16.1 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Dua të falem në xhami!

Më të lexuarat

Më 13 shkurt 2010, gjendesha në Asvan, në jug të Egjiptit, kisha dalë me Eshrefin, një mik timin për të blerë ar.

Një ditë më parë isha martuar, kështu që dëshiroja të blija një zinxhir floriri për nusen time. Mirëpo, meqë egjiptianët, zakonisht, i shtrenjtojnë çmimet kur kanë të bëjnë me të huaj, i thashë mikut tim egjiptian të hyjë në një argjendari që të pyesë për një zinxhir të florinjtë, i cili shihej nga ana e jashtme e lokalit.

Derisa, unë prisja jashtë, me mikun tim filloi të flasë një grua egjiptiane. SubhanAllah, në atë vend gjendeshin mbi 30 argjendari, porse ata u takuan pikërisht në këtë argjendari. Ne muslimanët këtë nuk e quajmë rastësi, por kader, caktim i Allahut. Kjo grua i tha Eshrefit se në shtëpinë e saj banonte një grua shumë e vjetër australiane dhe se dëshironte që ajo të bëhej muslimane para se të vdiste. Atëherë, edhe Eshrefi i tregoi asaj se edhe në shtëpinë e tij kishte ardhur një i huaj për vizitë. Pra, e kishte fjalën për mua. Ai i tregoi asaj, njëherazi, se unë isha bërë musliman. Pasi e pagoi zinxhirin, që të dy erdhën tek unë dhe kërkuan që të shkoja me ta që ta ftonim plakën e moçme australiane në Islam.

 

Unë e kuptova këtë si detyrë nga Zoti, andaj pranova menjëherë kërkesën e tyre. Porse, ekzistonte një problem, australianët flasin anglisht, kurse unë flas vetëm gjermanisht dhe deri diku edhe arabisht. Mirëpo, meqë Eshrefi e fliste mirë anglishten, pranoi që ta luante rolin e përkthyesit. Pa humbur kohë u nisëm për në shtëpinë e egjiptianes. Aty pashë gruan e vjetër australiane, e cila i kishte mbushur plot 90 vjet. Unë fillova t’ia tregoja asaj dy hadithe të Pejgamberit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, në të cilat bëhej fjalë për Xhenetin. Në atë çast, Eshrefi filloi të qante me të madhe. Unë i thosha atij se duhej t’i përkthente hadithet e jo të qante. Mirëpo, kur i përktheu hadithet, bashkë me të filloi të qante edhe plaka australiane. Kjo më bëri të kuptoj se zemra e saj ishte e hapur për ta pranuar Islamin. Atëherë, fillova t’ia tregoj shkurt parimet kryesore të Islamit duke filluar nga gjashtë shtyllat e imanit (besimit), pastaj ato të Islamit dhe në fund ia shpjegova ihsanin. Nuk shkuan as njëzet minuta kur kjo grua australiane pranoi Islamin, Fenë e të Gjithëmëshirshmit. SubhanAllah, në atë moment na u duk sikur dhoma u shndrit. Kur e tha australiania shehadetin, Eshrefi sërish ia shkrepi vajit. Ai thoshte se ajo ishte dita më e lumtur në jetën e tij. Por, kur filloi të qajë edhe egjiptiania që ishte me ne, filluam të qanim që të gjithë. Ndiheshim shumë të lumtur, që nëpërmjet nesh Allahu e udhëzoi këtë grua të moshuar. Pas pesë minutash, gruaja australiane na pyeti nëse mund të shkoi në ndonjë xhami që ta falte namazin, sepse e kishte parë vetën në ëndërr duke u falur në xhami. Por, egjiptiania nuk pranoi, sepse australiania ishte shumë e moshuar dhe se nuk ishte zakon që gratë në Egjipt të falen në xhami.

Pas kësaj ndodhie, unë me Eshrefin u ndamë nga këta njerëz. Ai shkoi në shtëpinë e tij, kurse unë me zinxhirin e florinjtë shkova te nusja ime.

Pas një muaji e pyeta Eshrefin nëse kishte dëgjuar ndonjë lajm për plakën australiane. Ai më tha se ajo kishte kërkuar çdo ditë nga egjiptiania që ta dërgonte në ndonjë xhami për t’u falur, derisa një natë ajo kishte pranuar dhe e kishin falur së bashku në një xhami namazin e jacisë bashkë me muslimanët, dhe, të nesërmen në mëngjes kjo plakë ishte larguar nga kjo botë…

Michael Islam Buschmeyer – Për Shembulli.com

Përktheu: Jusuf H. Kastrati

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit