23 C
Pristina
Monday, May 27, 2024

AP-OKB miraton rezolutën për Kudsin përkundër kërcënimeve të SHBA-ve

Më të lexuarat

NEW YORK (AA) – Projektrezoluta e përgatitur me iniciativë të Turqisë e cila denoncon vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për njohjen e Kudsit si kryeqytet të Izraelit, u miratua në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (AP-OKB) me 128 vota pro dhe 9 kundër pavarësisht kërcënimeve të SHBA-ve, ndërkohë që 35 shtete abstenuan, raporton Anadolu Agency (AA).

AP-OKB sot u mblodh për të diskutuar për projektrezolutën e përgatitur me iniciativë të Turqisë të titulluar “Kudsi Lindor i okupuar nga Izraeli dhe aktivitetet e tij në territoret palestineze” lidhur me statusin e Kudsit, e cila denoncon vendimin e Trumpit.

Rezoluta u referohet dhjetë rezolutave të kaluara të Këshillit të Sigurimit (KS) të OKB-së nga vitin 1967 e deri në vitin 2016.

Në rezolutë theksohet nevoja për ruajtjen e “dimensioneve shpirtërore, fetare dhe kulturore të Kudsit”.

“Deklarohet se të gjitha hapat për ndryshimin e statusit të Kudsit të shenjtë, karakterit dhe demografisë së tij janë të pavlefshme dhe duhet shfuqizuar sipas rezolutave të Këshillit të Sigurimit dhe në këtë drejtim ftohen të gjitha shtetet anëtare të shmangen nga hapja e misioneve diplomatike në Kudsin e shenjtë, siç parasheh edhe rezoluta 478 (1980) e KS-OKB-së”, thuhet në tekstin e rezolutës.

Në të njëjtën kohë, rezoluta kërkon që të gjitha shtetet anëtare të respektojnë rezolutat e KS-OKB-së për Kudsin dhe të mos njohin hapat dhe vendimet që janë në kundërshtim me këto rezoluta.

Po ashtu, në rezolutë bëhet thirrje për përshpejtim të përpjekjeve ndërkombëtare dhe rajonale për refuzimin e trendeve negative që rrezikojnë zgjidhjen me dy shtete dhe për arritjen e një paqeje gjithëpërfshirëse dhe të përhershme në Lindjen e Mesme në kuadër të rezolutave të OKB-së dhe vendimeve të Madridit.

Okupimi gjysmëshekullor i Kudsit

Izraeli, i cili më 5 qershor të vitit 1967 okupoi Kudsin Lindor, në vitin 1980 në mënyrë të njëanshme e shpalli pjesën lindore dhe perëndimore të qytetit si “kryeqytet i bashkuar”.

KS-OKB, përmes rezolutës 478 të miratuar në vitin 1980, e shpalli të pavlefshëm aneksimin e Kudsit Lindor dhe shpalljen e Kudsit si kryeqytet nga ana e Izraelit.

Në kuadër të rezolutës së KS-OKB-së, komuniteti ndërkombëtar, përfshirë SHBA-të, pranojnë se Kudsi Lindor gjendet nën okupim.

Të gjitha shtetet që njohin qeverinë izraelite kanë ambasadat e tyre në Tel Aviv. Asnjë shtet nuk e pranon Kudsin ose pjesën lindore dhe perëndimore të tij si kryeqytet.

Bisedimet për paqe mes Izraelit dhe Palestinës u ndërprenë në prill të vitit 2014, pasi Izraeli “nuk pranoi kufijt e vitit 1967, kthimin e palestinezëve të dëbuar dhe ndalimin e ndërtimit të vendbanimeve të reja kolone hereje”.

Deklarata e Trumpit ndryshoi balancat

Presidenti amerikan Donald Trump më 6 dhjetor shpalli njohjen e Kudsit si “kryeqytet i Izraelit” dhe paralajmëroi zhvendosjen e ambasadës në këtë qytet.

Qeveria Trump shkaktoi reagime nga komuniteti ndërkombëtar, ndërkohë që shpërfilli paralajmërimet të cilat theksonin se rajoni do të zvarritej drejt një kaosi dhe mosmarrëveshja izraelito-arabe do të bëhej edhe më e pazgjidhshme.

SHBA-të ngelën vetëm në KS-OKB

Rezoluta e cila u soll në KS-OKB nga Egjipti për zhvlerësimin e vendimit të SHBA-ve për Trumpin më 18 dhjetor, mori mbështetjen e 14 vendeve anëtare, ndërkohë që SHBA-të vënë veto, duke ngelur vetëm në OKB lidhur me çështjen e Kudsit.

“Kërcënime” nga Trump për ndërprerjen e ndihmave

Pas këtyre zhvillimeve, Trump kërcënoi me “ndërprerje të ndihmave materiale” shtetet të cilat do të votonin në favor të rezolutës së sotme në AP-OKB.

“Marrin qindra miliona, madja miliarda dollarë, kurse më pas votojnë kundër nesh. Mirë, ne do t’i ndjekim këto. Le të votojnë kundër nesh, ndërsa ne do të kursejmë shumë në këtë mënyrë. Nuk na bëhet vonë”, kishte deklaruar Trump.

Nga ana tjetër, Përfaqësuesja e Përhershme e SHBA-ve në OKB, Nikki Haley, tha se një ditë para Trumpit u ka dërguar posta elektronike diplomatëve me detyrë në OKB, duke thënë se do të evidentojnë emrat e atyre që votojnë kundër tyre.

Reagime të ashpra nga Erdoğan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, reagoi ashpër ndaj “kërcënimeve” të Trumpit, duke thënë se një gjë e tillë nuk përfaqëson demokracinë.

“Thonë se SHBA-të janë djepi i demokracisë. Djepi i demokracisë kërkon të blejë vullnetin në botë me dollarë. Zotëri Trump, ju nuk mund ta bleni me dollarë vullnetin demokratik të Turqisë. Uroj që Amerika të mos marrë rezultatin që pret dhe pres që bota t’i japë një leksion shumë të mirë Amerikës”, ka reaguar presidenti turk.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit