Dritarja e shpresës në burgun e jetës – Hoxhë Fitim Gërguri

Më të lexuarat

Ruaju, o njeri, që sprovat dhe fatkeqësitë të mos ta turbullojnë qetësinë e zemrës sate dhe të mos ta kthejnë atë në errësirë të rëndë e të mërzitshme. Jeta bëhet e ngushtë kur lejon që brengat të pushtojnë zemrën. Mos lejo që vështirësitë, edhe pse të shumta, të ta shndërrojnë jetën në një tunel pa dalje, ku gjithçka duket e zymtë e pashpresë.

Sa e dhimbshme është të shohësh njerëz që janë të lirë jashtë hekurave të burgut, por që jetojnë në një burg edhe më të rëndë: burgun e zemrës së trazuar. Zemrat e tyre janë të mbushura me brenga, mendjet të lodhura nga ankthi, dhe çdo ditë e tyre është më e hidhur sesa muret e ftohta të një burgu të vërtetë. Ata dëshmojnë se vuajtja nuk qëndron vetëm në pranga, por edhe në peshën e shpirtit të lodhur.

Shpresa është si një rreze që Allahu e vendos në zemrën e njeriut, për ta mbajtur gjallë edhe mes errësirës. Kush e ruan shpresën, qëndron dhe duron; kush e humb, bie e errësohet. Pa të, jeta është e zbrazët dhe e pakuptimtë.

Mos u gënje nga ëndrrat e mëdha që i ndjek pa pushim. Sado të vraposh pas tyre, ato do të të ikin, njëlloj siç ikën hija prej atij që mundohet ta kapë. Por nëse ua kthen shpinën, ato do të të ndjekin vetë, sepse kështu është kjo botë: largohet nga ai që e do me etje dhe afrohet tek ai që nuk i jep peshë.

Mos ec nën diell me një kupë akulli në dorë, duke shpresuar ta ruash atë përgjithmonë; do të shkrihet, s’ka dyshim, dhe do ta humbasësh. Kështu janë edhe kënaqësitë e kësaj bote: sado t’i mbash fort, ato treten e zhduken. Nuk është e mençur të lidhësh zemrën me diçka që është e destinuar të humbasë.

Mos u mashtroni duke dëshiruar trup të fortë e jetë të gjatë, sepse trupi është i brishtë dhe i prirur të dobësohet. Një ditë flokët do të thinjen, fuqia do të shterojë dhe lulëzimi i pranverës do të pasohet nga vjeshta e verdhë. Jeta është e kufizuar, dhe fundi i saj i pashmangshëm.

Mendo për çdo mbret dhe sundimtar: secili prej tyre, me gjithë lavdinë dhe fuqinë, ka rënë nën hijen e fundit. Çdo pasuri, sado e madhe, është shuar; çdo pushtet, sado i fortë, është shembur. Ditë pas dite, vdekja afrohet, dhe një ditë secili prej nesh do ta takojë patjetër.

Por a nuk është më e urtë dhe më e mençur, o njeri, që në këtë burg të ngushtë të kësaj bote të kërkosh dritaren që të nxjerr drejt dritës? Mos qëndro peng i errësirës, mos u mbyll në ankthin tënd. Hap zemrën për shpresën, për mirësinë, për mbështetjen te Zoti yt, dhe do ta shohësh se muri thyhet, errësira çahet dhe para teje hapet një dritare e gjerë. Përmes saj hyn drita, hyn qetësia.

Sepse kur zemra mbushet me shpresë dhe me mirësi, edhe dhimbja bëhet më e lehtë, edhe ngushtica shndërrohet në hapësirë të gjerë. Dhe atëherë kupton se ky burg i jetës nuk është fundi yt, por shkalla që të ngre lart, drejt dritës, drejt qetësisë, drejt Zotit tënd Bujar.

Hoxhë Fitim Gërguri
13.09.2025

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit