17.4 C
Pristina
Thursday, May 2, 2024

Çavuşoğlu: Ballkani ka vend të posaçëm në politikën e jashtme të Turqisë

Më të lexuarat

“Ne mbështesin plotësisht nismat e Ballkanit Perëndimor në rrugën e integrimeve euroatlantike. Disa shtete evropiane e shohin Ballkanin si një arenë konkurrimi”

 

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka mbërritur në Shqipëri në kuadër të vizitës së tij zyrtare. Ministri turk ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së vitit të ri akademik në universitetin e Fondacionit Turk Maarif, Universitetin New York Tirana, raporton Anadolu Agemcy (AA).

Ministri Çavuşoğlu mbajti një fjalë përshëndetëse në ceremoninë e organizuar në Universitetin New York Tirana, duke ju uruar suksese studentëve të këtij universiteti dhe stafit të pedagogëve për fillimin e vitit të ri akademik.

“Fondacioni Turk Maarif ka mbështetjen tonë të plotë dhe përgjatë dy viteve është shumë aktiv në mbi 30 vende me shkollat dhe universitetet, si dhe me hapjen e shkollave të reja”, tha ministri turk.

Ministri Çavuşoğlu gjithashtu i konsideroi të rëndësishme marrëdhëniet mes dy shteteve, por edhe mes dy popujve.

Po ashtu, në fjalën e tij, shefi i diplomacisë turke theksoi nevojën që organizatat dhe sistemet ndërkombëtare të jenë më efikase.

“Cila politikë e Bashkimit Evropian është e kënaqshme për Ballkanin Perëndimor? A mundet Kombet e Bashkuara ta përfaqësojnë botën sot? Jo. A janë gjithëpërfshirëse? Jo. A janë përfaqësuese? Jo. A mundën të ndalin ndonjë konflikt? Jo”, u shpreh Çavuşoğlu, duke shtuar se bota ka nevojë për organizata më të forta ndërkombëtare për zgjidhjen e konflikteve.

“Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të mobilizohet. Duhet të jetë më demokratik dhe më përfaqësues. Ashtu siç ka nënvizuar presidenti ynë, bota është më e madhe se pesë”, shtoi ai.

Ai po ashtu tha se organizata terroriste FETO është mjaft aktive në Shqipëri dhe shtoi se ajo do të përbëjë kërcënim për cilindo shtet që e toleron atë.

Çavuşoğlu tha se Ballkani ka vend të posaçëm në politikën e jashtme të Turqisë, duke theksuar se Turqia do të kontribuojë për stabilitetin dhe mirëqenien e këtij rajoni.

“Ne mbështesin plotësisht nismat e Ballkanit Perëndimor në rrugën e integrimeve euroatlantike. Disa shtete evropiane e shohin Ballkanin, veçanërisht Ballkanin Perëndimor, si një arenë konkurrimi mes vete ose shteteve të tjera, madje, disa herë, ta lëmë Rusinë dhe të tjerët, në mes tyre dhe Turqisë. Ne nuk e shohim Ballkanin si arenë konkurrimi me ndonjë shtet tjetër ose me organizimin rajonal. Ne e shohim atë si një arenë për bashkëpunim më të mirë”, deklaroi Çavuşoğlu.

“Integrimi i Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike është shumë i rëndësishëm. Sot Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ne jemi të kënaqur nga bashkëpunimi ynë edhe atje”, shtoi shefi i diplomacisë turke.

Ministri turk gjithashtu nënvizoi se Turqia do të kontribuojë në vendet e Ballkanit edhe përmes investimeve.

“Vetëm në Shqipëri, vlera e investimeve direkte arrin në mbi 2,5 miliardë dollarë, teksa në të njëjtën kohë i inkurajojmë firmat tona t’i rrisin investimet”, tha Çavuşoğlu.

Përfaqësuesi i Fondacionit Turk Maarif, Osman Nuri Kabaktepe, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se ky fondacion është një institucion jofitimprurës që synon të realizojë aktivitete në fushën e edukimit.

“Fondacioni Turk Maarif ka më shumë se 15 000 studentë dhe 161 shkolla në 32 vende. Ai synon të kryejë aktivitete në fushën e edukimit të bazuara në njohuritë e përbashkëta të njerëzimit dhe traditën e urtësisë dhe të jetë një institucion arsimor pionier i cili do t’i përdorë këto aktivitete për shkencën”, tha Osman.

Në programin e organizuar morën pjesë edhe ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük dhe rektori i universitetit Fatos Tarifa.

Ministri Çavuşoğlu, i cili qëndron për vizitë në Shqipëri, nesër do të realizojë takime me zyrtarë të lartë të Shqipërisë, si kryeministrin Edi Rama, kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, si dhe me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtëm, Ditmir Bushati, me të cilin do të mbajë një konferencë të përbashkët për mediat.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit