Si mund të quhet “shpresë kulturore” një festival ku lulëzon degjenerimi?
Rasti i fundit i arrestimit për drogë brenda Sunny Hill Festival ka hedhur edhe një herë dritë mbi kontrastin e thellë mes imazhit që promovon festivali dhe realitetit të hidhur që zhvillohet në prapaskenë. Në ditën e parë të festivalit në fshatin Bernicë të Prishtinës, Policia e Kosovës arrestoi një person të dyshuar për konsum dhe posedim të kokainës dhe marihuanës në mes të turmës.
Nga kontrolli trupor, Policia gjeti dhe sekuestroi rreth 0.5 gramë pluhur të bardhë (e dyshuar si kokainë) dhe rreth 0.3 gramë substancë të gjelbër (e dyshuar si marihuanë). Rasti është cilësuar si “posedim i paautorizuar i substancave narkotike”, ndërsa të dyshuarit iu shqiptua masa e ndalimit prej 48 orësh.
Ky nuk është një rast i izoluar. Që nga mbajtja e edicionit të parë, Sunny Hill Festival është shoqëruar jo rrallë me raportime për sjellje imorale, konsum të tepruar të alkoolit dhe substancave narkotike, si dhe skena që shpesh largohen nga çdo përmbajtje kulturore apo edukative.
Megjithatë, figura publike si Blerim Latifi nuk ngurrojnë të e quajnë këtë festival një shpresë për kulturën në vend. Ai shkroi:
“Kjo radhë e gjatë në Prishtinë për të blerë bileta për Sunny Hill Festival, që nis nesër, është një tregues shprese se ky vend ende mund t’i shpëtojë shndërrimit në një shkretinë kulturore.”
Por si mund të quhet “shpresë kulturore” një ngjarje ku normalizohet konsumimi i drogës, ku veshja, sjelljet dhe mesazhet publike shpesh janë në përplasje me normat morale e vlerat tradicionale të këtij vendi?
A është radhitja për bileta domosdoshmërisht shenjë kulture, apo thjesht tregues i etjes për argëtim të pakontrolluar në mungesë të alternativave të shëndetshme?
Kultura nuk është vetëm argëtim masiv, tinguj komercialë dhe skena të ndriçuara me laserë. Kultura është edukim, pastërti morale, thellësi artistike, përmbajtje dhe mesazh. Dhe kur këto mungojnë, çdo lavdërim ndaj një ngjarjeje që i mohon këto shtylla, tingëllon më shumë si dorëzim sesa shpresë.
Në vend të entuziazmit sipërfaqësor, ndoshta kemi më shumë nevojë për reflektim të thellë mbi drejtimin që po merr kultura jonë që të mos e ngatërrojmë zhurmën me përmbajtjen, dhe festivalin me përparimin.
