Ushtria e okupimit izraelit përdor terma për të përpiqur të fshehë përmasat e krimeve të luftës që kryen. Një prej këtyre termave është “dëm anësor”, që nënkupton vrasjen e civilëve gjatë një sulmi ajror, për të cilin ushtria pretendon se kishte në shënjestër luftëtarë, ndonëse dëshmorët civilë në luftën në Gaza përbëjnë shumicën dërrmuese të të gjithë dëshmorëve.
Këtë javë u anulua një takim i planifikuar midis komandës jugore të ushtrisë izraelite dhe forcave ajrore, me pjesëmarrjen e komandantëve të këtyre forcave, për shkak të tensioneve brenda ushtrisë që kanë të bëjnë me “dëmin anësor” në Rripin e Gazës si rezultat i sulmeve ajrore izraelite – pra, me qytetarët që vdesin, edhe pse sulmi nuk është drejtuar ndaj tyre, sipas një raporti të gazetës Yedioth Ahronoth sot, të premten.
Megjithëse dhjetëra mijëra civilë palestinezë janë vrarë nga bombardimet ajrore që konsiderohen si sulme “precize”, gazeta i përshkruan ata si “të vdekur”, sikur të kishin vdekur nga sëmundje ose shkaqe natyrore.
Vlen të theksohet se 51,335 dëshmorë kanë rënë që nga fillimi i luftës, përfshirë 1,978 dëshmorë që janë vrarë pas rifillimit të luftës më 18 mars të kaluar. Janë plagosur 117,248 persona, përfshirë 5,207 pas rifillimit të luftës, sipas statistikave të publikuara dje nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza.
Komandanti i komandës jugore është përgjegjës për luftën në Gaza nga ana e ushtrisë izraelite, dhe ka autoritet për përdorimin e forcës ushtarake si dhe udhëheq trupën që përcakton objektivat ditore. Ndërsa forcat ajrore vendosin mënyrën e sulmit dhe municionin që do të përdoret.
Sipas gazetës, “pakënaqësia është rritur në forcat ajrore ndaj komandës jugore në muajt e fundit. Një nga arsyet është numri i madh i civilëve të vrarë në disa prej sulmeve pas rifillimit të luftës.” Ajo shtoi se “tensioni është shumë i lartë, në atë masë saqë komandanti i forcave ajrore, Tomer Bar, ka filluar këtë javë të miratojë personalisht sulmet ajrore”, ndonëse kjo nuk ka ndikuar në numrin e dëshmorëve civilë nga Gaza që vazhdojnë të bien me dhjetëra çdo ditë.
Megjithatë, komandanti i forcave ajrore konsideron se sulmet që ai miraton “përputhen me vlerat dhe profesionalizmin e ushtrisë izraelite”, sipas gazetës. Por del se kjo nuk ka të bëjë me civilët në territorin palestinez, por më shumë me faktin që “çdo situatë ku ‘dëmi anësor’ tejkalon pritshmëritë, konsiderohet si rrezik serioz për jetën e të rrëmbyerve.”
Krimet e Izraelit ndaj civilëve palestinezë janë të rrënjosura në ushtrinë izraelite. Në korrik të vitit 2002, Izraeli vrau me një sulm ajror udhëheqësin e Hamasit, Salah Shehade, duke hedhur një bombë një ton në shtëpinë e tij në qytetin e Gazës. Nga ky sulm humbën jetën Shehade dhe ndihmësi i tij, si dhe 13 civilë, ndër ta 9 fëmijë. Komandanti i forcave ajrore në atë kohë, Dan Halutz, në një intervistë gazetareske përshkroi ndjesinë e tij pas një sulmi të tillë: “Ndjej një goditje të lehtë në krahun e avionit si rezultat i lëshimit të bombës. Pas një sekonde gjithçka përfundon. Kaq është.”
Gazeta shtoi se “pilotët dhe naviguesit ajrorë duan të sigurohen që objektivi është i saktë, dhe nëse goditen civilë, numri i tyre të jetë i njohur, i kufizuar dhe i arsyeshëm. Kjo është çështje ligjore – duhet të ketë proporcionalitet mes rëndësisë së objektivit dhe dëmit që vjen si rezultat i goditjes.”
Një pilot ushtarak izraelit tha: “Pilotët dhe naviguesit që kryejnë misione në Gaza mund të vrasin dhjetëra njerëz me një bombë të vetme, prandaj ata duhet të dinë sa më shumë rreth objektivit. Kjo është fryma e forcave.” Sipas gazetës, pilotët marrin paraprakisht informacione rreth “dëmit anësor të mundshëm”.
Por gazeta bëri të ditur se në muajt e fundit, “pilotët zbulojnë pas kryerjes së sulmit se numri i civilëve të vrarë është shumë më i madh”, dhe kur forcat ajrore hapin hetim mbi shkakun e këtyre numrave të lartë të viktimave civile, “nuk marrin bashkëpunim të duhur”, sipas pretendimeve të zyrtarëve të lartë të forcave ajrore.
