Nevoja për kthjelltësi në turbullirë, për qetësi në kakofoni, për ftohtësi në nxehtësi
Gjatë këtyre ditëve, si rrallëherë, kam ndier nevojën të shkruaj. Jo për të bindur dikë, as për të polemizuar me askënd, por për të ndarë disa reflektime personale mbi çështje që në pamje të parë mund të duken të ndryshme, por që për mua lidhen me njëra-tjetrën. Të tre shkrimet që kam botuar këto ditë janë shkruar në kohë të ndryshme dhe për tema të ndryshme, por në thelb kanë të bëjnë me raportin tonë me institucionet, me hapësirën publike dhe me përgjegjësinë që secili prej nesh ka kur zgjedh të flasë në emrin e vet.
I pari ishte “Midis Europës dhe Gogolës së Fishtës”. Nga dëshira që fëmijët e mi të jenë qytetarë europianë, bëra një shkrim reflektues ku në thelb ishte përmbushja e kritereve europiane dhe një pakt i gjerë politik për Europën, që do të ishte në nderin e partive politike shqiptare, por edhe të shoqërisë shqiptare në tërësi, për të kapur këtë moment që ka ardhur jo vetëm si rezultat i përpjekjeve tona, por edhe si pasojë e zhvillimeve ndërkombëtare.
Në atë shkrim kam shprehur bindjen se integrimi europian nuk duhet të mbetet çështje e një qeverie apo e një partie të vetme politike, por një objektiv i përbashkët kombëtar. Kam folur për nevojën e një pakti të gjerë politik për Europën dhe për vendosjen e disa kufijve të dakordësuar ndërmjet palëve politike, në mënyrë që procesi i integrimit të mos kushtëzohet nga konfliktet e ditës. Në thelb, ideja ime ishte që Shqipëria ta shfrytëzojë këtë moment historik me mençuri dhe që Europa të trajtohet si një interes kombëtar mbi ndarjet politike.
Shkrimi i dytë ishte “Teologu midis angazhimit fetar dhe atij publik”. Ai trajtonte në thelb tranzicionin e komuniteteve fetare dhe raportin e tyre me hapësirën publike. Sipas bindjes sime, hoxha apo teologu duhet të ndërtojë shtëpinë e tij, të forcojë institucionin që përfaqëson dhe më pas të japë opinionet e veta personale për publikun e gjerë dhe të analizojë çështje me karakter të veçantë. E theksoj personale, sepse opinionet institucionale kanë hierarkinë, përgjegjësitë dhe adresat e tyre.
Përmes këtij shkrimi kisha për qëllim një pajtim me historinë e dhimbshme shqiptare dhe një reflektim mbi nevojën për forcimin e institucioneve tona fetare. Nuk pretendoj që shkrimet e mia janë e vërteta absolute, por mendoj se kush zgjedh të flasë në mënyrë private për çështjet publike duhet të ruajë disa parime elementare.
Minberët e xhamive nuk janë për të sulmuar persona të caktuar. Kjo nuk është traditë profetike. Po ashtu, mendimet personale nuk duhet të shndërrohen në përplasje publike mes hoxhallarëve nga minberi. Dhe mbi të gjitha, publikut duhet t’i sqarohet dallimi ndërmjet rolit institucional dhe mendimit personal.
Unë nuk besoj se ekziston një vijë e prerë ndarëse ndërmjet hoxhës në xhami dhe hoxhës jashtë saj. Hoxha mbetet hoxhë dhe teologu mbetet teolog. Megjithatë, publiku shpesh e lidh atë jo vetëm me formimin e tij, por edhe me emërimin komunitar, funksionin që mban dhe institucionin që përfaqëson. Prandaj, sipas mendimit tim, çështja nuk është ndarja midis hoxhës në xhami dhe hoxhës jashtë saj, por qartësia mbi cilësinë me të cilën ai flet dhe vepron.
Shkrimi i tretë ishte një reflektim mbi Zvërnecin. Në të kam përmendur të drejtën për të protestuar si një fenomen shpresëdhënës në shoqërinë shqiptare, veçanërisht te të rinjtë. Kam shprehur gjithashtu mbështetjen time për investimet private, duke u ndarë ideologjikisht nga shtetëzimi ekonomik. Si besimtar mysliman, mendoj se e drejta e pronës, e biznesit dhe e privatit zënë një vend të rëndësishëm në rendin shoqëror.
Kam folur vetëm për Zvërnecin dhe jo për Sazanin. Në atë shkrim kam shprehur mendimin se çështja e pronës në Shqipëri mbetet një problem real i shoqërisë sonë dhe, në shumë raste, një çështje administrative e pazgjidhur prej dekadash. Kjo është një plagë e njohur e tranzicionit shqiptar dhe nuk lidhet vetëm me një rast apo me një investim të caktuar.
Po ashtu, nuk kam trajtuar marrëdhëniet ndërmjet oligarkisë dhe pushtetit politik. Jo sepse kjo çështje nuk ekziston apo nuk është e rëndësishme, por sepse objekti i shkrimit ishte tjetër. Të gjithë e dimë se investimet e mëdha në Shqipëri, ashtu si në shumë vende të tjera, vijnë shpesh të shoqëruara me influencë politike dhe me debate mbi raportin ndërmjet biznesit dhe pushtetit. Por ky nuk ishte fokusi i atij shkrimi.
Në fund të atij shkrimi kam shprehur një shqetësim më të gjerë: Shqipëria është një vend i vogël dhe kur fton elefantë të mëdhenj duhet të ketë kujdes që të mos e kthejë veten në një arenë elefantësh, sepse elefanti të shtyp edhe nga dashuria. Në këtë kuptim kam trajtuar tërthorazi marrëdhëniet Shqipëri–SHBA në dimensionin e tyre gjeopolitik.
Po ashtu, kam dashur të përcjell një mesazh për klerikët myslimanë që angazhohen në debatet publike. Sipas mendimit tim personal, është e rëndësishme të ruajmë qartësinë ndërmjet rolit fetar, përgjegjësisë institucionale dhe angazhimit qytetar. Nuk bëhet fjalë për ndarje artificiale ndërmjet këtyre roleve, por për vetëdijen mbi cilësinë me të cilën flasim në një moment të caktuar.
Të paktën në këtë protestë duket se ka nga të gjitha ngjyrat e shoqërisë shqiptare. Ndërkohë, debati i ditëve të fundit e ka zgjeruar diskutimin edhe në dimensione të tjera, përfshirë raportin me Iranin dhe zhvillimet ndërkombëtare.
Për t’ua kujtuar miqve dhe kolegëve të mi, kjo ka qenë qasja ime edhe në shkrime të mëparshme, qoftë në raport me opozitën iraniane, qoftë në tema të tjera ndërkombëtare. Jam përpjekur të jap mendime që përfaqësojnë vetëm mua.
Në fund, po ndaj edhe një reflektim më të gjerë, i cili ndoshta do të jetë objekt i një shkrimi të katërt. Teksa ndjek zhvillimet e këtyre ditëve, më vijnë ndër mend disa nga mësimet e Pranverës Arabe. Shqipëria nuk është Lindja e Mesme dhe krahasimet e drejtpërdrejta duhen bërë me kujdes, por çdo shoqëri ka diçka për të mësuar nga përvojat e të tjerëve. Ndoshta herën tjetër do të ndalem pikërisht te disa prej këtyre mësimeve.
Atij që i pëlqejnë këto mendime, Zoti ia shpërbleftë. Atij që nuk i pëlqejnë, e ka të lehtë: i fshin dhe vazhdon rrugën e vet.
Profeti ynë ka thënë: “Zoti e mëshiroftë atë që e di sa peshon.” Ndërsa urtësia popullore shqiptare na kujton: “Shtrije jorganin aq sa ke këmbët.”
Ndoshta të dyja thonë të njëjtën gjë: njohu kufijtë e vetes dhe mos harro masën.
