10.3 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Disa aspekte të agjërimit në Islam

Më të lexuarat

Nga Dr. Arqile BOTI

Duke dashur të informoj publikun, besimtarët për rëndësinë e agjërimit, do të përpiqem, me ndihmën e Zotit të madhëruar, ta shqyrtoj agjërimin në përgjithësi dhe agjërimin e Ramazanit në veçanti, në disa aspekte, që së bashku përbëjnë themelin dhe esencën e kuptimit të tij. Aspekti historik I dërguari i Zotit të madh, profeti Muhamed a.s., me revelatat dhe obligimet nga Zoti, saktësoi si një detyrë fetare agjërimin një mujor në muajin e Ramazanit, për çdo besimtar i cili do të jetë në gjendje të mirë shëndetësore për ta plotësuar këtë obligim. Profetët e dërguar, më të zgjedhurit e Zotit, e kanë shpallur dhe zbatuar agjërimin si një ndër shtyllat themelore të besimit dhe përkushtimit te Zoti. Ata jo vetëm e kanë shpallur nocionin e agjërimit, por edhe e kanë zbatuar vetë atë, duke u bërë shembull devocioni ndaj Zotit dhe besimit ndaj Tij.

 

Të dërguarit, shpalljet dhe mesazhet e marra nga Zoti, i zbatonin vetë e pastaj ua shpallnin besimtarëve dhe popullit. Pra për një obligim, i shpallur nga të gjithë profetët e Zotit, derisa gjeti mishërimin përfundimtar të tij në Kur’an me ardhjen e muajit të Ramazanit. Cilat janë premisat filozofike të agjërimit? Kjo është e thjeshtë, po t’i referohemi Gjenezës dhe sures Bekare në Kur’an. Njeriu, duke qenë një qenie dualiste, mbart mbi vete kontradiktën ndërmjet dëshirave dhe kërkesave të trupit, që janë materiale, si p.sh. ushqim etje për ujë, epshet të ndryshme, veshjes dhe karakteristikave e synimeve të shpirtit, që kërkon t’i afrohet sa më afërt Zotit. Pikërisht në sajë të kësaj kontradikte shpirt-trup dhe kërkesa të ndryshme, që shpesh janë të kundërta, njeriu, si krijesa më e lartë e Zotit, pati nderin që të jetë objekt i sexhdes, i nderimit nga engjëjt me porosi të Zotit. Nëpërmjet agjërimit, në mënyrë simbolike, duke qenë akoma në jetën e kësaj bote, i afrohet Zotit shpirtërisht, meqenëse duke dobësuar dëshirat trupore me anë të urisë dhe etjes, i japin njëfarë liri shpirtit njerëzor, që të afrohet e të ndjejë Krijuesin e vet, që është Zoti. Teoricienët, përfaqësues të materializimit, pretendojnë se kanë zbuluar ligjin e unitetit dhe të luftës së të kundërtave në fenomenet e natyrës dhe të shoqërisë.

 

 

Por, kur vjen puna tek uniteti shpirt-trup, ata e mohojnë shpirtin, duke mos u treguar konsekuentë në zbatimin e ligjit të tyre mbi luftën e të kundërtave. Duhet ta dinë mirë që kualitetin e fenomeneve të botës dhe kualitetin shpirt-trup të krijesës njerëzore, e kanë shkruar librat fetarë që në kohën e krijimit të njeriut. Prandaj teoricienët e filozofisë materialiste dialektike nuk kanë bërë asnjë shpikje të re. Aspekti psikologjik Dihet mirë nga psikologjia që në një ndër shkaqet themelore të çrregullimeve psiko-neurotike, përbën konfliktin midis kompleksit emocional dhe instinkteve, nga njëra anë, të shprehura me dëshirat trupore dhe asaj midis kompleksit logjik dhe arsyes, që përbën aspekte të ndryshme të procesit të të menduarit, si: gjykimin, kujtesën, imagjinatën, intuitën, etj. Ndërmjet këtyre ekziston një ndeshje e përplasje, që shpesh kalon në shpërthime emocionale, që shfaqen me neuroza të ndryshme, që aq shumë janë përhapur sot në vendet e konsideruara të qytetëruara. Agjërimi në këtë rast, duke ulur intensitetin e instinkteve dhe emocioneve shtazore e trupore, influencon, në mënyrë efikase dhe të padiskutueshme, në vendosjen e ekuilibrit logjikë-kompleks instinktesh dhe emocionesh, për pasojë dhe ekuilibrin psikik.

 

 

Nuk është e rastit, që në disa klinika psikiatrike të sëmurët agresivë i kurojnë me sukses në kompleksin e kurimit me dietë urie, dhe shpesh, të sëmurët neurotikë e kërkojnë vetë këtë. Pra, agjërimi luan rol vendimtar në vendosjen e ekuilibrit psikologjik të qenies njerëzore. Aspekti social Duke luajtur rol të rëndësishëm në ekuilibrin psikologjik të njeriut, agjërimi luan rol direkt në uljen e kriminalitetit dhe konsumit të drogës, sepse, duke mposhtur instinktet e egra me anë të urisë, eviton krimet që vijnë nga shpërthimet e instinkteve dhe droga. Me këtë rast, dua të theksoj se pretendimi i Zigmund Frojdit dhe i përkrahësve të tij, se liria e seksit sjell ekuilibrin psikologjik dhe lumturinë njerëzore, hidhet poshtë nga praktika e jetës, sepse, pikërisht, atje ku është materializuar ajo, atje sëmundjet psikike, deziluzioni dhe droga kanë gjetur terren të përshtatshëm për t’u zhvilluar. Vetëm ligjet dhe rregullat e vendosura nga Zoti, nëpërmjet profetëve të tij, në rastin tonë agjërimi në përgjithësi dhe agjërimi i Ramazanit në veçanti, bëri që të arrihet një komunitet njerëzor, që kërcënohet shumë më pak nga krimet dhe droga. Këtë e ka vërtetuar më së miri historia dhe jeta e kaluar dhe e sotmja. Aspekti njerëzor Për sa i përket këtij aspekti, agjërimi jo vetëm që luan rol vendimtar në ekuilibrin psikik të njerëzve, por eviton edhe disa sëmundje, që janë karakteristikë e shekullit tonë. Dihet tashmë që literatura mjekësore e ditëve tona rekomandon gjithnjë e më shumë luftën kundër obezitetit, ose dhjamosjes, me dieta urie, ose me fruta e zarzavate. Një agjërim është i pazëvendësueshëm në luftën kundër obezitetit, hipertensionit, sëmundjeve të zemrës, sëmundjeve të mëlçisë së zezë dhe, në përgjithësi, kundër alkoolit.

 

Aq më tepër që feja dhe mjekësia janë të lidhura pazgjidhshmërisht me njëra-tjetrën, pasi në qendër të vëmendjes kanë njeriun, si krijesë të Zotit të madh. Në suren A’rafë, në ajetin 31, thuhet: “O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (lutje), hani dhe pini dhe mos e teproni, sepse Ai (Allahu) nuk i do ata që e teprojnë.” Dhe agjërimi i Ramazanit nuk ka qëllim të dëmtojë shëndetin e njerëzve, siç mendojnë disa materialistë ose ateistë. Ai ka për qëllim pikërisht të heqë e të eliminojë teprimet. Agjërimi nuk do të kishte asnjë vlerë në qoftë se do të mbahej për të mashtruar opinionin, ose si i imponuar nga të tjerët. Agjërimi i Ramazanit është në radhë të parë një obligim fetar, që ka dhe vlera mjekësore. Në këtë mënyrë, agjërimi e veçon njeriun nga bota shtazore.

 

Duke e paraqitur si teori të preferuar, teorinë darviniste të prejardhjes së njeriut nga majmuni, materialistët dhe ateistët e të gjitha ngjyrave kërkojnë të justifikojnë teorinë e seleksionimit natyror, që përshkon jetën e botës shtazore. Pra agjërimi i Ramazanit nuk është një nocion dhe një veprim i pakuptimtë, siç mendojnë disa ateistë të hapur dhe jo të hapur, por ka një bazë filozofike, sociale dhe mjekësore. Duke u uruar besimtarëve myslimanëve agjërim sa më të lehtë, të mbarë e të suksesshëm, lutem që Zoti të jetë me ta.

Botuar për herë të parë në gazetën “Drita Islame”, nr 3 (46), shkurt 1994: 4.

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit