8.1 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Ergys Mërtiri: A është Big Brother problemi më i madh që kemi me mediat?

Më të lexuarat

Studiuesit e komunikimit e shohin Big Brother-in, përgjithësisht si një tregues të dështimit të televizionit për të emetuar vlera, duke patur si funksion tashmë vetëm të mbushë me kotësi boshllëkun tonë kulturor e shoqëror.

Big Brother konsiderohet masivisht si një produkt që ofron dhe ushqen vulgaritetin. Njerëzit që marrin pjesë në të, bisedat që ata bëjnë, problemet shqetësimet, dramat, zënkat, dashurickat që ndodhin mes tyre, janë tmerrësisht vulgare, madje shpesh edhe patetike e qesharake.

Por ky produkt ushqen edhe perversionin. Ai kultivon vuajerizmin, dëshirën perverse për të përgjuar jetët e të tjerëve, deri në gjërat e tyre më intime, duke shkallmuar nevoja krejt të na tyrshme njerëzore si privatësia. Ndërkohë që ai ushqen gjithashtu perversionin, qoftë në modelIn e eskperimentimit të marrëdhënieve njerëzore mes protagonistëve ( e cila denatyrohet nga loja dhe efekti që ka kërcënimi i nominimit dhe eleminimit), qoftë edhe në shtrëngimin e tyre për të hapur barkun, për tu ekspozuar lakuriq ndaj publikut i cili vihet në rolin e gjykatësit dhe xhelatit. Në natyrën e tij, ky lloj spektakli ushqehet nga skandali, dhe ai ka sukses sidomos kur protagonistët viktima qajnë para kamerave.

Ok, publiku është në të drejtën e vet të konsumojë produktet që do, qofshin këto edhe pa vlerë. Problemi qendron kur shikon profesorë të filozofisë që vlerësojnë produkte të tilla, me iluzionin se ato na ofrojnë një pamje të realitetit. Në fakt, ato nuk kanë asnjë lidhje me realitetin.

Pikë së pari, përzgjedhja e pjesëmarrësve bëhet gjithmonë në funksion të spektaklit, jo të besnikërisë ndaj realitetit. Pjesëmarrësit përzgjidhen në atë mënyrë që brenda në shtëpi të krijohen situata që tërheqin vëmendjen e publikut, jo situata normale të jetës së përditshme. Televizioni, spektakli ka interes të shfaqë gjithmonë anormalen, jo normalen, pasi vetëm anormalja tërheq vëmendjen e publikut.

Vec kësaj, protagonistët janë të vetëdijshëm se janë para kamerave dhe se publiku po i ndjek, ndaj nuk mund të jenë kurrsesi të natyrshëm në sjelljen e tyre. Po ashtu, ata janë aty për lojë, për sa kohë janë në garë për preferencën e publikut. E mbi të gjitha, drejtuesit e programit ndërhyjnë në ngjarjet brenda shtëpisë duke i shtyrë ato sipas nevojës së produksionit për sukses mediatik. Gjithcka është një lojë dhe gjithcka që ndodh aty brenda është e organizuar nga një staf i madh, i përkushtuar vetëm në funksion të prodhimit dhe spektakolarizimit të ngjarjeve.

Në të vërtetë këto produkte më shumë prodhojnë se pasqyrojnë realitet. Ato ndikojnë mbi publikun, kryesisht mbi të rinjtë, duke ofruar modele që adaptohen lehtësisht nga teleshikuesit, dhe e keqja është se ofron përgjithësisht modelet e gabuara.

Studiuesit kanë vënë në pah shpesh rolin c’edukues të Big Brotherit duke ushqyer idenë se suksesi nuk varet nga meritat apo aftësitë, por nga intrigat dhe finokëria. Po kështu, vetë ideja se protagonistët e këtij spektakli bëhen personazhe, bëhen vipa, ftohen nëpër studio, bëhen objekt lajmesh edhe pasi spektakli mbaron, është një tregues arritjes së suksesit pa pasur asnjë vlere e pa derdhur asnjë mund. Cfarë i bën ata të rëndësishëm, është fakti se kanë ndenjur për disa muaj të mbyllur në një shtëpi me kamera dhe kanë jetuar aty brenda pa bërë asgjë, përvec budallëqeve të rastit apo konsumimit të marrëdhënieve njerëzore pa asgjë për tu vlerësuar.

Në rastin e Big Brother VIP, ku protagonistët kanë qenë të famshëm edhe para pjesëmarrjes në reality show, problemi nuk eleminohet pasi, krijohet ideja se, pavarësisht nga fakti që ti mund të jesh artist e njeri publik, fama që merr nga të mos bërit asgje e të mos pasurit asnjë meritë, është më e madhe se cfarë ti mund të arrish me profesionin tënd. Nuk kemi përse të habitemi pastaj kur shohim të rinjtë që parazitojnë apo janë të gatshëm të bëjnë gjithcka në këmbim të pasurimit e suksesit me rrugë të shkurtra e të shpejta.

A është Big Brother problemi më i madh që kemi me mediat? Sigurisht që jo. Mediat, sidomos në Shqipëri, janë dramë në cdo aspekt ndaj, se u shtua edhe një tjetër, nuk ngre apo ul gjë në kandar.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit