Bosnja dhe Gaza: Islamofobia si zanafillë e dy gjenocideve

Më të lexuarat

Gjenocidi në Srebrenicë dhe Gaza na vë përballë një të vërtete të hidhur: gjenocidi nuk është thjesht një ngjarje historike, por një fenomen ciklik, i me rrënjë të thella te urrejtja dhe indiferenca, ku Islamofobia shërben si një terren pjellor.

Në analizat historike mbi konfliktet, shpesh theksi vihet te shkaqet politike, ekonomike apo gjeostrategjike. Por, kur bëhet fjalë për masakrat dhe gjenocidet ndaj popullatave muslimane, një faktor shpesh i nënvlerësuar, por qëndror , është Islamofobia. Kjo urrejtje sistematike dhe dehumanizuese ndaj muslimanëve ka shërbyer e vazhdon të shërbejë si një motor ideologjik, që ka bërë të mundur dhe ka justifikuar shfarosjen e tyre, siç dëshmohet dhimbshëm në Bosnje në vitet ’90 dhe po shpaloset sot në Gaza.

Dehumanizimi si hapi i parë drejt shfarosjes

Para çdo akti genocidal, ekziston një proces i domosdsoshëm: dehumanizimi i viktimës. Kjo do të thotë t’i heqësh një grupi të caktuar cilësitë njerëzore, duke i shndërruar ata në “tjetrin” të frikshëm, inferior, ose thjesht si të padenjë për të jetuar. Islamofobia na ndihmon që të kuptojmë pikërisht këtë kornizë të të menduarit e të vepruarit.

Në Bosnje, propaganda ultranacionaliste serbe, e nxitur nga ideologjia e “Serbisë së Madhe”, i portretizoi boshnjakët muslimanë jo si qytetarë të barabartë, por si “turq” apo “mbetje osmane”. Kjo gjuhë, e zhytur thellë në stereotipa historikë dhe fetarë, i lidhte ata me një armik të lashtë dhe e paraqiste ekzistencën e tyre si një kërcënim për identitetin serb. Kjo narrativë islamofobe legjitimoi sulmet brutale, përdhunimet masive, dhe në fund, masakrën e Srebrenicës, ku mijëra burra dhe djem muslimanë u vranë thjesht sepse ishin muslimanë. Ideja ishte e qartë: në një Serbi etnikisht të pastër nuk kishte vend për “turqit” e sllavizuar.

Sot, në Gaza, shohim një model të ngjashëm. Retorika zyrtare izraelite dhe ajo mediatike shpesh i portretizon palestinezët si “terroristë”, “kafshë njerëzore” apo si një kërcënim ekzistencial. Kjo gjuhë dehumanizuese, e rrënjosur në Islamofobi, lehtëson justifikimin e veprimeve ndëshkuese kolektive kundër një popullate të tërë. Kur një popull shikohet si një masë “terroristësh” apo “mbështetësish të terrorit”, vrasja e fëmijëve, grave dhe burrave të pafajshëm bëhet “dëm kolateral” apo një masë e nevojshme “vetëmbrojtjeje”. Kjo demonizim i lejon autorët e krimeve të shmangin përgjegjësinë dhe të injorojnë natyrën gjenocidale të veprimeve të tyre.

Imuniteti i kriminelëve dhe indiferenca e komunitetit ndërkombëtar

Islamofobia nuk shfaqet vetëm në diskursin e autorëve të krimeve, por edhe në qëndrimin dhe mosveprimin e komunitetit ndërkombëtar. Një ndjenjë pandëshkueshmërie (imuniteti) shpesh i shoqëron krimet ndaj muslimanëve, duke lejuar që mizoritë të vazhdojnë pa një reagim të shpejtë dhe vendimtar.

Në Bosnje, pavarësisht raportimeve të shumta për kampet e përqendrimit, përdhunimet masive dhe pastrimin etnik, bota hezitoi të ndërhynte. Prania e paqeruajtësve të OKB-së në Srebrenicë nuk e ndaloi masakrën. Disa analistë argumentojnë se ky hezitim ishte pjesërisht rezultat i një Islamofobie të përhapur në Perëndim, e cila nënvlerësoi urgjencën dhe prioritetin e mbrojtjes së jetëve muslimane. Viktimat shiheshin, në një farë mënyre, si “të huaj” dhe fati i tyre si më pak i rëndësishëm në krahasim me konfliktet e tjera.

Në Gaza, kemi dëshmitë e një bote të tërë që shikon live ndërsa mijëra fëmijë vriten, spitalet, shkollat e xhamitë shkatërrohen dhe popullsia dëbohet. Përsëri edhe në këtë rast, pavarësisht thirrjeve të organizatave ndërkombëtare, vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, dhe protestave masive globale, veprimet për të ndalur masakrën dhe gjenocidit janë minimale. Akuzat për antisemitizëm shpesh përdoren për të heshtur kritikat legjitime ndaj politikave të Izraelit, duke krijuar një ambient ku frika nga kjo akuzë parandalon presionin efektiv ndërkombëtar. Kjo heshtje dhe mosveprim pasqyron një Islamofobi të rrënjosur thellë, e cila lejon që vuajtja e palestinezëve të shpërfillet ose të justifikohet lehtësisht.

Mohimi i gjenocidit si vazhdim i Islamofobisë

Islamofobia nuk mbaron me aktet e dhunës; ajo shtrihet edhe në mohimi i gjenocidit dhe minimizimin e krimeve.

Pavarësisht dëshmive të pakundërshtueshme dhe vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, ka ende grupe dhe individë që mohojnë gjenocidin e Srebrenicës, duke u përpjekur të rishkruajnë historinë dhe të heqin përgjegjësinë nga autorët. Ky mohim është një formë e vazhdueshme e Islamofobisë, duke i hequr viktimave dinjitetin edhe pas vdekjes dhe duke legjitimuar ideologjitë që çuan në shfarosjen e viktimave.

Ngjashëm, në Gaza dëgjojmë gjithnjë e më shpesh argumente që mohojnë natyrën gjenocidale të veprimeve të Izraelit, pavarësisht numrit të paprecedentë të viktimave civile, shkatërrimit masiv të infrastrukturës dhe dëshirës së qartë të shprehur nga disa zyrtarë për të kryer spastrim etnik ndaj popullatën vendave. Këto mohime, shpesh të përforcuara nga narrativa islamofobe që i paraqet viktimat si të qënie që nuk metitojnë simpatinë tonë, sigurojnë që historia të mos mësohet dhe që cikli i dhunës të përsëritet.

Gjenocidi në Srebrenicë dhe Gaza na vë përballë një të vërtete të hidhur: gjenocidi nuk është thjesht një ngjarje historike, por një fenomen ciklik, i ushqyer nga rrënjë të thella të urrejtjes dhe indiferencës, ku Islamofobia shërben si një terren pjellor. Teksa dëshmojmë përsëritjen e dhunës së paimagjinueshme ndaj popullatave muslimane, me të pafajshmit që paguajnë çmimin më të lartë, na duhet të reflektojmë thellësisht: a kemi mësuar vërtet diçka nga historia? Apo jemi dëshmitarë të një epoke ku shkeljet e të drejtave të njeriut dhe masakrat masive bëhen thjesht lajme të përditshme, të legjitimuara nga narrativat dehumanizuese? Kjo sfidë nuk është vetëm për ata që mbajnë pushtetin, por për secilin prej nesh, që të thyejmë ciklin e heshtjes, dhe të sfidojmë paragjykimet, dhe të kërkojmë një botë ku dinjiteti njerëzor nuk njeh kufij fetarë apo etnikë, dhe ku njerëzit – kushdo qofshin ata – nuk shfarosen më pa asnjë faj.

Observer.al

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit