7 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Jeta brenda agjërimit

Më të lexuarat

Nga Ervin Hatibi

Muaji i madh i Ramazanit, me veçoritë me të cilat Zoti e ka dalluar nga muajt e tjerë, bashkon brenda vetes vetëmohimin fisnik të agjërimit, përbashkimin e familjeve e vëllazërisë rreth sofrave të iftarit, përfshin në vetvete një natë me peshë vitesh si nata mistike e Kadrit, përfshin një pelegrinazh kaq masiv të përnatshëm të myslimanëve drejt xhamive për faljen e teravive, e në fund, për pranimin e gjithë kësaj larmie veprash të bëra gjatë gjithë këtyre ditëve, Allahu xh.sh., ka caktuar për çdo besimtar sadakanë e fitrit, dhënien e ushqimit për nevojtarët, në orët e çmuara para festës së Bajramit. Kështu, brenda Ramazanit mund të shohim të zvogëluar në një përmasë mujore modelin e përkryer të jetës së myslimanit të mirë, historinë e jetës së robit të përkushtuar ndaj Të Zotit të tij që e krijoi, përkushtimit përmes privimit të vetes nga dëshirat trupore, për të provuar bindjen e dashurinë ndaj Zotit e njohjen e mirëkuptimin e madhështisë së Tij.

 

I Dërguari i Allahut a.s. transmetohet të ketë thënë: “Kjo botë është burgu i besimtarit dhe parajsa e mosbesimtarit”. Fjalët më të vërteta për të kuptuar ç’është besimi e çfarë kjo botë! E kuptimin më të saktë e më të përmbledhur të kësaj fjale të mençur mund ta gjejmë gjatë ditëve të Ramazanit, ku burgosim trupat tanë në uri e etje, për të çliruar zemrat që të fluturojnë e të afrohen me Zotin e tyre… E më pas, ditën e parë pas këtij muaji, Allahu na ka urdhëruar të tubohemi në grupime sa më të mëdha për t’iu falur atij duke madhështuar emrin e Tij me tekbire të shumta, e duke festuar nën emrin e Tij. Këtë ditë myslimanët peshojnë me veten veprat që kanë bërë gjatë këtij muaji, sa të mira e sa të këqija, përpiqen të kuptojnë se sa kanë përfituar nga mundësitë e pamata të këtij muaji për falje mëkatesh.

 

Allahu i kishte hapur këtë muaj dyert e xhenetit dhe të mëshirës, por sa deshe ti të futesh në to? Allahu i kishte lidhur shejtanët dhe mbyllur dyert e xhehenemit, por pse ti me veprat e tua deshe të afrohesh me to? Kjo është edhe historia e jetës së njeriut, të cilin Allahu e krijoi të pastër, i hapi dyert e mëshirës duke i dhënë fitran, natyrshmërinë për të adhuruar Krijuesin e tij, e i tregoi dy rrugët: rrugën e burgosjes së përkohshme të epshit në këtë jetë, për të fituar parajsën e përhershme, dhe rrugën tjetër për të kënaqur epshin pafre në kopshtin e jetës që vyshket, për të përfunduar në burgun e përhershëm të xhehenemit (emri i një pjese të të cilit, Allahu na ruajt prej hyrjes aty, në Kur’an është quajtur pikërisht Sixhxhin-burg tmerrësisht i ngushtë…). Dhe pas kësaj jete, vjen Dita e Fundit, ku njerëzit grumbullohen për t’u ndarë më pas sipas rrugëve që vetë i zgjodhën në jetë, në bindje apo jobindje ndaj Fjalës së Zotit.

 

Kështu edhe i Dërguari i Allahut a.s. kur na shpall se dy kënaqësitë e agjëruesit janë, e para kur çel iftarin pas agjërimit e nis të hajë, dhe dyta kur takon Zotin e vet, na jep mundësinë që vërtet jetën në besim ta paralelizojmë me agjërimin, dhe përfundimin e mirë të kësaj jete, me fitrin, çeljen e agjërimit.

 

Allahu na bëftë prej agjëruesve të dynjasë e shijuesve në përjetësi të ahiretit, prej atyre që ashtu si pas Ramazanit tubohen nën hijen e xhamisë ditën e Fitrit, të tubohemi edhe Ditën e Gjykimit nën flamurin e Muhamedit a.s., e nën hijen Arshit, Fronit të Allahut.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit