18.9 C
Pristina
Thursday, May 30, 2024

Bamirësi që ndihmon fëmijët e sëmurë reflekton Islamin e vërtetë në SHBA

Më të lexuarat

Një emigrant musliman 63-vjeçar, i cili kujdeset për fëmijët me sëmundje vdekjeprurëse në SHBA, thotë se tregimi i tij vetëmohues dhe frymëzues është duke ndihmuar në ndryshimin e perceptimeve negative rreth muslimanëve në Amerikë.

Në një intervistë për Anadolu Agency (AA), Mohamed Bzeek, i lindur në Libi, tha se “Tregimi im ndryshoi mënyrën se si amerikanët mendojnë për muslimanët”.

“Muslimanët në SHBA janë parë si kriminelë, vrasës, se ne nuk jemi të mirë dhe se Islami është thjesht fe e gjakderdhjes dhe shkatërrimit”, thekson ai.

“Por, pas tregimit tim, u shpjegova atyre Islamin e vërtetë. Islami ka të bëjë me dashurinë, dhembshurinë dhe simpatinë ndaj njerëzve të tjerë”, shton Bzeek.

Historia e Bzeek u bë publike pasi u intervistua nga Los Angeles Times vitin e kaluar. Ai është kujdesur për fëmijët e braktisur ose me sëmundje vdekjeprurëse që nga viti 1989.

Duke kujtuar fjalët e një ateisti në SHBA, Bzeek tha se personi në fjalë i kishte thënë atij se “Pas leximit të tregimit tënd, shpresoj se ka zot që ai të mund të të shpërblejë”.

Bzeek thotë se është kujdesur për 80 fëmijë në SHBA që nga vitet e 90-ta.

“Dhjetë prej tyre vdiqën. Unë po i mbaja (kur vdiqën)”, shprehet ai.

Disa nga foshnjat për të cilët ai është kujdesër nuk kishin as emra, thekson Bzeek, kështu që ai i ka emëruar me emra muslimanë.

“I rris ata si muslimanë”, shton ai.

– Turqia vlerëson kontributin e tij

Bamirësi Bzeek është vlerësuar nga Turqia, kurse një çmim i është ndarë nga vetë presidenti turk. Madje, një regjisor turk është duke planifikuar ta shndërrojë historinë e tij frymëzuese në një film dokumentar.

Duke folur në një ceremoni në Ankara, ku Bzeek mori Çmimin Ndërkombëtar të Bamirësisë, presidenti Recep Tayyip Erdoğan kishte thënë se tregimet si ai i Bzeek-ut u kanë dhënë njerëzve shpresa pavarësisht dhunës dhe brutalitetit në gjithë globin.

Lidhur me vështirësitë me të cilat përballet duke u ndihmuar fëmijëve me sëmundje të përhershme, Bzeek thotë se nuk është e lehtë për të rritur fëmijë që kërkojnë kujdes të veçantë.

“Është një punë shumë e vështirë. Ata kanë shumë ilaçe”, tregon ai.

Disa netë nuk mund të fleni, shton ai, sepse duhet të kujdeseni për ta gjatë natës.

“Ky është pushimi im i parë që prej shtatë vjetësh”, shprehet Bzeek.

Bzeek, inxhinier elektronik me profesion, ​​i cili vetë ka një djalë me aftësi të kufizuara, kujton fëmijën e tij të parë të cilin e ka marrë nën kujdes.

“Ishte një vajzë meksikane”, kujton ai.

“Ajo ishte vetëm një muajshe” kur Bzeek filloi të kujdeset për të. Në vitin 1991, ajo vdiq pasi kishte jetuar për dy vjet e gjysmë me familjen.

“Ishte shumë e vështirë dhe kjo ishte përvoja ime e parë e vdekjes me një fëmijë të vogël që kisha në shtëpi për dy vjet”, rrëfen Bzeek.

– Njerëzit kanë frikë të kujdesen

“Kur ajo vdiq, kjo më tronditi me të vërtetë dhe isha shumë i trishtuar, qava për tri ditë”, tha Bzeek.

Bzeek, ​​i cili është një musliman i devotshëm, tha se kujdeset për fëmijët pavarësisht nga feja, kombësia apo ngjyra.

“Unë i marr ato vetëm si qenie njerëzore, i konsideroj si fëmijët e mi”, shprehet Bzeek, i cili në vitin 1995, së bashku me bashkëshorten e tij kishin vendosur të kujdesen për fëmijët me sëmundje vdekjeprurëse.

“Më kanë thënë se unë jam shtëpia e vetme në Los Angeles që kujdeset për fëmijët duke e ditur se ata do të vdesin”, tha ai.

“Njerëzit nuk i duan këta fëmijë, sepse ata janë pranë vdekjes”, shton ai.

“Ata kanë frikë se nëse i marrin dhe ata vdesin në shtëpitë e tyre, kjo do të jetë shkatërruese për familjen dhe fëmijët e tyre. Kjo është arsyeja pse njerëzit nuk duan të marrin fëmijët që do të vdesin”, vlerëson Bzeek.

Ai tha se fëmijët nën kujdesin e tij bëhen të ndihen si në shtëpi.

“Kur i marr, i bëj ata të ndihen si në shtëpi. I bëj ata të ndiejnë se kanë familje, vëllezër dhe motra. Ata janë të sigurt dhe dikush do të kujdeset për ta. Dikush do të jetë me ta deri në minutën e fundit të jetës së tyre”, thotë Bzeek.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit