuese nga Amerika: “Nëna jonë bënte dallim mes edukimit të djemve dhe ne vajzave. Një edukim i tillë bëri, që vëllezërit tanë të kenë një të ardhme më të zezë se e ne vajzave. Tashmë unë jam e martuar, kam një vajzë dhe shpeshherë pyes si t’a edukoj atë dhe fëmijët e tjerë, duke shmangur gabimet e nënës tonë”.
Dr. Sultan: “Fillimisht, dua të të përgëzoj që e keni kuptuar gabimin e nënës tuaj dhe e lus Zotin, që t’ju ndihmojë në edukimin e fëmijëve.
E dyta: Është një ndër gabimet më trashanike dallimi mes djemve dhe vajzave.
E treta: Është shumë e rëndësishme që të ruhet balanca dhe ekuilibri mes përkëdheljes, vendosmërisë dhe seriozitetit. Në disa raste është e nevojshme, që prindi t’i përkëdhelë fëmijët e tij dhe t’i mbajë pranë. Por ka raste të tjera, ku ai duhet të tregohet i vendosur dhe të mos lëshojë pe. Kur ky ekuilibër nuk ruhet, është problem i madh.
E katërta: Duhet të mos harojmë, që fëmijëve t’ju japim rastin e lojës dhe argëtimit”.
Prof. Xhasim El-Mutava: “Kur flasim për të qënit produktiv, mos kemi si qëllim vetëm djemtë apo kjo përfshin edhe vajzat”?
Dr. Sultan: “Padyshim që kjo vlen për të dy gjinitë. Nëna është shkollë dhe shkolla që i ofrohet fëmijës në shtëpi, është diçka jo e lehtë. Në këtë rast, nëna ka nevojë për durim më shumë se ç’ka burri për të kryer punën e tij. Për t’a provuar dhe vërtetuar këtë që them, provoje që të kujdesesh për një foshnje vetëm për një natë dhe do të shohësh sa vuan nëna. Është mirë që gjëra të tilla t’i tregohen vajzës, kur i ofron ndihmë nënës së saj për edukimin dhe përkujdesjen ndaj vëllait më të vogël, rregullimin e shtëpisë apo gjatë gatimit në kuzhinë. Kështu ajo do mësohet më mirë me shumë çështje. Ne nuk duhet të edukojmë vajza të tilla, që nuk dinë gjë tjetër, veçse të ulen para televizionit 24 orë në ditë”. 
Vizita e babait në punë
Prof. Xhasim El-Mutava: “Kameramani ynë u drejtoi disa fëmijëve këtë pyetje: “A të ka marrë babai ndonjëherë tek puna e tij? Sa herë ka ndodhur kjo”? Shumica e përgjigjeve ishin pozitive dhe se kishin vajtur tek puna e babait dy tre herë. Kishte edhe të tjerë që u përgjigjën: “Asnjëherë”. Cili është komenti juaj”?
Dr. Sultan: “Duket qartë nga përgjigjet, që disa prindër nuk i kanë marrë fëmijët e tyre asnjëherë në vendin ku punojnë. Edhe ata që kanë vajtur ndonjëherë, nuk e dinë, se përse kanë vajtur dhe çfarë kanë përfituar.
Ne si prindër duhet të përpiqemi, që t’i japim fëmijëve informacion rreth punës dhe aktivitetit që bëjmë. Fëmijët duhet të përjetojnë ato që përjetojnë dhe prindërit, edhe pse mund të jenë të vegjël”.
Gëzim dhe dashuri
Prof. Xhasim El-Mutava: “Nëse babai i merr fëmijët në vendin e tij të punës, çfarë mund të përfitojnë fëmijët nga kjo”?
Dr. Sultan: “Në këtë rast, fëmijët informohen mbi natyrën dhe atmosferën e punës në zyrë. E ndihmon të përcaktojë objektivat e tij në të ardhmen.
Mua më bëri përshtypje një nga përgjigjet e fëmijëve, i cili kur u pyet se çfarë përfiton kur viziton babain tek puna e tij, ai u përgjigj: “Kjo më ndihmon në mësime”.
Ky fëmijë, e ka ndjerë efektin pozitiv, kur shkon të vizitojë vendin e punës së babait, tek rezultatet në mësime. Kjo është ajo që duam dhe presim tek fëmijët tanë. Ne duam, që ata të kenë personalitetin e tyre dhe të ndihen krenarë për identitetin dhe përkatësinë. Nuk duam që të jenë thjesht fëmijë pa asnjë shqetësim përveç lojës dhe argëtimit”.
Shembuj të edukimit për të qenë produktivë:
Prof. Xhasim El-Mutava: “Sa shtete e aplikojnë politikën e të jetuarit të studentit në atmosferë pune, me qëllim që të mos e ndajë shkollimin nga puna në jetë”?
Dr. Sultan: “Është e vështirë të japim një statistikë mbi numrin e këtyre shteteve. Gjermania për shembull, aplikon sistemin e dyfishtë, ku fëmija merr pjesë në mësime tre ditë në javë dhe dy ditë të tjera shkon në një kompleks industrial, të cilin ia cakton drejtoria e shkollës. Kjo vërehet kryesisht në shkollat e mesme, për grupmoshat nga 15 deri 19 vjeç.
Edhe në Kinë ndjekin një politikë shumë pozitive, ku drejtoria e shkollës u jep rastin nxënësve për kreativitet. Disa shkolla kanë marrë përsipër projekte të vegjël fitimprurëse, të cilat adminstrohen nga vetë nxënësit. Ata i ndajnë rolet dhe i shesin vetë produktet e tyre. Kështu, nxënësit njohin proçesin e shit-blerjes, kthimin e borxhit etj…
Diçka të tillë të ngjashme e hasim edhe në tregun e përbashkët europian, i cili ka marrë përsipër një projekt, që konsiston në dhënien e informacionit të nevojshëm për studentët, mbi mënyrën si funksionon ky treg dhe atmosferën që e karakterizon. Kjo bëhet, pasi vendet europiane tashmë janë si një vend i vetëm për nënshtetasit e tyre.
Për këtë projekt ata kanë vënë në dispozicion miliona euro për transportin e studentëve jo tek fabrikat dhe qendrat industriale, që janë pranë vendit ku banojnë, por tek fabrikat që janë në shtete të ndryshme. Atje studenti përjeton atmosferën e punës dhe veçoritë e atij shteti. Ata ndërgjegjësohen se pas diplomimit, nuk është kusht që ai të punësohet në vendin e tij, por mund të punësohet në çdo shtet tjetër anëtar i tregut të përbashkët europian. Një metodë e tillë e ndihmon studentin, të mbështetet në forcat e tij dhe të njohë kultura të ndryshme”.
Durimi kusht në edukimin e fëmijëve
Një teleshikues nga Amerika: “Njëri nga fëmijët e mi është gjashtë vjeç e gjysëm. Ai është shumë inteligjent dhe dashamirës, por edhe shumë i gjallë dhe harakat. Si unë, e ëma po ashtu edhe shkolla nuk kemi arritur t’a bëjmë zap. Ne nuk dimë si t’a trajtojmë dhe t’i shfrytëzojmë energjitë e tij për diçka të dobishme”.
Dr. Sultan: “Unë dua të të përgëzoj për një djalë kaq aktiv. Nëse dëshiron një zgjidhje të shpejtë, mund t’a sjellësh në një nga shkollat arabe dhe do të edukohet brenda një dite!!!
Në fakt, energjitë dhe aktiviteti i tepërt, siç e pohojnë studimet e shumta në këtë lëm, tregojnë mbi dëshirën dhe pasionin e madh të studentit për të eksploruar. Një person, që ka pasion për të mësuar dhe është energjik, padyshim që ndryshon dhe dallohet nga një student i plogësht dhe dembel.
Unë i them këtij prindi që kushdo që dëshiron të ndërtojë, duhet të durojë. Ti në këtë rast ndodhesh përballë dy zgjidhjeve:
1-   T’a durosh dhe të tregohesh i matur me lëvizjet e fëmijës tënd, me qëllim që të jetë i dobishëm në të ardhmen për ty dhe për umetin tënd.
2-   Të biesh rehat sot duke e dhunuar dhe duke e nënshtruar me forcë. Por dije, se do të lodhesh në të ardhmen.
Fëmija yt ka nevojë për pak kohë dhe përkujdesje në zgjdhjen e lojërave. Po ashtu ai ka nevojë t’i kushtohet koha e duhur për të ndenjur dhe diskutuar.
Ekziston dhe diçka tjetër e rëndësishme: Gjatë lojërave duhet të planifikojmë, që të tërhiqemi dhe t’a lëmë fëmijën të vetëm, me qëllim që t’i themi se nuk do të përkëdhelet gjithmonë. Zoti ka caktuar disa kohë ku njeriu është i detyruar t’i lërë fëmijët vetëm. P.sh, kur babai është në punë dhe nëna dëshiron të falet. Në këtë rast, ajo e lë fëmijën vetëm, derisa të kryejë këtë obligim. Edhe pse kjo kohë është e shkurtër, ajo përcjell mesazhe të rëndësishme në formimin e personalitetit të fëmijës.
Objektivat produktivë, në edukimin e fëmijës
Prof. Xhasim El-Mutava: “Si mund t’a kalojmë interesin e fëmijëve nga lodrat tek interesi për të përcaktuar objektiva? A është e mundur diçka e tillë? A ka ndonjë teknikë të caktuar e cila duhet të kihet parasysh”?
Dr. Sultan: “Mendoj se ndër gjërat e rëndësishme që duhet të bëjmë, është që t’i lidhim fëmijët me të ardhmen, me objektiva madhorë, proekupimet e prindërve, atdheut dhe shoqërisë. Nuk është e pamundur, që fëmijët t’i vendosim në vendin që dëshirojmë. Ne duhet t’a dimë, që mes moshës së fëmijës dhe inteligjencës, ka ndryshime dhe dallime”.
Prof. Xhasim El-Mutava: “A mund të na sjellësh një shembull që t’a kuptojmë më mirë këtë? Si mund të ketë objektiva madhorë një fëmijë gjashtëvjeçar”?
Dr. Sultan: “Shembulli është i lehtë: Duke e lidhur fëmijën me objektiva të vegjël. Kështu i thuhet fëmijës: Ti sot je i vogël, por nesër, kur të rritesh dhe të bëhesh burrë, të tjerët do të mbështeten tek ti. Prandaj duhet të zgjedhësh se çfarë dëshiron të bëhesh. Kjo e nxit fëmijën, që të mendojë mbi të ardhmen dhe e bën të fantazojë.
Një shembull tjetër: Nëse ti administron një kompani dhe dëshiron që edhe djali yt të bëjë të njëjtën gjë në të ardhmen. Ti përpiqesh me mish e me shpirt, që t’i mësosh atij gjithçka, por kjo nuk mund të bëhet në një natë dhe ditë. Për të arritur këtë, duhet të ndjekësh disa hapa. Fillimisht duhet t’a marrësh në tregun e punës, t’i mësosh problemet dhe disavantazhet e punës, problemet familjare që shkaktohen nga ky lloj pune dhe administrimin e suksesshëm.
Ne mund t’a lidhim fëmijën shumë mirë edhe me aktualitetin. Nëse rruga, e cila e çon në shkollë, është e keqe dhe gjithë gropa, i themi: Ty të lodh kjo rrugë çdo ditë për në shkollë, prandaj është mirë të kontribosh në rregullimin e saj. Gjithashtu, mund t’i tregojmë fëmijët në Afrikë dhe t’a pyesim: Si mund të kontribojmë për t’i nxjerrë nga fukarallëku”?
Dialog konstruktiv
Prof. Xhasim El-Mutava: “Diçka e tillë kërkon dialog të hapur dhe të fuqishëm mes prindërve dhe fëmijëve”.
 Dr. Sultan:”Mendja e fëmijëve percepton dhe thith më shumë se ç’mendojmë ne”.
Prof. Xhasim El-Mutava: “Por e vërteta është, se ne kurrë nuk flasim për tërmete dhe zi buke në prezencën e fëmijëve. Në raste të tillë themi: Kur të rritet do të mësojë. Mesa duket ju jeni kundër këtij orientimi”. 
Dr. Sultan: “Po, edhe pse nuk them që t’a dërgojmë fëmijën fizikisht në vendin që është përfshirë nga zia e bukës apo atje ku ka rënë tërmet. Unë them që t’a bëjmë të ndjejë dhe të ngremë nivelin e shqetësimeve të tij. Ai nuk duhet të mbetet vetëm në kuadrin e lojrave”.
Edukim ideal
Një teleshikuese nga Brazili: “Dy bashkëshortët duhet të bashkëpunojnë për të siguruar një jetë të ndershme për fëmijët e tyre. Përgjegjësia më e madhe për këtë, padyshim bie mbi nënën. Unë kam gjashtë fëmijë dhe flas nga eksperienca ime personale. Një edukim i mirë dhe marrëdhënie familjare të shëndosha, kanë prodhuar fëmijë, të cilët të gjithë janë doktorë sot. Për këtë, falenderoj Zotin e Madhëruar”.
Dr. Sultan: “Si teleshikuesja që sapo foli, ka shumë të tjera, të cilat edhe pse jetojnë në perëndim dhe përballen me sfida nga më të ndryshmet, kanë arritur t’u japin fëmijëve identitetin e duhur. Ata kanë ditur si të mendojmë për të ardhmen e fëmijëve të tyre, si t’i bëjnë fëmijët të kontribojnë për shoqëritë ku jetojnë etj… Mesa duket, motra që telefonoi, ka arritur që t’i bëjë të gjashtë fëmijët e saj produktivë. Unë uroj që fëmijët muslimanë, të kenë nëna të tilla. Përveç aftësive të saj, ajo ia atriboi këtë sukses Zotit të madhëruar”.
Në çfarë moshe t’ia mësoj fëmijës produktivitetin?
Prof. Xhasim El-Mutava: “Kameramani ynë u takua me disa prindër, të cilëve u drejtoi pyetjen: “Në cilën moshë duhet t’i mësojmë fëmijët që të jenë produktivë në shoqëri”? Shumica e përgjigjeve ishin “Mes moshës 12 – 18 vjeç”. Disa prindër mendonin se kjo duhej bërë me grupmoshat 5-6-7 vjeçe. Cili është komenti jua lidhur me këtë”?
Dr. Sultan: “Mendoj se të dy përgjigjet janë të sakta…!! Ata që mendonin se duhet të fillojë që në moshën 5-6-7 vjeçare, duhet t’a dinë se në këtë moshë nuk mund t’i ushtrojmë fëmijët që të jenë produktivë, por mund t’i lëmë të shijojnë atë që ne e quajmë punë ashtu siç e vëmë të shijojnë atë, që e quajmë produktivitet jashtë shtëpisë. Në këtë moshë, mund të kultivojmë tek fëmijët tanë dashurinë për punën dhe etikën e saj.
Unë nuk i këshilloj prindërit, që fëmijëve të tyre t’u imponojnë prirje të caktuara, sidomos në këtë moshë. Kjo nuk duhet të ndodhë as pasi të ketë mbushur 15 vjeç. Psikologët kanë zbuluar se para moshës 15 vjeçare, prirjet e fëmijës nuk janë të qarta dhe të qëndrueshme. Të tilla janë dhe aftësitë e tij. Prandaj, është vendosur që arsimi deri në këtë moshë të jetë i detyrueshëm për të gjithë. Pasi të ketë kaluar këtë moshë, fillojmë të mendojmë rreth prirjeve.
Sa më shumë që t’a vonojmë përcaktimin e një prirjeje, drejt të cilës duket se shkon fëmija, aq më mirë do të jetë për të.
Në perëndim, i lejojnë studentët që të transferohen nga një profil në një tjetër. Në shtetin e Luzianës, u zhvillua një studim me 3000 fëmijë dymbëdhjetë vjeçarë. Para tyre u vendos një listë me probleme, të cilat hasen tek fëmijët e kësaj grupmoshe. Një ndër njëzet problemet më të spikatura, ishte dhe sjellja me të hollat”.
Rezultatet e dobëta në shkollë, nuk kanë lidhje me produktivitetin
Një teleshikues nga Arabia Saudite: “Kam një djalë pesëmbëdhjetë vjeçar. Ai ka talent për të kënduar dhe recituar poezi, por është me rezultate të dobëta në shkollë. A mund të jetë një fëmijë i tillë produktiv në të ardhmen”?
Dr. Sultan: “Produktiviteti nuk ka të bëjë me një fushë të vetme. Një person produktiv jep dhe në këtë rast edhe poetët japin.
Niveli i ulët në mësime i djalit tuaj, nuk do të thotë se do të jetë i dështuar dhe joproduktiv në jetë. Mjafton të kujtojmë emrin e Albert Ajshtajnit dhe Edisonit, për të vërtetuar këtë. Të dy këta kishin rezultate shumë të dobëta në shkollë. Megjithatë ata mrekulluan botën me shpikjet e tyre”.
Mos iu impono fëmijës për të ardhmen!!
Një teleshikuese nga Amerika: “Arabët e kanë zakon që t’u thonë fëmijëve, se do të bëhen doktorë dhe do të arrijnë postet më të larta, me qëllim që t’i mbajnë larg nga punët e rëndomta. Cili është mendimi juaj doktor Sultan”?
Dr. Sultan: “Unë dua të them se mjekësia, inxhinieria etj… nuk janë profesione luksi. Njeriu mund të jetë kreativ dhe mund të shpalosë gjenialitet në çdo fushë dhe jo në një fushë të vetme.  
Përsa i përket orientimit të fëmijëve drejt një profesioni të caktuar, unë dua të them se: Nëse u duam të mirën fëmijëve tanë, nuk duhet t’ua zgjedhim ne të ardhmen. Bota sot ndryshon me një shpejtësi marramendëse. çdo ditë vdesin zanate dhe profesione, duke bërë që të lindin profesione të reja. Prandaj është gabim që t’ia cilësojmë fëmijës, se çfarë do të jetë nesër. Roli i prindërve, shkollës dhe edukuesit është që t’a ndihmojë fëmijën t’a përcaktojë ai të ardhmen dhe aftësitë e tij. Ata duhet t’ia bëjnë të qartë tregun e sotëm të punës. Më e rëndësishmja është, që ai vetë të orientohet pas përfundimit të shkollës, drejt produktivitetit. Besoj se kjo është sfida më e madhe”. 
Sistemi i arsimit në botën arabe
Një teleshikuese nga Amerika: “Sistemi arsimor në vendet arabe nuk i shtyn fëmijët për produktivitet. A mund t’i ndihmojë fëmijët në këtë drejtim, edukimi dhe sjellja e prindërve me të në shtëpi? A mund t’a ndryshojnë ata këtë gjë dhe t’i nxisin fëmijët drejt suksesit”?
Dr. Sultan: “Unë mendoj se kjo është diçka e ndërthurur. Nëse ne dështojmë në një aspekt, padyshim që këtë do e shohim të reflektuar tek fëmijët dhe nxënësit tanë. Por kjo nuk do të thotë se dështimi i institucioneve arsimore, do të thotë që edhe familja t’i dorëzohet këtij realiteti. Shumë njerëz të mëdhenj, kanë triumfuar dhe kanë pasur sukses për shkak të një bisede me një mësues, një fjale nga nëna, një realitet familjar etj… Koha nuk është gjithçka. Edhe rrethanat prodhojnë heroizma dhe arritje të rralla. Nëpërmjet përpjekjeve të njëpasnjëshme, ne mund t’a zhvillojmë dhe ndryshojmë sistemin e vjetër të arsimit. Pyetja që dua të shtroj është: Ne si prindër, a e vizitojmë shkollën e fëmijëve? A flasim me mësuesit rreth fëmijëve tanë? Vallë sa herë jemi takuar me mësuesin kujdestar të fëmijëve tanë”?
A janë rezultatet e ulëta në shkollë të trashëgueshme?
Një teleshikues nga Katari: “A mund të trashëgohen rezultatet e ulëta në shkollë”?
Dr. Sultan: “Diçka e tillë ka të bëjë me aftësitë dhe inteligjencën e secilit. Por nëse duam të dimë, nëse janë të trashëgueshme ose jo, unë them që edhe janë edhe nuk janë. Padyshim që trashëgimia ka një rol të madh në aftësitë mendore dhe psikologjike tek njeriu. Një ndikim të madh ka edhe ambjenti përreth. Prandaj thuhet, që djali i tregtarit është tregtar dhe djali i mësuesit është mësues.
Por them që kjo nuk vlen për çdo rast, pasi kemi shumë fëmijë tregtarësh nuk janë bërë tregtarë dhe shumë fëmijë mësuesish që nuk janë mësues. Gjithsesi, ata kanë trashëguar dhe përvetësuar gjërat themeltare të secilit profesion. Sido që të jetë, ne mundemi t’a zhvillojmë inteligjencën dhe talentin e fëmijëve tanë.
Gjithësesi, suksesi ose dështimi në shkollë nuk do të thotë që fëmija do të jetë ose jo produktiv të nesërmen në shoqëri”.
Si t’a trajtojmë një fëmijë grindavec?
Një teleshikuese nga Arabia Saudite: “Kam një fëmijë katërmbëdhjetë vjeçar dhe e kam shumë të vështirë të merrem vesh me të. Sa herë që përpiqem t’i ngarkoj një detyrë dhe përgjegjësi, që të mësohet të mbështetet në forcat e tij, ai refuzon. Nuk e di si të veproj. Çfarë më këshilloni ju”?
Dr. Sultan: “Ajo që duhet të kuptojmë ne si prindër, është se me fëmijët e vështirë, nuk duhet të përdorim vetëm një metodë. Me ta duhen përdorur metoda të ndryshme, të cilat variojnë sipas rrethanave. Herë duhet përdorur edukimi, herë lëvdatat, parimet e fesë etj… Është shumë e rëndësishme që fëmijët tanë të lidhen me parimet e fesë tonë dhe disa zakone të popujve tonë. Këtë e them duke u nisur edhe nga përvoja japoneze në këtë fushë. Japonezët, hasën në disa probleme lidhur me edukimin dhe formimin e fëmijëve grindavecë. Ata u përqendruan në edukimin e tyre me frymën e konfushizmit, fe e cila i kushton rëndësi të madhe bindjes, familjes dhe parimeve. Kjo formë edukimi ua lehtësoi shumë punën me grindavecët. Bota perëndimore po e vuan më së tepërmi humbjen dhe largimin nga parimet fetare.
Kur Profeti a.s e pa Abdullah ibnu Xhafer ibnu Ebi Talibin, i cili ishte fëmijë, duke shitur, tha: “Zoti i ka dhënë bereqet në tregtinë e tij”. Padyshim që kjo frymë, është shumë pozitive në stimulimin e fëmijëve tanë dhe kultivimin e vlerave dhe normave fetare tek ta”.
Lidhjet mes dy zemrave!!!
Një teleshikuese nga Kuvajti: “Unë jam martuar e re në moshë. Duke qenë se isha e angazhuar me studimet dhe diplomimin, nuk i pata kushtuar rëndësinë e duhur vajzës time. Edhe pse ajo sot është nëntë vjeçe dhe e dalluar me mësime, mes nesh ka shumë barriera”.
Dr. Sultan: “Gjëja më themelore për heqjen e barrierave, është që familja të jetë ashtu siç titullohet dhe ky program “Familjet e lumtura”, ku të sundojnë dashuria, dhembshuria dhe marrëdhëniet e mira. Nëse marrëdhëniet në familje janë të vakëta, mund të përmirësohen dhe ringjallen. Unë mendoj se vajzës tënde duhet t’i kushtosh më shumë rëndësi, përkujdesje, dhembshuri dhe besim.
Çështja e dytë është dialogu i hapur mes dy zemrave, mes asaj të nënës dhe të vajzës. Besoj se diçka e tillë është e mjaftueshme për ndryshimin. Ti duhet të mos harrosh, se së shpejti vajza do të hyjë në moshën e adoleshencës”.
Trajtimi i pasurisë
Prof. Xhasim El-Mutava: “Kameramani ynë u drejtoi disa fëmijëve këtë pyetje: “Nëse babai të jep 100 dollarë, çfarë do të bëje me to”? Përgjigjet ishin të ndryshme. A është diçka pozitive që t’u japim para fëmijëve, me qëllim që të mësohen si t’i shpenzojnë”?
Dr. Sultan: “Fillimisht dua të pranoj vlerat e një pyetje të tillë. Ashtu siç dua të theksoj se mënyra, si e trajtojmë dhe si e shpenzojmë pasurinë, është një nga vlerat tona islame. Pasuria konsiderohet si nervi i jetës moderne. Ajo gëzon një status të veçantë edhe në ligjet e fesë. Profeti a.s ka thënë në një hadith: “Tregtari që flet drejt dhe është i besueshëm, do të jetë në shoqërinë e profetëve, njerëzve të ndershëm dhe dëshmorëve”.
Përsa i përket të hollave që u japim fëmijëve, dua të them se nuk duhet të tregohemi as shumë bujarë dhe as shumë dorështrënguar. Përse të mos caktojmë një buxhet mujor për fëmijët?! Kjo është e rëndësishme, pasi nëse fëmija do të dijë si t’a trajtojë pasurinë në këtë moshë, do e ketë më të lehtë kur të rritet. 
Ndikimi në të ardhmen e fëmijës
Prof. Xhasim El-Mutava: “A i këshilloni prindërit që të mos përpiqen të ndikojnë në të ardhmen e fëmijëve që në moshë të vogël”?
Dr. Sultan: “Po, sepse e ardhmja e fëmijës bazohet tek aftësitë e tij dhe prirjet”.
Prof. Xhasim El-Mutava: “Kjo ndodh, edhe pse në realitet ne sillemi krejtësisht ndryshe me fëmijët tanë. Që në moshë të vogël, ne i themi që do të bëhesh doktor. Fëmija mund të vazhdojë për mjekësi, por ai nuk ka prirje për t’u bërë mjek. Ajo që ka ndodhur është, se i është nënshtruar proçesit të shpëlarjes së trurit”.
Dr. Sultan: “Po dhe diçka e tillë njihet me emrin formim i orientimit, gjë e cila mund të jetë e suksesshme, por mund të jetë edhe shumë e dëmshme dhe dështake. Që të studiosh dhe të bëhesh doktor, ke nevojë të kesh memorie të fortë, kreativitet dhe inteligjencë. Nëse bashkohen aftësitë intelektuale dhe prirjet e fëmijës, ai do të jetë i suksesshëm. Në të kundërt do të dështojë rëndë, madje do të demoralizohet, pasi fëmija mbart diçka, që nuk e përballon dot.
Prof. Xhasim El-Mutava: “Po si mund t’a parashikojmë të ardhmen e fëmijës, duke u mbështetur në prirjet dhe aftësitë e tij? Unë si baba, jam shumë i interesuar që të mësoj diçka mbi të ardhmen e djalit tim”!
Dr. Sultan: “Askush nuk mund t’a parashikojë të ardhmen. Roli i prindërve dhe i shkollës është, që t’a ndihmojnë fëmijën të prekë dhe zbulojë aftësitë e tij. Sot ka specialistë (gjë të cilën dëshirojmë t’a kemi dhe në shkollat tona) të cilët përpiqen të zbulojnë aftësitë dhe prirjet e fëmijëve. Fëmijët u nënshtrohen një sërë testesh, të cilat e ndihmojnë të zbulojë prirjet e tij. Në perëndim, janë ngritur qëndra dhe institucione, të cilat parashikojnë të ardhmen e fëmijëve. Këto qendra disponojnë informacione të shumta. Moshat e fëmijëve të cilëve u bëhen këto teste, janë nga 12 deri 20 vjeç. Diçka e tillë zhvillohet në harmoni dhe bashkëpunim mes familjes, shkollës dhe vetë fëmijës”.
Prof. Xhasim El-Mutava: “A jeni kundër specializimit që në vegjëli”?
Dr. Sultan: “Po, unë jam kundër kësaj ideje pasi besoj se është e vështirë të jetë e suksesshme. Ne duhet t’i japim fëmijës një periudhë kohe më të gjatë dhe një treg pune të nevojshëm për gjenealitet dhe kreativitet. Diçka e tillë përtërihet dhe nuk e dimë çfarë mund të ndodhë në të ardhmen”.
Kreativiteti jashtë metodologjisë
Një teleshikues nga Amerika: “Rezultatet e mia në mësime kanë qenë të ndryshme. Megjithatë, kam qenë fëmijë shumë i dhënë pas lojërave me makina dhe avionë, të cilët i çmontoja dhe më pas i montoja sërish. Sa herë më shihte babai, më ndëshkonte pasi dëshironte të bëhesha inxhinier si ai. Kur u bëra njëzet e tre vjeç, kisha marrë katër fletë nderi për shpikjet që kisha bërë në sigurinë e makinave dhe aeroplanëve. Prej këtu, uroj që prindërit t’i ndihmojnë fëmijët që të zhvillojnë prirjet dhe talentin e tyre”.
Dr. Sultan: “Fjalët e teleshikuesit theksojnë edhe një herë faktin, se fëmijëve në shkollë u mësohen gjëra esenciale. Ne duhet t’i krijojmë hapësira, që të tregojë kreativitetin dhe gjenialitetin e tij jashtë metodave mësimore që merr në shkollë. Nga vetë përvoja e teleshikuesit shohim, që lojrat me të cilat ai luante në vegjëli, ishin pikënisja e suksesit të tij në rini. Aktivitetet që organizohen në shkollë, duhet të jenë motivuese drejt një fushe të caktuar”.
Prof. Xhasim El-Mutava: “Në fund të këtij emisioni, e falenderojmë doktor Sultan El-Kasimij për informacionin e dhënë, konsulencat dhe këshillat gjithë vlera.
Derisa lumturia të bëhet tradita jonë, paqja e Zotit qoftë mbi ju”!
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit