12.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

BDI-ja e Ali Ahmetit i kthehet agjendës së gjelbërimit

Më të lexuarat

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar se “gjelbërimi do të bëhet shtylla kryesore e programit të saj partiak”.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti të shtunën, tha para mediave se partia e tij, që është në pushtet në 19 vjetët e fundit, “pasi ka arritur të realizojë të drejtat kombëtare, ka anëtarësuar vendin në NATO, ka hapur shumë shkolla e universitete, tani ka vendosur që të fokusohet në agjendën e gjelbër evropiane për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”, duke u ofruar gjelbërim dhe ambient të pastër.

“Kur isha i ri, pinim ujë nga lumenjtë e pastër, që sot janë aq të ndotur sa paraqesin rrezik për shëndetin dhe mjedisin…do të punojmë për gjelbërim të vendbanimeve tona, për ambient të pastër dhe jetë më të mirë”, ka deklaruar Ahmeti.

BDI-ja është parti e dalë nga lufta e vitit 2001 në Maqedoninë e Veriut, dhe ka trashëguar ish-Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare.

Opozita shqiptare vendimin e BDI-së e ka quajtur hipokrizi dhe mungesë të fuqisë për zgjidhjen e shumë problemeve e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Një parti e dalë nga lufta, që nga emblema kuq e zi, kaloi në ngjyrë të kaltër, sot po tenton të mashtrojë qytetarët dhe në veçanti shqiptarët me ngjyrën e gjelbër. Ende pa zgjidhur problemet kombëtare apo tematike siç pretendojnë t’i quajnë ata, sot thanë se do të merren me punë të gjelbra”, ka deklaruar zëdhënësi i Aleancës për Shqiptarët Flakron Bexheti.

Partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE, ka thënë se BDI-ja me këtë vendim që të merret me gjelbërimin, në fakt “i kthehet rrënjëve të saj”.

“Së pari është e qartë se BDI-ja tashmë nuk ka ide të freskëta. Nuk ka se çfarë t’u ofrojë qytetarëve pasi është fundosur në probleme të rënda, në krim dhe korrupsion. E dyta se BDI-ja u kthehet rrënjëve. Ata filluan diku kah viti 2001 pikërisht si parti e gjelbër nga malet e Maqedonisë, kështu që, është e qartë se ajo po u kthehet rrënjëve të saj”, ka deklaruar nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikolovski.

Vendimin për ndryshueshmin e platformës programore, BDI-ja e bëri të ditur në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit