10.6 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Drejtësi apo padrejtësi? Vrasësi i 6 muslimanëve mund të lirohet

Më të lexuarat

Kanada: vendimi për njeriun e masakrës në xhaminë e Quebec-ut

Gjykata e Lartë e Kanadasë ka vendosur që sulmuesi i xhamisë më të madhe të Quebec, kur gjashtë persona u vranë dhe pesë u plagosën rëndë në vitin 2017, ka të drejtë të kërkojë lirim të parakohshëm nga burgu pas vuajtjes së 25 viteve të dënimit.

Prokurorët kërkuan që Alexandre Bissonnette të ishte në burg për të paktën 50 vjet përpara një lirimi të mundshëm. Megjithatë, gjykata më e lartë shtetërore refuzoi ankesën e tyre dhe vendosi se burgimi i përjetshëm pa mundësi reale lirimi është një “dënim mizor dhe i panatyrshëm” dhe se shkel Kartën Kanadeze të të Drejtave dhe Lirive.

“Dënime të tilla kanë natyrë degraduese dhe për rrjedhojë të papajtueshme me dinjitetin njerëzor, sepse nuk i lejojnë të dënuarit asnjë shans për riintegrim në shoqëri, duke supozuar, përfundimisht dhe pa ndryshim, se nuk ka kapacitet për ndryshim dhe kthim në shoqëri”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Më 29 janar 2017, Bissonnette hyri në xhami me një pushkë gjysmë automatike dhe pistoletë dhe në dy minuta qëlloi një numër të madh plumbash drejt besimtarëve. Një vit më vonë, ai u deklarua fajtor për të gjashtë akuzat për vrasje të shkallës së parë dhe gjashtë akuza për tentativë vrasje.

Gjykatësi i Gjykatës së Lartë të Quebec, Francois Huot, e dënoi atë në vitin 2019 me burgim të përjetshëm pa mundësinë e faljes përpara se të vuante 40 vjet.

Bissonnette u kërcënua me deri në 150 vjet burg pa mundësinë e faljes sipas ligjit të vitit 2011 që lejon gjykatat kanadeze të vendosin dënime të njëpasnjëshme – çdo vrasje e shkallës së parë mbart 25 vjet. Por Huot tha se gjatësia e dënimit ishte “jo e arsyeshme”.

Avokatët e Bissonnette apeluan dënimin dhe në nëntor 2020, Gjykata e Apelit të Quebec vendosi se dënimet e parashikuara në Kanada ishin jokushtetuese dhe duheshin reduktuar.

Kështu, dënimi i Bissonnette u reduktua në burgim të përjetshëm me një lirim të mundshëm të parakohshëm pas 25 vitesh. Por Quebec apeloi në Gjykatën e Lartë dhe kërkoi që të ndalohej që sulmuesi të dilte nga burgu më parë se 50 vjet.

Tani gjykata më e lartë ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit të Quebec.

Këshilli Kombëtar i Muslimanëve Kanadezë NÇM kritikoi vendimin e Gjykatës së Lartë, duke thënë se ai kishte “rihapur” plagët e viktimave dhe familjeve të tyre.

“Dhimbja, vuajtja dhe zymtësia që ai shkaktoi me planin e llogaritur të vrasjes masive nuk do t’u kalojë kurrë atyre që ai shkatërroi jetën në Quebec City dhe më gjerë. Komuniteti i Quebec nuk do të përballet kurrë plotësisht me humbjen, veçanërisht pasi ata e dinë se si shkaku i dhimbjes mund të rikthehet për të jetuar mes tyre në 20 vjet,” tha Drejtori Ekzekutiv i NCCM, Mustafa Farooq.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit