Dragan Bursać: Plumbi serb nga Srebrenica në Gaza – Logjistika ushtarake e genocidit nga Vuçiqi

Më të lexuarat

“Vuçiqi krenohet që eksporton armë në Izrael. Këtu bëhet fjalë për një plumb që vret një fëmijë palestinez. Për një plumb që ka kaluar doganën e Serbisë, ka marrë lejen e eksportit dhe ka përfunduar në trupin e një fëmije palestinez që quhej Amal, apo Hadi, apo Leila. Ashtu siç dikur quhej një vajzë Samira. Apo Fikret. Apo Nermin. Në Bosnje. Plumbi është i njëjtë, shteti është i njëjtë, ideologjia është e njëjtë. Serbia! Dhe mallkuar qoftë çdo plumb që ka përfunduar në trupin e një fëmije të pafajshëm.”

Ndërsa fëmijët palestinezë po vdesin nën rrënojat e Gazës, ndërsa nënat gjakosen mbi tavolina operacioni pa rrymë dhe pa ujë, ndërsa spitalet shndërrohen në varreza masive – Aleksandar Vuçiq buzëqesh krenarisht në një intervistë për Jerusalem Post dhe thotë:
“Sot jam i vetmi në Evropë që tregton municion ushtarak me Izraelin.” Krenar.

Me një buzëqeshje të shtrembër të xhelatit.

Brenda vetëm katër ditësh – jo javësh apo muajsh – Serbia e furnizoi menjëherë Izraelin me municion. Dhe jo sasi të vogla. Sipas një raporti të përbashkët të Balkan Insight dhe Haaretz, eksporti serb i armëve në Izrael në vitin 2024 arriti 42.3 milionë euro – 30 herë më shumë se një vit më parë. Janë të njëjtat firma dhe nënshkrime si ato të verës së vitit 1995 në Srebrenicë, kur përgatitej “zgjidhja përfundimtare” për boshnjakët.

Ndërsa bota e civilizuar – qoftë edhe me hipokrizi e vonesë – përpiqet ta quajë atë që ndodh në Gaza me emrin e vet: gjenocid, një njeri nga Beogradi, nga errësira e pushtetit që i ngjan depo-ve të luftës së vitit ‘95, krenarisht deklaron se Serbia ishte e para që “ndihmoi”. Që “u përfshi”. Që i mbushi tytat e tankeve izraelite.

Gjenocide të lidhura, e njëjta logjistikë

Shikoni me kujdes ato imazhe: duart e fëmijëve që dalin nga rrënojat në Rafah, dhe kujtoni duart e fëmijëve nga Kravica. Mos harroni fytyrat e mjekëve që pa narkozë qepin plagët e foshnjave – dhe mos harroni motrat në Potoçari që shihnin vëllezërit e tyre teksa i merrnin.

Dhe derisa Izraeli justifikohet me “vetëmbrojtje”, e Vuçiq me “traditën e miqësisë”, ajo që mbetet është kjo:
logjistika e genocidit dhe municioni i genocidit janë gjithmonë të njëjtë – dhe gjithmonë me adresë beogradase.

Këtu nuk bëhet fjalë për politikë. As për gjeopolitikë.
Bëhet fjalë për një plumb që vret një fëmijë. Për një plumb që ka kaluar doganën e Serbisë, ka marrë leje eksporti, është ngarkuar në avion – dhe ka përfunduar në trupin e një fëmije palestinez që quhej Amal, apo Hadi, apo Leila.
Ashtu siç dikur quhej Samira. Apo Fikret. Apo Nermin.

“Nuk dinim.” – E e dini gjithçka!

Kur, ndoshta edhe nesër, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së shpall zyrtarisht gjenocidin ndaj palestinezëve, siç pati guxim ta shpallte së fundmi për Srebrenicën – do ta dëgjojmë sërish këngën e vjetër nga Serbia:
“Nuk dinim. Nuk ishim të përfshirë. Vetëm eksportonim municion.”

Por e dinit.
E dinit se po vriten civilë.
E dinit se qytetet e rrënuara nuk mund të justifikohen me “luftë kundër terrorizmit”.
E dinit se po furnizonit një ushtri që nuk bën më dallim as mes shkollave, xhamive apo spitaleve.

E megjithatë, Vuçiq thotë: “Izraeli është miku ynë.”
Po a ishte edhe Mladiqi miku juaj? Sigurisht. Ishte në listën e pagave të Republikës së Serbisë.

Sepse këtu nuk bëhet më fjalë për metafora.
Bëhet fjalë për vazhdimësi. Për të njëjtin refleks shtetëror që dërgonte kamionë me municion në Bratunac. Dhe për të njëjtat rimorkio që sot dërgojnë “ndihmë ushtarake” për regjimin izraelit.

“Kombe të afërta”, thotë Vuçiqi

“Kombi i afërt”, thotë ai. Dhe nuk e ka fjalën për kulturën, letërsinë apo të drejtat e njeriut. Jo. Ai flet për pushkën. Për objektivin. Për plumbin. Për breshërinë.
Afërsia matet me sasinë e barutit të eksportuar. Me heshtjen për gjenocidin. Me qytetet e mbushura me “investime izraelite”, ndërsa ndërgjegjet janë bosh.

Imagjinoni këtë: ushtria izraelite hedh bomba mbi shkollat e OKB-së, dhe në sfond dëgjohet zëri i municionit serb.
Kjo nuk është “biznes”. Kjo është bashkëfajësi. Kjo nuk është “tregti”. Kjo është vetëvrasje historike e një kombi që, edhe pas vetë një gjenocidi të pësuar, nuk do të mësojë.

Kur të vdesë fëmija i fundit

Një ditë, kur të vdesë fëmija i fundit në Gaza nën municionin tuaj, Vuçiq, do ta thuani sërish atë fjali të përjetshme të nacionalizmit serb:
“Nuk e dija.”

Ashtu siç “nuk dinte” Millosheviqi.
Ashtu siç “nuk dinte” Shesheli.
Ashtu siç “nuk dinte” Tadiqi kur kthehej pas në retrospektivë.
Ashtu siç “nuk di” opozita e ashtuquajtur.
Ashtu siç “nuk di” Kisha e Serbisë.

Por historia di.
Ajo mban mend kodet e produkteve.
Mban mend deklaratat e eksportit.
Mban mend datat e dërgesave.
Mban mend heshtjen, përbuzjen, arrogancën dhe “neutralitetin” e rremë.

Dhe pikërisht për këtë, do ta mbajë mend Serbinë si bazën logjistike të genocidit.
Së pari në Srebrenicë. Tani në Gaza.
E nesër? Kush e di ku. E rëndësishme është që tytat të mbesin të mbushura.
Dhe që plumbat me pagesë të dorëzohen në kohë.

Dhe mallkuar qoftë çdo plumb që nuk përfundoi në pushkën e rezistencës, por në trupin e një fëmije të pafajshëm.

 

(Përkthim në shqip nga origjinali i Radiosarajevo.ba)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit