Arabia Saudite, Turqia, Jordania dhe Katari kundër ndryshimeve të Netanyahut: një plan paqeje që fsheh tensione të rrezikshme

Më të lexuarat

Ndryshimet e papritura që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu vendosi mbi planin e Donald Trump për Gazën kanë ndezur pakënaqësi të thellë në botën arabe. Ajo që u paraqit në Shtëpinë e Bardhë si një “marrëveshje historike”, sipas shumë zyrtarëve rajonalë, ishte në fakt një tekst i rishkruar në favor të prioriteteve të sigurisë së Izraelit, larg një kornize të drejtë për paqe.

Burime diplomatike tregojnë se zyrtarë nga Arabia Saudite, Egjipti, Jordania dhe Turqia u shfaqën të irrituar, teksa zbuluan se versioni i fundit që iu ofrua Hamasit nuk kishte asnjë ngjashmëri me draftin e përgatitur më herët me ndërmjetësimin e shteteve arabe dhe islame. Ndërhyrja e Netanyahut në momentet e fundit e shndërroi një nismë kolektive në një dokument që mbante vulën e frikës dhe interesave të Tel Avivit.

Takimi i fshehtë që zgjati gjashtë orë në prani të Jared Kushnerit dhe të dërguarit amerikan Steve Witkoff, u bë arena ku Netanyahu arriti të impononte ndryshimet kryesore: kushte më të ashpra për tërheqjen e ushtrisë izraelite nga Gaza dhe një proces çarmatosjeje të Hamasit që do të mbetej nën kontrollin e plotë të Izraelit, me të drejtë vetoje në çdo hap.

Edhe në skenarin më optimist, forcat izraelite do të vijonin të qëndronin në një “zonë sigurie” brenda Gazës, “derisa të bëhej e sigurt nga kërcënimet terroriste” – një formulim i mjegullt që për shumë diplomatë nuk është gjë tjetër veçse një justifikim për prani të pakufizuar ushtarake.

Reagimet nuk vonuan. Zyrtarë nga Arabia Saudite, Egjipti, Jordania dhe Turqia e panë këtë si një sabotim të përpjekjeve të javëve të fundit për të krijuar një kornizë të pranueshme për të gjitha palët. Katari, si ndërmjetës kryesor me Hamasin, madje kërkoi nga Uashingtoni të shtynte shpalljen e planit të ndryshuar, nga frika se ai do të humbiste çdo lloj besueshmërie në sytë e palestinezëve. Por Shtëpia e Bardhë këmbënguli të dilte publikisht, duke ushtruar presion mbi aleatët arabë që të “mbështesnin” nismën.

Në fund, tetë shtete, mes tyre Katari, Arabia Saudite, Egjipti dhe Turqia, u detyruan të publikonin një deklaratë të përbashkët, ku e “përshëndesnin” planin e Trumpit – por pa asnjë shenjë mbështetjeje për detajet e tij. Një gjuhë diplomatike që, sipas burimeve, i linte hapur derën për bisedime të reja mbi “boshllëqet serioze” që fshiheshin në tekst.

Ndërkohë, në Doha, kryeministri i Katarit ua dorëzonte të njëjtën version liderëve të Hamasit, të cilët u përgjigjën se do ta shqyrtonin “me mirëbesim”. Një gatishmëri e kujdesshme, e mbarsur me dyshime të thella për qëllimet e Izraelit.

Por edhe nëse Hamasi do të jepte miratimin e tij, rruga drejt një marrëveshjeje përfundimtare do të ishte e gjatë dhe e vështirë. Vetë Trumpi e kishte parashikuar një klauzolë të qartë: nëse Hamasi refuzon, hapat e planifikuar do të zbatohen në ato zona që Izraeli i konsideron “të pastra nga terrorizmi” dhe do t’i dorëzohen një force të përkohshme sigurie.

Megjithatë, më i hapur se çdo dokument ishte vetë mesazhi i Trumpit për Netanyahun, i shqiptuar para kamerave: “Nëse Hamasi refuzon, Bibi, do të kesh mbështetjen tonë të plotë për të bërë atë që duhet të bësh.” Një fjali që zbulon thelbin e të gjithë skenarit: pas fasadës së fjalës “paqë”, mbetet i gjallë opsioni ushtarak, i mbështetur pa mëdyshje nga Uashingtoni.

Kështu, për shumë kryeqytete arabe, kjo nuk është një hartë rruge drejt paqes, por një mjet presioni që mund të shndërrohet në një kurth të ri për palestinezët.

Burimi: Axios

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit