25.1 C
Pristina
Saturday, June 15, 2024


Epoka e kaosit në Evropë sapo ka filluar: Revolucioni vazhdon…!

Më të lexuarat

Ç’po ndodh me kontinentin? Ajo që ka ndodhur dhe më parë…

Nga Gabriel Elefteriu, Brussels Signal

Shumica e revolucioneve të mëdha politike në histori kërkojnë vite, madje më shumë se një dekadë për t’u shpalosur plotësisht. Në atë kohë, ata që i përjetojnë këto ngjarje i perceptojnë si “mallkime njëri pas tjetrit”, dhe mezi presin të shohin se ku do të shpjerë gjithçka.

Vetëm pasi të ketë ikur periudha revolucionare dhe të shkruhen historitë, mund të vlerësojmë vendin e këtyre konvulsioneve në zinxhirin e gjatë të rrethanave që farkëtojnë fatet e kombeve.

Rënia e Republikës Romake mori rreth 18 vite, nga kalimi i Rubikonit nga Çezari në vitin 49 Para Erës Sonë  deri në triumfin e Oktavianit në Betejën e Aktiumit në vitin 31.

Revolucioni anglez zgjati nga viti 1649, kur Çarlsi I u ekzekutua dhe deri në vitin 1660 kur nisi mbretërimi i Çarlsit II (11 vjet). Dhe mund të argumentohet se akti përfundimtar ndodhi vetëm me Revolucionin e Lavdishëm të 1688-ës.

Revolucioni Amerikan përbëhej kryesisht nga lufta, në vitet 1775-1783, ndërsa Kushtetuta hyri në fuqi vetëm në vitin 1789 (gjithsej 14 vjet).

Revolucioni Francez që nisi 1789-ën, kaloi nëpër disa faza të dallueshme me reforma të ndryshme në qeverisje, derisa Napoleoni e shfuqizoi përfundimisht atë në vitin 1804 (15 vjet) kur krijoi Perandorinë.

Edhe Revolucioni Rus, i njohur tek ne kryesisht në formën e ngjarjes të 1917-ës, përfshin në fakt revolucionin e vitit 1905 dhe luftën civile që zgjati deri në vitin 1923, pra 18 vjet në total. Një lloj i ngjashëm “revolucioni” historiko-botëror, mund të jetë duke u zhvilluar sot, edhe nëse ne nuk priremi ta mendojmë si të tillë. Dhe kjo sepse ai ka marrë ndoshta forma “të buta”, dhe deri më tani thjesht politike.

Gjithçka nisi në vitin 2016 me referendumin pro Brexit, dhe më vonë me zgjedhjen e Donald Trump president i SHBA-së. Në atë kohë, ekspertët liberalë e cilësuan vitin 2016 si Annus Horribilis (vitin e tmerrshëm) për “demokracinë”, sidomos pasi Evropa sapo kishte përjetuar krizën e madhe të emigracionit të vitit 2015 dhe sigurisht edhe sulmin e Putinit ndaj Ukrainës që nga viti 2014, pa harruar sulmet e ISIS në Lindjen e Mesme por edhe qytetet evropiane.

Ky afat kohor përputhet mirë me shembujt historikë e lartpërmendur. Madje sugjeron se nga tani e deri pas 10 vjetësh, ne mund të hyjmë në periudhën përfundimtare kritike të cikleve të tilla 15-18 vjeçare. Gjërat, duke përfshirë veçanërisht politikën, nuk kanë qenë kurrë të njëjta që nga ngjarjet e viteve 2014-2016.

Dallga populiste u dobësua disi dhe elitat evropiane morën frymë të lehtësuara për një moment kur Trump humbi në vitin 2020 dhe kur Britania u detyrua të nënshkruante një marrëveshje të keqe mbi Brexit me BE-në. Por vitet e fundit kanë treguar se e djathta ekstreme, është bërë tashmë një tipar i përhershëm i politikës evropiane.

Zgjedhjet evropiane të këtij viti mund të shënojnë një pikë kthese më të thellë në historinë e Evropës se sa ajo që sugjerojnë rezultatet elektorale. Së pari, ato tregojnë se përfundimisht nuk ka më një rikthim tek “normaliteti”, dhe se elita liberale që ka drejtuar euro-shoun për dekada (me efekte gjithnjë e më shqetësuese në çdo sferë, nga kultura në ekonomi), nuk mund ta mbyllë sërish në shishe “xhindin” e populizmit.

Elita liberale mund të jetë ende në gjendje të udhëheqë një shumicë formale në Parlamentin Evropian, por mund të ketë marrë fund koha e veprimeve të ashpra ndaj opozitës euroskeptike të krahut të djathtë. Nga këtej e tutje, duhet të ketë më shumë negociata dhe kompromise për të kaluar ligjet, dhe sigurisht për të zgjedhur drejtjuesit e rinj të Komisionit Evropian.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Francë, të cilat mund t’i japin Lë Pen kontrollin e parlamentit dhe për rrjedhojë edhe të qeverisë franceze, mund të jenë rezultati më i rëndësishëm i zgjedhjeve evropiane të fundjavës që lamë pas.

Në Gjermani, rritja spektakolare e partisë së ekstremit të djathtë AfD dhe anasjelltas, disfata e rëndë e koalicionit qeverisës, do ta futë politikën gjermane në nivele aq të larta presioni që nuk janë parë ndoshta që nga koha e Republikës së Vajmarit në vitet 1920.

Janë pikërisht këto përllogaritje të brendshme politike, si në rastin e Gjermanisë, Francës apo vende tjerave, ato që pritet të ndërlikojnë shumë negociatat por edhe funksionimin e Parlamentit Evropian në këtë mandat të ri.

Partitë e establishmentit mund të kenë ende një shumicë, por duke parë se çfarë “shpërblimesh” mori grupimi Ripërtëritja si dhe të Gjelbrit nga promovimi i axhendës së tyre ambjentaliste nën drejtimin e Timermans dhe fanatikëve të tjerë të kësaj fushe, a do të duan ata të vazhdojnë me zbatimin e saj, nëse kostoja mund të jetë kaq e lartë?

Fuqia e votës së lirë është diçka vërtetë e mrekullueshme për t’u parë, sidomos kur i detyron politikanët të paguajnë për dështimet dhe arrogancën e tyre. Atëherë, çfarë vjen më pas? Euro-establishmenti ka dy opsione në dispozicion. E para është nxitja e histerisë për ekstremizmin dhe “të djathtën ekstreme”, dhe kalimi në një luftë ballore dhe të plotë nën moton “të mbrojmë demokracinë”.

Në Gjermani, kjo përballje mund të shkojë deri në nxjerrjen jashtë ligjit të AfD. Po ashtu mund të përdoren mjete të tjera “institucionale” kundër “armiqve të shtetit”, siç e kemi parë prej vitesh në SHBA kundër Trump, por edhe në Evropë në periudha të ndryshme.  Por kjo qasje, mund të çojë vetëm tek akoma më shumë radikalizim nga të gjitha anët.

Opsioni tjetër është që partitë e establishmentit të bëjnë kompromis mbi politikat kyçe, dhe të qetësojnë të djathtën ekstreme mbi çështje kyçe si emigracioni e kështu me radhë, me shpresën për t’ua hequr “erën” nga “velat” e tyre. Por në aspektin praktik, një strategji e tillë është e pamundur të zbatohet në mënyrë të koordinuar në nivel evropian, madje edhe nëse për këtë do të kishte vullnet nga udhëheqësit kryesorë të grupeve si EPP ose S&D.

Rezistenca politike nga baza e vetë aktivistëve të këtyre partive dhe ekosistemi më i gjerë shoqëror, do të përjashtonte çdo lëvizje serioze në këtë drejtim. Ndoshta me përjashtim të disa vendeve të caktuara me rrethana politike specifike dhe më toleruese.

Pra radikalizmi, me shumë gjasa me një përzierje të rrugës së dytë, atë të “kompromisit”, ka të ngjarë të diktojë rrjedhën e politikës evropiane gjatë viteve të ardhshme. Dhe pasojat nuk janë të vështira të imagjinohen.

Përveç erozionit të demokracisë, kryesisht nëpërmjet abuzimeve më të pritshme me pushtetin, BE-ja do të bëhet gjithnjë e më jo-funksionale, pasi funksionimi i saj gjithnjë e më kompleks, do të ekspozohet gjithnjë e më shumë ndaj ngërçeve politike.

Projekti evropian ka degraduar në një lloj shtëpie, ndërtimi i të cilës ka mbetur përgjysmë, duke jetuar në më të keqen e të dy botëve. Ai është mjaftueshëm i fuqishëm për ta deformuar politikën evropiane dhe për të krijuar tension dhe radikalizëm nëpërmjet teprimeve. Por njëkohësisht është shumë i dobët dhe i ekspozuar ndaj efekteve të politikës së brendshme të vendeve anëtare për të funksionuar siç duhet, dhe për të mbajtur gjithçka nën kontroll.

Është e vështirë të thuhet se si Evropa mund t’i shpëtojë këtij ngërçi, pasi politika e saj po fragmentohet, dhe siguria e saj është gjithnjë e më në dyshim, pikërisht për shkak të dështimeve të saj ndërkontinentale në të gjitha fushat e tjera të politikës, dhe jo vetëm në mbrojtje. Kjo para se të analizojmë politikën e ardhshme të Evropës mbi Ukrainën, e cila ka hyrë papritmas në dyshimin e saj më të madh se sa në çdo moment që nga viti 2022, veçanërisht teksa Tubimi Kombëtar në Francë, AfD-ja në Gjermani dhe parti të tjera “anti-luftë” dolën shumë mirë në këto zgjedhje.

Revolucioni vazhdon…

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit