15.8 C
Pristina
Monday, May 6, 2024

Çavuşoğlu: Turqia asnjëherë nuk do ta lë vetëm Kudsin

Më të lexuarat

“Turqia asnjëherë nuk do ta lë vetëm Kudsin. Populli palestinez asnjëherë nuk do të mbetet vetëm. Bota është më e madhe se pesë”, potencoi Çavuşoğlu

 

NEW YORK (AA) – Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, në fjalën e tij në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (AP-OKB) në të cilën pritet të votohet rezoluta e paraqitur me iniciativë të Turqisë lidhur me statusin e Kudsit, tha se palestinezët kanë të drejtë të jetojnë të lirë dhe në siguri dhe të kenë shtetin e tyre, duke potencuar se Turqia asnjëherë nuk do ta lë vetëm Kudsin, raporton Anadolu Agency (AA).

“Edhe më parë, kemi ardhur disa herë këtu dhe kemi thënë se palestinezët kanë të drejtë të jetojnë si të gjithë ne…Edhe ata kanë të drejtë të jetojnë të lirë dhe në siguri”, tha shefi i diplomacisë turke, duke shtuar se e drejtë e palestinezëve është të kenë shtetin e tyre me kufijtë e vitit 1967 dhe me kryeqytet Kudsin Lindor.

“Ky është parametri kryesor dhe shpresa e vetme për paqe të qëndrueshme”, theksoi ai.

Çavuşoğlu tha se okupimi ilegal është duke vazhduar dhe se palestinezët janë të privuar madje nga të drejtat më themelore. Ai po ashtu shtoi se palestinezët përballen me dhunë dhe diskriminim sistematik.

“Vota e sotme është e rëndësishme për të treguar se palestinezët nuk janë vetëm. Votimi i sotëm është i rëndësishëm për të treguar se kauza palestineze ende është kauza jonë. Andaj, ne do ta ngrisim zërin tonë për drejtësi dhe paqe. Sot do ta ngrisim zërin për Kudsin, i cili llogaritet i shenjtë nga tri fetë abrahamike. Sot do të tregojmë se grupe etnike dhe fe të ndryshme mund të bashkëjetojnë”, tha Çavuşoğlu.

Çavuşoğlu kritikoi njohjen e Kudsit si kryeqytet të Izraelit nga ana e SHBA-ve, duke thënë se ky vendim shpërfill të drejtën ndërkombëtare.

“Një shtet anëtar i OKB-së kërcënoi shtetet e tjera. Disa i kërcënoi me ndërprerje të ndihmave zhvillimore. Kjo është e papranueshme”, tha ministri i jashtëm turk, duke e cilësuar si “moment historik” votimin që do të bëhet në AP-OKB.

“Turqia asnjëherë nuk do ta lë vetëm Kudsin. Populli palestinez asnjëherë nuk do të mbetet vetëm. Bota është më e madhe se pesë”, potencoi Çavuşoğlu.

Ndryshe, pasi SHBA-të vënë veto në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbi një projektrezolutë e cila parashihte zhvlerësimin e vendimit të Trumpit, sot në AP-OKB pritet të votohet rezoluta e cila zhvlerëson “çdo veprim që ndryshon statusin, karakterin ose strukturën demografike të Kudsit”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit