Britania e Madhe nuk ka marrë pjesë në sulmin e Izraelit gjatë natës ndaj Iranit, transmeton Anadolu.
“Stabiliteti në Lindjen e Mesme është thelbësor për sigurinë globale”, shkroi në X, ministri britanik për Lindjen e Mesme, Hamish Falconer pas sulmeve të Izraelit ndaj Iranit.
Izraeli nisi një operacion të gjerë ushtarak kundër Iranit, duke synuar programin e tij bërthamor dhe aftësitë e raketave me rreze të gjatë veprimi. Zyrtarë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë u vranë në sulm.
“Britania e Madhe nuk mori pjesë në sulmet gjatë natës dhe ne po angazhohemi me partnerët për të ndalur eskalimin e situatës”, shtoi Falconer.
Ushtria izraelite tha se gjithsej 200 avionë luftarakë morën pjesë në sulm, duke hedhur 330 municione në objektiva të ndryshëm.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, gjeneral brigade Effie Defrin konfirmoi sulmet dhe tha se Irani u përgjigj duke lëshuar mbi 100 dronë drejt Izraelit.
