Qeveria britanike ka konfirmuar për herë të parë se ish-ministri i Jashtëm, David Cameron, e ka kërcënuar prokurorin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Khan, me tërheqjen e financimit të vendit të tij, me synimin për ta penguar atë të vazhdonte hetimet që lidhen me luftën në Gaza.
Pranimi erdhi në kuadër të një përgjigjeje ndaj një kërkese për liri informacioni nga Universiteti i Westminsterit, duke konfirmuar se Cameron ishte pala e vetme britanike në një telefonatë të zhvilluar më 23 prill 2024.
Studiuesit vlerësojnë se ky konfirmim dokumenton presione të ushtruara ndaj gjykatës gjatë një faze të ndjeshme të luftës.
Faqja “Middle East Eye” theksoi se telefonata mes Cameronit dhe Khanit u zhvillua në prill 2024, disa javë përpara se prokurori i përgjithshëm të paraqiste kërkesë për lëshimin e urdhërarresteve ndaj Benjamin Netanyahut dhe Yoav Gallantit, në kuadër të hetimeve të gjykatës lidhur me luftën në Gaza.
/Burimi: Al Jazeera Net/
