CBS News zbulon “Operacionin Beeper”: 10 vite përgatitje, kompani fantazmë dhe mijëra pajisje të minuara që goditën Hezbollahun

Më të lexuarat

CBS News zbulon “Operacionin Beeper”: 10 vite përgatitje, kompani fantazmë dhe mijëra pajisje të minuara që goditën Hezbollahun

Një intervistë ekskluzive në programin amerikan “60 Minutes” të CBS News ka zbuluar detaje të reja dhe të ndjeshme mbi “Operacionin Beeper”, një operacion të fshehtë të Mossadit izraelit që kulmoi më 17 shtator 2024, duke goditur rrjetin e komunikimit të Hezbollahut. Raporti ka hapur një debat të gjerë etik dhe politik, sidomos pas zbulimit se operacioni u përgatit për një dekadë dhe kishte pasoja të rënda për civilët.

10 vite planifikim për një operacion të padëgjuar

Sipas CBS News, planifikimi i operacionit filloi 10 vjet më parë, duke treguar nivelin e jashtëzakonshëm të investimit dhe durimit strategjik të Mossadit. Agjentët izraelitë ngritën një rrjet ndërkombëtar kompanish fantazmë, të krijuara posaçërisht për të zhvilluar, prodhuar dhe shpërndarë pajisje të rreme komunikimi, pa ngjallur dyshime tek furnitorët dhe tek Hezbollahu.

Pajisjet e minuara: prodhim i plotë izraelit

Mossadi kishte informacion se Hezbollahu po planifikonte të blinte pajisje thirrëse nga kompania tajvaneze Gold Apollo. Por pajisjet origjinale ishin të vogla për të mbajtur lëndë shpërthyese. Prandaj, që në vitin 2022, shërbimet sekrete izraelite nisën prodhimin e pajisjeve të tyre të posaçme, të minuara, por të maskuara si pajisje komunikimi.

Për të mashtruar Gold Apollo-n, Mossadi ngriti një kompani të rreme në Hungari, duke porositur pajisjet dhe duke i futur ato në zinxhirin e furnizimit si produkte legjitime.

Të gjitha pajisjet si forma, materiali, teknologjia dhe lëndët shpërthyese u prodhuan nga vetë shërbimet izraelite.

Fushata e mashtrimit: reklama të rreme në YouTube

Për të rritur besueshmërinë, Mossadi krijoi një fushatë reklamuese të rreme në YouTube, ku promovonte pajisjet si tepër të qëndrueshme, rezistente ndaj ujit e pluhurit, me jetë të gjatë baterie dhe efikasitet të lartë.
Kjo fushatë, sipas CBS, ishte pjesë e planit për të bërë pajisjet të duken plotësisht të sigurta dhe të besueshme për blerësit.

Hezbollahu blen mbi 16 mijë pajisje

Rezultati ishte i qartë: Hezbollahu bleu më shumë se 16 mijë pajisje të minuara pa e ditur origjinën e tyre të vërtetë. Shpërthimi i koordinuar i tyre më 17 shtator 2024 shkaktoi një nga incidentet më të mëdha të dekadës në Liban, me dhjetëra të vrarë dhe qindra të plagosur, ndër ta shumë civilë.

Kritikat ndaj CBS: “Heroizim i agjentëve”

Publikimi i CBS News nuk kaloi pa debat. Rrjeti mediatik u kritikua për mënyrën se si dy agjentët izraelitë u paraqitën si “heronj”, pa theksuar faktin se operacioni rezultoi në vdekjen e civilëve dhe krijoi një precedent të rrezikshëm në luftën e inteligjencës.

Analistët e kanë cilësuar këtë operacion si një “pikë kthese të errët” në përdorimin e teknologjisë si armë të maskuar, ndërsa organizatat e të drejtave të njeriut kërkojnë hetime ndërkombëtare.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit