Beteja për mbledhjen e provave kimike në Siri

0
38

Fuqitë perëndimore kanë paralajmëruar Damaskun se përdorimi i armëve kimike paraqet vijën e kuqe, përtej së cilës do të ishte e nevojshme ndërhyrja e huaj në mbrojtje të civilëve.

Por, analistët thonë se është vështirë të vërtetohet përdorimi i armëve të tilla në konflikte, veçanërisht nëse ato përdoren në shkallë të vogël dhe inspektorëve ndërkombëtarë u ndalohet qasja.

Gregory Koblentz është ekspert i armëve kimike në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë në Uashington.

“Moslejimi i inspektorëve patjetër se krijon një pengesë të madhe në sigurimin e dëshmive bindëse për përdorimin e armëve kimike. Situatë ideale do të ishte po qe se kemi inspektorë, ekspertë të trajnuar në terren, të cilët kanë qasje të papenguar në lokacionin e incidentit, të cilët intervistojnë viktimat dhe dëshmitarët, marrin mostra dheu, mostra gjaku dhe i testojnë ato në laboratorë të certifikuar”, thotë Koblentz.

Fuqitë perëndimore duan vetëm këtë – që inspektorët e Kombeve të Bashkuara të shkojnë në Siri dhe të hetojnë lokacione të shumta, ku dyshohet se janë përdorur armët kimike.

Edhe Damasku zyrtar, edhe rebelët akuzojnë njëri-tjetrin për përdorimin e armatimit kimik, ndërsa shqetësimet ndërkombëtare mbi çështjen janë rritur në mënyrë dramatike ditëve të fundit.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se kanë prova për përdorimin e armëve kimike brenda Sirisë. Por, presidenti Barack Obama ka thënë se duhen prova më të qëndrueshme për të ditur se si janë përdorur agjentët kimikë, kur dhe kush i ka përdorur ata.

Për të gjetur dëshmi të tilla, Kombet e Bashkuara kanë formuar një ekip inspektorësh, i cili është duke qëndruar në gjendje gatishmërie në Qipro. Por, Damasku, i cili kurrë nuk ka nënshkruar Konventën e Armëve Kimike të vitit 1997, që ndalon përdorimin e agjentëve toksikë në luftë, nuk i pranon inspektuesit.

Tani, kur Uashingtoni, Britania, Franca dhe Izraeli flasin për më shumë prova të përdorimit të armatimit kimik, zyrtarët sirianë janë edhe më këmbëngulës në pengesa.

Ministri për Informim i Sirisë, Omran al-Zoubi, ka thënë se amerikanët “duan të manipulojnë me çështjen, për të përsëritur shembullin e Irakut”. Shqetësimet e Perëndimit për armët e shkatërrimit në masë në Irak, të cilat më vonë kanë dalë të pabaza, kanë motivuar koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, i cili ka përmbysur Saddam Husseinin në vitin 2003.

Kjo mund të sugjerojë se përpjekjet për inspektimet kimike në Siri do të bllokohen edhe më shumë në javët e ardhshme. Dhe, në mungesë të inspektimeve në terren, provat duhet të sigurohen nga mjete të tjera, potencialisht më pak bindëse.

Alternativa kryesore është që palët brenda Sirisë të kontrabandojnë prova të përdorimit të armëve kimike për inspektorët jashtë vendit. Mostrat e tilla mund të merren nga gjaku apo urina e viktimave.

Por, Koblentz thotë se këtu ka një problem.

“Problemi në këtë qasje është ai që quhet zinxhiri i ruajtjes. Si mund të dini se provat që do të arrijnë në laborator për analiza, vijnë vërtet nga lokacioni ku thuhet se kanë ardhur dhe se ato janë vërtet nga viktimat e veçanta”, thotë Koblentz.

Ka edhe probleme të tjera. Gjurmët e agjentëve kimikë, mund të jetë e vështirë për t’u zbuluar nëse kalon shumë kohë nga përdorimi i tyre. Një shembull është sarini – agjent nervor që dyshohet se është përdorur në Siri. Sarini vret duke u pushuar sistemin nervor viktimave, por është një lëng pa ngjyrë, pa shije dhe pa erë, i cili avullohet shpejt në gaz dhe shpërndahet në mjedis.

Koblentz thotë se kjo e bën prioritet mbledhjen dhe ekzaminimin e shpejtë të provave – gjë që është e vështirë në kushtet e luftës. Ai thekson se koha për zbulimin e gjurmëve të sarinit është me ditë ose javë dhe jo me muaj.

Për të gjitha këto arsye, është e sigurt të thuhet se beteja për të konstatuar nëse janë përdorur ose jo armët kimike në Siri, sapo ka filluar.

Është një betejë, në të cilën të gjitha palët, nisur nga zyrtarët sirianë deri te rebelët sirianë dhe nga fuqitë perëndimore deri te aleatja e Damaskut, Rusia, e dinë se rreziqet janë të mëdha, sepse rezultatet mund të përcaktojnë nëse forcat e huaja do të ndërhyjnë në Siri.(v.tela)/rel