10.7 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

ARBITRI – Hoxhë Justinian Topulli

Më të lexuarat

Në vitin 2010 pati një konflikt brenda kryesisë së KMSH-së, i cili përfundoi në favor të grupit gylenist, që kontrollon edhe sot këtë institucion. Edhe pse ky ishte një konflikt i brendshëm, i cili mori edhe përmasa mediatike në atë kohë, shteti i atëhershëm u bë palë, duke mbajtur anën e atyre që janë sot, ndërkohë që duhet ose të kishte ruajtur asnjanësinë, ose të ishte bërë arbitër i drejtë mes tyre.
Që nga ajo kohë gylenistët janë betonizuar në KMSH, duke kapur të gjitha arteriet kryesore dhe zemrën e institucionit, dhe e administrojnë atë si të ishte shoqatë private e tyre. Sot për sot, të rrëzosh uzurpimin e tyre përmes zgjedhjeve që përcakton statuti i KMSH-së çdo katër vjet, është tërësisht e pamundur, sepse ata kontrollojnë hallkat kryesore të procesit dhe imponojnë me shumë lehtësi dhe në mënyrë të paskrupullt vullnetin e tyre, për ata që duhen “zgjedhur”.
Kjo është arsyeja e qartë, pse në krye të KMSH-së dhe nëpër myftini, nuk vijnë figura të njohura, meritorë nga hoxhallarët dhe besimtarët muslimanë me histori dhe kontribute, por individë shpesh të panjohur dhe çunakë pa ndonjë kontribut. Në një situatë të tillë, ku myftinjtë dhe hoxhallarët jogylenistë, që janë shumica dërrmuese e imamëve dhe hoxhallarëve të Shqipërisë, ndjehen të shantazhuar dhe janë të pafuqishëm për të ndryshuar situatën, dhe rrugë tjetër për momentin nuk ka, duhet një palë e tretë si arbitër që të garantojë zbatimin e statutit, përmes të cilit në mënyrë demokratike dhe pa manipulime, të zhvillohen zgjedhjet në të gjitha nivelet që parashikon statuti dhe në mënyrë demokratike të lirë, muslimanët e këtij vendi ta gjejnë veten të përfaqësuar dhe gjithpërfshirë në këtë institucion komunitar.
I vetmi arbitër i paanshëm dhe i fortë në këtë mes, mund të jetë shteti shqiptar, nga i cili kërkohet të luajë vetëm rolin e garantit për pacenueshmërinë e procesit, ndërkohë i gjithë procesi do të kryhet nga vetë besimtarët e përfaqësuar nga të gjitha palët, pa ndërhyrjen e shtetit, as direkt dhe as indirekt, se kush duhet të vihet në krye të KMSH-së. Shteti në këtë mes është thjesht garant i barabartë dhe i drejtë, për t’u respektuar rregullat e lojës nga të gjithë njëlloj.
Ndoshta kjo që kërkojmë, dikujt mund t’i duket shumë utopike, kur dihet ku jetojmë dhe se si venë punët në këtë vend, por unë besoj se nuk është aspak e pamundur, edhe pse ndoshta jo në mënyrë të përkryer, përndryshe do të na duhet të presim me dekada, të cilat nuk na garantojnë asgjë, nëse nuk përpiqemi sot ta bëjmë KMSH-në më të mirë, gjithëpërfshirëse, legjitime dhe dinjitoze.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit